Kryesore

Në atë lartësi o krimb si je ngjitur? Duke u zvarritur vëlla, duke u zvarritur














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:01 - 07/04/21 |
Besnik Gjongecaj

Fushata elektorale ka bërë pjesë të saj një pyetje që rëndshëm trondit themelin e politikës së këtij vendi. Pyetja ka natyrë ekzistenciale, sepse lidhet me korrupsionin dhe më saktësisht, me vullnetin e politikës për ta luftuar atë.





Politikanët e këtij vendi, të paktën në dukje dhe çuditërisht, kanë pranuar të merren me mëkatin e tyre më të madh dhe ta diskutojnë atë publikisht. Ky hap shënon, as më shumë dhe as më pak, një zhvillim interesant në historinë e mëkatit dhe të pendesës ndaj tij, sepse në këtë rast gjykimi dhe pendesa nuk bëhen përpara një fuqie të tretë, drejtësisë, por përpara të plaçkiturve, ose që është e njëjta gjë, në prani të popullit. Tragjikomikisht.


Në përplasjen elektorale, përfaqësues të qeverisë iu kërkojnë kundërshtarëve t’iu thonë se çfarë kanë lënë pa bërë, apo çfarë ka mbetur për të bërë më shumë se ç’kanë bërë ata gjatë këtyre viteve në luftën kundër korrupsionit. Duke nënkuptuar që ata, qeveritarët, kanë bërë gjithçka që mund të bëhej, dhe e gjitha kjo ka ndodhur sepse kanë adaptuar në vite një tërësi rregullimesh ligjore antikorrupsion. Dhe kaq.




Me antikorrupsion, në këtë dhe në çdo rast, qeveritarët e këtij vendi nënkuptojnë rregullimet ligjore që synojnë t’i lënë njeriut të tyre, nëpunësit, sa më pak hapësirë kontakti (kapacitet vendimmarrës) në marrëdhënie me qytetarin, apo me pasurinë e vendit. Duke formuluar tinëzisht premisën se jo vetëm në luftën kundër korrupsionit, por veçanërisht në luftën për ndërtimin e demokracisë në vend, është sistemi ai që përcakton fatin e kësaj lufte dhe jo njeriu.


* * *
Në përplasjet me gurët e shumtë që has përroi i tij psikik, ka kohë që kryeministri i vendit e trajton raportin e sistemit me njeriun si një koincidencë, si dy pjesë që krijojnë dhe rikrijojnë vetveten veç e veç, pa lidhje organike, pa u përfshirë në simbiozë. Në eksperimentet e tij psikanaliste, kryeministri i vendit e “dërgon” shqiptarin në perëndim dhe e quan të përfunduar përgatitjen e tij për demokraci menjëherë sapo ai bie në kontakt me sistemin demokratik të vendit perëndimor.


E rikthen me mëndje po këtë shqiptar në vendin e tij, në Shqipëri, dhe menjëherë sapo shqiptari bie në kontakt me sistemin tonë çoroditës dhe autoritarist, ky shqiptar, i njëjti shqiptar, sipas kryeministrit zhbëhet menjëherë dhe prej mëlçisë së tij del një egërsirë, një shpellar, që fillon dhe kalon kryqëzimin me semafor të kuq dhe ulëret në korridoret e një spitali.

Midis qindra e mijëra thënieve e kundërthënieve që shuajnë njëra-tjetrën pa zënë vend mirë, ajo që mbetet pasi shuhet vrulli i përroit psikik të kryeministrit të vendit është se sistemi krijon qytetarin dhe jo anasjelltas. Këtu vijmë te humnera ku thyen qafën çdo deduksion logjik. Sepse shqiptari është një qenie e papërgatitur për demokraci, ai nuk e ndryshon dot sistemin ekzistues dhe prandaj, shqiptari është i destinuar të jetë i paaftë për të ndërtuar një sistem të ri demokratik mbi gërmadha. Gjithsesi, a mund të jetohet pa një sistem demokratik, përjetësisht?!

Në përroin psikik rrjedhin ujëra të tjera dhe zgjidhja është prapë atje, mjafton të ndalojmë paksa. Rruga e shndërrimit të shqiptarit në qenie civilizuese, sipas kryeministrit të vendit, do të duhet të kalojë patjetër përmes një sistemi demokratik të cilin, meqë shqiptari nuk e ndërton dot, mbetet që dikush tjetër ta ndërtojë në vend të tij. Tamam këtu përroi psikik merr një vrull të ri, bëhet i pandalshëm, i papërballueshëm.

Ai prodhon një zgjidhje aq të thjeshtë sa vetëm gjenialiteti mund të prodhojë. Është e vërtetë që sistemin nuk do ta ndërtojnë ata që nuk dinë, ata që e kanë të pamundur. Pra, nuk do ta ndërtojnë shqiptarët. Por, sistemin mund ta ndërtojnë të huajt, ekspertët perëndimorë, ambasadat, organizatat ndërkombëtare. Prapë, megjithatë, këtu ngatërrohet e gjitha, sepse mbetet pa përgjigje pyetja se nëse nuk merren me ndërtimin e demokracisë, çfarë iu bie atëherë të bëjnë politikanët shqiptarë, ç’rol do të kryejnë ata, ç’mision? Përgjigjja është gjithsesi aty, pjesë e përroit psikik.

Ajo ndodhet brenda vrullit të tij. Politikanët shqiptarë do të luajnë një rol sa modest, aq edhe “kushtetues” në këtë proces. Roli i tyre është modest deri në asht, sepse do të bëhen kamerierë në një restorant gjigant ku populli shqiptar mbllaçit simitet plot avull të një sistemi demokratik të gatuar nga ndërkombëtarët, por të shërbyer nga politikanët vendas. Ja pse edhe roli i politikanëve shqiptarë është “kushtetues”, sepse për herë të parë në jetën e tyre ata do të jenë në shërbim direkt të popullit; domethënë, më në fund, do të jenë shërbëtorë të tij.

* * *
Qëndrimi i kryeministrit të vendit ndaj raportit midis sistemit dhe njeriut akoma nuk ka marrë një përgjigje të qartë nga opozita, megjithëse koha elektorale po mbaron. Madje, opozita e vendit po jep shenja që edhe për të ky raport është i mjegullt.

Një eksponent i partive opozitare u bë dëshmi e këtij mjegullimi. Ai pranoi publikisht se në Shqipëri nuk mund të mbledhësh vota nëse e shndërron në kauzë sistemin (p.sh., çështjen esencialisht të rëndësishme lidhur me gjykatën kushtetuese), në kuptimin që është buka e përditshme ajo që i çon votat e shqiptarëve te partitë dhe jo çështjet e ndërtimit të demokracisë.

Nënteksti ishte pothuajse në sipërfaqe: kemi të bëjmë me një popull injorant dhe prandaj, edhe duhet ta trajtojmë si të tillë në mbledhjen e votave. Ajo që godet më rëndë, në fakt, është përjashtimi i shqiptarit nga ndërtimi i demokracisë në vend, relativizmi i tij si qytetar. Është fshehja djallëzore e faktit se politikanët tanë e vendosin veten jashtë popullit dhe akoma më shumë, se edhe kur flasin për cilësi të ulët të demokracisë ata nxitojnë menjëherë të tregojnë se nuk janë shkaktarët e saj.

* * *
Është jashtë çdo dyshimi që çështja më e madhe e kësaj fushate elektorale duhet të ishte, dhe akoma ka kohë që të bëhet, çështja e raportit që shqiptarët kanë me sistemin, ose, çka është e njëjta gjë, nëse është i përshirë apo jo dhe nëse jo, si mund të përfshihet shqiptari në ndërtimin e tij.

Të thuash se je duke ndërtuar demokracinë në këtë vend sepse po ndërton sistemin me punëtorët ndërkombëtarë, kjo është edhe mënyra më e drejtpërdrejtë, por edhe më okulte njëkohësisht, për të mos ta ndërtuar kurrë atë. Demokracia nuk përfundon kurrë së ndërtuari vetëm sepse rregullat e saj shkruhen në letër dhe nga të tjerë. Asnjë popull nuk do të mund ta gëzonte një demokraci të tillë. Ka një parim esencial, me natyrë universale në ndërtimin e demokracive: ato ndërtohen nga qytetarët dhe mbahen në këmbë prej tyre.

Demokracia ndërtohet vetëm kur kuptohet qartë se aq sa rregullat ndihmojnë në përgatitjen e qytetarit për demokraci, po aq edhe qytetari i përgatitur për demokraci ndihmon në ndërtimin, përsosjen e sistemit dhe e mban në këmbë atë. Të dy anët japin dhe marrin, përsosin njëri-tjetrin, madje edhe më shumë: vetëm kështu mbijetojnë kur kërcënohen. Aq sa, nëse i shkëput prej njëri-tjetrit, nëse i nxjerr jashtë kësaj marrëdhënieje simbiotike, secili vdes, ngadalë dhe vazhdimisht. Ja pse mbijetoi Amerika kur sulmuan zemrën e saj, Capitol Hill.

Sistemi nuk u rrëzua, por funksionoi, sepse ishte ndërtuar nga qytetarët, të cilët përsosen përditë si të tillë duke e respektuar dhe mbrojtur atë. Sistemi nuk u dorëzua, sepse askush nuk e dorëzon atë që e ka ndërtuar me gjak dhe me djersë. Ja pse ky vend, Shqipëria, bie në kolaps, destabilizohet, menjëherë pas çdo gostie që i jepet, sepse qytetarët e saj janë përjashtuar nga procesi i ndërtimit të demokracisë. Ja pse, edhe perëndimorët vazhdojnë akoma të jenë të interesuar më shumë për stabilitetin e Shqipërisë se sa për demokracinë e saj, duke dhënë mesazhin e një sistemi të pasigurt dhe të rrëzueshëm lehtësisht.

* * *
Humbja e drejtpeshimit në raportin midis sistemit dhe njeriut në Shqipëri është një punë e keqe dhe e kryer nga qeverisja e vendit. Ajo bëhet edhe më e keqe kur konstaton se drejtpeshimi ka humbur sepse është inferiorizuar njeriu, qytetari shqiptar.

Ajo bëhet sterrë e zezë atëherë kur konstaton se e gjitha kjo është bërë për të përjashtuar qytetarin shqiptar nga ndërtimi i demokracisë, për ta shndërruar atë në një ekzistencë pa pushtet, të dobët, të frikësuar, servil, i cili nuk është më rrezik për qeverisjen, për asnjë qeverisje. Për ta shndërruar shqiptarin në një qenie që kërkon drita, ujë, bukë, dhe pranon me gjysmë zëri edhe kur ia vjedhin ato. I një shqiptari që rri i vetëm përpallë qeverisë, i braktisur, shpesh edhe nga opozita. Sepse opozita edhe sot e kësaj dite flet vetëm për oligarkë, ndërkohë që Shqipëria nuk është më ajo e para dhe oligarkët nuk janë më problemi kryesor i saj.

Shqipëria ka ndryshuar boshtin e saj moral dhe ky është problemi më i madh që ka sot ajo. Vendi ka kohë që rrotullohet rreth antivlerave, duke bërë që jo oligarkët, por shumëfishimi i pakontrolluar, malinj, i imazhit dhe i manierave të tyre të anashkalimit të demokracisë te shumë e shumë njerëz të tjerë me pushtet, kudo ku janë, është bërë një problem shumë më i madh se vetë ata “që numërohen me gishtat e dorës”.

Pas shpinës së shqiptarit tani rri një kryetar komune që zgërdhihet me hallet e tij, një gjyqtar që e poshtëron përditë dhe askush nuk i thotë gjë, një mësimdhënës që iu fut duart në xhep studentëve të tij, një shef injorant që josh pedagoget e reja dhe merr ryshfet kur dikush pranohet në universitet, një drejtor me shami në xhepin fals të xhaketës pas së cilës ka një zemër zift të zezë, një zv.ministër që përbuz vartësit dhe lëpin prapanicën e shefit rregullisht dhe sipas orarit, një ministër që vizaton dhe fshin zona investimesh si të ishte te pronat e babait, një kryeministër që tallet me popullin e tij.

* * *
Jetojmë në një shoqëri të zhytur në një krizë të paanë ku ndërhyrjet mekanike dhe aq më shumë ato për interesa politikë, nuk janë më një opsion. Të zgjidhësh problemet e shoqërisë së sotme pa shkuar tek origjina e tyre nuk është më një zgjidhje. Të gjitha përpjekjet për të ndërtuar sistemin pa pjesëmarrjen e atyre që do ta mbajnë atë në këmbë nuk sjellin kurrë demokraci, ashtu sikundër të gjitha përpjekjet për të zgjidhur problemet ekonomike jashtë kontekstit të ndërtimit të demokracisë e zhysin vendin në një varfëri edhe më të thellë, edhe më gjithëpërfshirëse.

Shqiptarët kanë vetëm një opsion: mbështetjen e asaj politike që do të luftojë për të siguruar drejtpeshimin midis sistemit dhe njeriut. Të politikanëve që angazhohen për ndërtimin e asaj demokracie, e cila natyrshëm prodhon kundërshtarë apo, që është e njëjta gjë, qytetarë të lirë.

Të politikanëve që investohen tek arsimi më shumë se te çdo fushë tjetër dhe te ndërtimi i atyre universiteteve që synojnë, në radhë të parë, përgatitjen e rinisë për demokraci dhe pastaj, edhe përgatitjen e profesionistëve të zotë. Në të kundërtën, shqiptarët do të jenë edhe më kokulur pas këtyre zgjedhjeve, ndërsa sfidat, si në diktaturë, do të përballohen ashtu si Kadare shkruan në një nga librat e tij: “Në atë lartësi o krimb si je ngjitur/ Duke u zvarritur vëlla, duke u zvarritur”.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas