Pas rreth katër orë protestë para Parlamentit, opozita ka ndryshuar skenar. Turma e njerëzve i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ishte Flamur Noka, ish-deputet i PD i cili ftoi protestuesit në marshim drejt policisë së kryeqytetit. Kjo në shenjë proteste për ndalimet e protestuesve nga policia. Mësohet se policia ka shoqëruar ditën e sotme 14 protestues.
Monika Kryemadhi, Flamur Noka, Gazmend Bardhi e Ervin Salianji janë futur brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranë, ku kanë marrë informacion të ndaluarit nga uniformat blu. Pas daljes nga ambientet e policisë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka kërkuar lirimin e protestuesve të ndaluar, duke i dhënë ultimatum Policisë se opozita nuk do ikë pa nxjerrë nga qelia djemtë.
“Të shoqëruarit janë të datëlindjes 1994. Nuk ka pasur dhunë, por dashuri dhe respekt të qytetarëve për policinë. U kemi dhënë ujë. Paniku i Ramës detyron policinë që të arrestojë fëmijët e shqiptarëve, pasi degdisi 500 mijë shqiptarë në Europë. Ultimatumi jonë është të dalin djemtë sa më shpejt, ne jemi këtu dhe nuk do ndalojmë derisa të dalin, sepse nuk kanë bërë gjë. I bëjmë thirrje policisë që të arrestojë Damian Gjiknurin, trafikantët e drogës që trafikojnë drogë me uniformën e policisë dhe jo fëmijët e shqiptarëve. Janë shoqëruar për verifikim, presim të lirohen”, u shpreh Kryemadhi.
Kjo lëvizje e opozitës ka gjetur të papërgatitur policinë e Tiranës, pasi forca të shumta sigurie ndodhen të dislokuara te Parlamenti ku po zhvillohet seanca plenare dhe ndërtesa e Kryeministrisë. Megjithatë, forcat e rendit, FNSH dhe RENEA, mbërritën përpara protestuesve dhe formuan kordonin e sigurisë.
LEXO EDHE: