Qeveria ka ndryshuar në dy pika vendimin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Ministri i Financave miraton këstin e radhës për kategorinë parësore dhe atë të trashëgimtarëve. Rialokimi i fondeve të papërdorura, deri në fund të vitit.
Qeveria ka ndryshuar sërish mënyrën e shpërndarjes së parave për ish të përndjekurit politikë. Në fund të vitit që shkoi ajo ka miratuar një vendim që është botuar së fundmi edhe në Fletoren Zyrtare, nëpërmjet të cilit bëhen disa ndryshime në vendimin e mëparshëm duke prekur dy pika.
Së pari, me anë të këtij vendimi është përcaktuar që kësti pasardhës për të gjitha kategoritë përcaktohet me urdhër të ministrit të Financave, pas raportimit të drejtorisë përkatëse të dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë.
Ndërkohë që në vendimin e ndryshuar përcaktohej që ministri i Financave miratonte urdhrin për shpërndarjen e këstit pasardhës vetëm për kategorinë parësore të të ish të përndjekurve politikë. Kujtojmë se në bazë të ligjit është përcaktuar se miratimi i afateve dhe të skemës së shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist, sipas planifikimit vjetor buxhetor dhe parimit të proporcionalitetit, bëhet në një raport prej 70% për të gjitha subjektet përfituese parësore, dhe 30% për trashëgimtarët e ish të dënuarve, që nuk bëjnë pjesë në kategorinë parësore.
Pra tashmë, pagesa për të dyja kategoritë do miratohet me vendim të ministrit të Financave. Gjithashtu, vendimi i fundit i qeverisë përcakton se fondet që nuk mund të ndahen përgjatë vitit sipas planifikimit, dhe kjo për arsye të ndryshme, nuk digjen por me një urdhër të përbashkët të ministrit të Financave dhe atij të Mirëqenies Sociale, rialokohen dhe përdoren po për të njëjtin qëllim, pra dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist.
Por, ndërsa më parë përcaktohej se ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministri i Financave, dy muaj përpara mbylljes së vitit buxhetor vlerësonin së bashku procesin e realizimit të fondeve për të dyja grupet e subjekteve përfituese dhe vendosnin rishpërndarjen e fondeve ndërmjet dy grupeve, tashmë ky afat është hequr.
Më konkretisht është vendosur që ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministri i Financave, përpara mbylljes së vitit buxhetor, vlerësojnë procesin e realizimit të fondeve për të gjitha kategoritë dhe vendosnin rialokimin e fondeve me urdhër të përbashkët. Në fillim të vitit të shkuar qeveria propozoi disa ndryshime në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve, ku favorizoi moshat e mëdha, femrat dhe të gjithë ata që s’kishin marrë asnjë këst.
Ndërkohë që vetë kryeministri Edi Rama ka premtuar publikisht se brenda këtij viti do të përfundojë i gjithë procesi i dëmshpërblimit për të gjithë ata ish të dënuar politikë mbi 75 vjeç. Qeveria ka përllogaritur gjithashtu se mbyllja përfundimtare e këtij procesi ka një faturë financiare që shkon në afro 400 milionë dollarë.