Aktualitet

Në 19-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit Maqedonia mund të ketë kryeministër shqiptar








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:20 - 13/08/20 |
Aleksandër Biberaj

10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë në vitin 1991, dhe pas një konflikti disamujor ndëretnik të armatosur, më datën 13 gusht në qytetin shqiptar por fatkeqësisht të sllavizuar nga okupacioni maqedonas i Ohrit, liderët politikë të kohës, në praninë edhe të përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së ranë dakord për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur dhe për të filluar një fazë të re në historinë e Maqedonisë.



Marrëveshja synonte një fillim të ri që kalonte nëpërmjet krijimit, mirëfunksionimit dhe respektimit të një shteti multietnik, demokratizimit të vendit si dhe integrimit euroatlantik, çfarë presupuzonte anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE. Marrëveshja e Ohrit erdhi direkt dhe për pasojë të rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Maqedonisë të organizuar në UÇK (Maqedoni) për të mbrojtur të drejtat e mohuara nga maqedonasit, ndërkohë që marrëveshja vinte edhe si nevojë dhe domosdoshmëri historike. Pas shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë, Marrëveshjes se Dejtonit (1994) për zgjidhjen e konfliktit të Serbisë me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë (ndonëse rezultoi se ajo ishte marrëveshje gjysmake), ndërhyrjes së ushtrisë amerikane dhe NATO-s në Kosovë (1999) që bashkë me rezistencën e UÇK-së bënë të mundur çlirimin e Kosovës nga okupacioni barbar serb, shkëputjes së Malit të Zi me referendum nga Unioni Serbi-Mal i Zi (2006), mbetej ende i pazgjidhur konflikti ndëretnik në Maqedoni ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Kështu që me


Marrëveshjen e Ohrit pak a shumë mbyllej edhe kapitulli i ish-Jugosllavisë, pasi tashmë ishin krijuar shtetet e pavarura të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe mbetjes që ishte Serbia. Për më tepër Marrëveshja e Ohrit ishte shumë e rëndësishme për pozitën e shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni por edhe në Ballkan, pasi duke sanksionuar dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, krijoheshin kushte për forcimin dhe konsolidimin e faktorit shqiptar në Ballkan, si një faktor paqeje dhe stabiliteti.




Marrëveshja e Ohrit përveç zgjidhjes momentale që ishte ndalimi i konfliktit dhe çarmatimi, realisht që nga viti 2001 ka shërbyer si një udhërrëfyes për të gjitha reformat e kryera në Maqedoni, që kryesisht kanë të bëjnë më të drejtat e mohuara të shqiptarëve, të fituara gradualisht gjatë këtyre 19 viteve, bazuar pikërisht në këtë marrëveshje. Shqiptarët fituan fillimisht të drejtën e mbajtjes së simboleve kombëtare (flamurit) në njësitë ku ata janë mazhorancë, e drejtë e mohuar dhe për të cilën ata ishin persekutuar në mënyrë represive historikisht nga sllavo-maqedonasit. Një arritje tjetër ishte edhe decentralizimi dhe qeverisja vendore, gjë që iu jepte shumë pavarësi jo vetëm financiare, përfshirë edhe përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare njësive të qeverisura nga shqiptarët. Arsimimi në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e tij ishte një arritje tjetër, që solli edhe “legalizimin” e Universitetit të Tetovës, hapjen e Universitetit të Evropës Juglindore si dhe të universiteteve të tjera në gjuhën shqipe. Dhe arritja më madhore lidhur me gjuhën shqipe, është futja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni. Shqiptarët u integruan në sistemin e drejtësisë dhe në administratën publike, duke pasur gjatë mandatit të kaluar edhe pozicionin e Kryetarit të Parlamentit.



Natyrisht që sot është një ditë për të bërë një bilanc por edhe për të reflektuar, për të kuptuar se sa e rëndësishme ishte ajo marrëveshje, por mbi të gjitha për të shprehur mirënjohjen dhe respektin tonë kombëtar për të gjithë ata shqiptarë patriotë që u rreshtuan në radhët e UÇK-së (Maqedoni) për të drejtat tona kombëtare të mohuara padrejtësisht nga sllavo-maqedonasit. Nder, respekt dhe mirënjohje për jetë të jetëve të gjithë atyre që dhanë jetën dhe prehen në altarin e lirisë për të drejtat tona kombëtare.


Tashmë Maqedonia është anëtare e NATO-s dhe aspiron për të marrë shpejt statusin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Në zgjedhjet e fundit të 15 Korrikut shqiptarët fituan 32 mandate, një shifër rekord kjo që nga krijimi i shtetit të pavarur të Maqedonisë në vitin 1991. Kryetari i BDI-së dhe ish-drejtuesi i UÇK-së (Maqedoni) Z. Ali Ahmeti lançoi gjatë fushatës nismën që “ka ardhur koha që Maqedonia të ketë një kryeministër shqiptar”, nismë që mirëprit nga shqiptarët, konfuzoi jo pak maqedonasit, por që patjetër pati efektet e veta elektorale, pasi BDI fitoi 15 mandate (5 me shumë se në zgjedhjet) paraardhëse, por besoj se rriti edhe peshën e faktorit shqiptar në Maqedoni dhe numrin e deputetëve shqiptar në total.

Presidenti Pendarovski duhet këto ditë të nominojë kandidatin për kryeministër, i cili do të formojë edhe qeverinë e re, dhe gjasat janë që me një marrëveshje të negociuar mirë, shqiptarët mund të kenë kryeministrin e Maqedonisë, qoftë edhe për një mandate kohor të ndarë me kryeministër maqedonas. Natyrisht kjo do të ishte një fitore historike, që do të hapte rrugën për të pasur në të ardhmen edhe një president shqiptar, pavarësisht se ka pasur kandidat shqiptar për president, por që nuk ka mundur të fitojnë zgjedhjet presidenciale!

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas