Monday, June 13, 2022
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Ne bashkë jena mësue me e nda mallin (Poezi)

by ro ot
09/11/2019
in Mapo Letrare
0

Nga Albina Gjergji

***

“Andrrat e babës”

Kur isha e vogël,
baba jem thurte shporta andrrash,
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.

Pinte kafen turke
nadje herët
e, mbasi numëronte hallet
nji e nga nji,
pa bâ zâ,
e kishte zakon
veç thurte shporta
dëshirash…

T’njajten gjâ
bante përditë,
a thue se,
mbasi
mbaronte shportën
e radhës,
andrrat i ishin realizue!

Nji ditë e thithi aq fort
kafen prej filxhanit,
sa m’çoi prej gjumit
e m’shkputi
prej lojës me kuklla…

E pashë krejt hundë e buzë
e,
tuj kalue nëpër duer
fijen e thuprës,
m’qeshi
me nuanca dhimbsunie
si me dashtë me m’thanë:

“M’fal, mor bab’,
por kjo shporta
që kam n’dorë
e që po e thuri
me fije shprese
për ty,
m’përhumbi
E fyti m’u tha
kur m’u kujtue
sesi u këput,
thupra e shportës
që gjyshi yt
dikur
kish bâ për mue.
Për bijen time
ka me qenë
ndryshe,
Koha ka me e ndihmue”!

Baba jem…
Ai andrrimtari
i pandreqshëm,
si e bija e tij sot,
dështimet e ditës
i mbulonte me jorgan n’darkë,
por vetëm
pasi u kishte thanë
“Natën e mirë”
dyerve t’pahapuna
t’miqve pa miq.

Ai kishte duer t’vrazhda,
shpirtin e butë,
zemrën e bardhë,
ftyrën e përvujtë.
Fliste me sytë jeshilë
krejt si ullini mijëravjeçar,
nën degët e t’cilit Jezu Krishti
dikur predikonte sesi duhej qenë
NJERI.

Kur isha e vogël,
baba jem
thurte shporta andrrash
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.

Si psalm më përsëritet
në kry dëshira e tij :
“BIJA IME, TI DUHET ME GËZUE”!

“T’KAM RREJTË”

Sa i përket mbramjes
së djeshme,
të rrejta kur t’lashë me kuptue
se atë poezi
e kisha bâ për ty…

Unë s’kisha bâ veç atë
poezi për ty,
por te tana çka kam
lexue
e krijue,
shkruejtë
e ruejtë
nëpër cepat e
Morfologjisë
Fonetikës
Albanologjisë
Sintaksës
Linguistikës
Gramatikës
Leksikologjisë…

Çka thashë?

Letërsisë?

Ncuk…
Qysh në Hyrjen e Gjuhësisë…
Bash njat’herë
mbaj mend që
tanë poetët
u mblodhën
bashkë me vargëzue…
Domethanë… siç duhet
Për ty e për mue.

Pra,
unë të rrejta kur t’lashë me kuptue
se atë poezi mbramë
e kisha bâ për ty…
Unë s’kisha bâ
veç atë poezi për ty.
Por tana çka ke lexue
qysh se ke
e kam mësue me shkrue.

A e sheh sa shumë
vite paskena bashkë?
Qysh kur se nuk ishim njoftë
t’paskam e m’paske dashtë…

“Nana me rruzare”

Para shum vitesh, por jo fort fort larg në kohë, por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot, kam pas’ njohtë nji nanë, që sa herë i kjante zemra, merrte rrugën për n’Kishë.

Avit’te derën e kullës s’vjetër, fshihte flokët poshtë shamisë s’zezë e, mbasi u kish’ thanë, “si keni njeh” komshijve, ngulte e shkulte shkopin e pleqnisë në tokë.

Kur mbas gardhit – sebep shekullor sherrnajash – ndigjoja “trokun” e saj, e dija që ishte ajo e me vrapin e fmijës turresha me gjetë birë për me i pa sytë, ato sy që, kur isha e vogël, më dukeshin tipari ma i vështirë “me u ba për vete”.

E shihja me rruzare n’dorë e, mbasi më kishte pikasë, më qeshte pa ndërpre pesë “T’falem o Mari” e po aq “Shenjtja Mari”.

Kishën… unë e kam pas gjithmonë afër shpisë, por gjithmonë mbërrijsha e fundit n’meshë.
Mbasi zija vend tek “bangat” e korit e mbasi, me shikim të piskuem më kritikonte prifti, ktheja kryet kah nana me shami të zezë.

Ju betohem, ajo nuk ishte nanë e zakonshme…

Ndryshe prej të tjerave që, si “majmunet imitues” përsërisnin veprimet e priftit (që nji Zot e di prej ç’kontinenti kishte mbërritë në tokën time me na shpëtue)… ajo nuk e bante këtë gja, por ulej poshtë gjujve të Krishtit e i fliste drejtpërdrejtë Atij me sytë kah qielli. Çonte duert nalt e sa ma fort binte kumona, aq ma shumë maraz e dhimbje i lexoje ndër rrudha.

Në dongun e parë të kumonës i shihje përshpirtje n’portret, me t’thanë mendja se ishte takue me Atë që nji ditë të gjithë supozohet se do i japim llogari. Në atë përballje dukej se mbaronte idhnimi e fillonte pranimi!

Në dongun e dytë, ishte ma e vendosun në lutje. Me shumë gjasë, kërkesa e dërgueme për nalt ishte e kjartë : “Më merr”. Kryqet në shpinë dhimbnin njisoj. Si Nanës s’Tenzot, ashtu edhe kësaj Nane me lot.
Në dongun e tretë, me gjujtë e skuqun e kurrizin e tkurrun, nana me shami të zezë “zbriste” në tokë e me kuletën prej pece që i varej n’brez zadrimoresh merrte rrugën për n’lagjen e heshtun. Aty ku e priste nji shpi përplot fotografi… me fëmijë.

Fotografi…me fëmijë,

Fotografi… me fëmijë!

N’emën t’Atit, t’Birit e t’Shpirtit Shenjt!

Para shumë vitesh, pra jo fort fort larg në kohë, por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot, kam pas’ njoftë nji nanë që, sa herë i kjante zemra, merrte rrugën për n’Kishë. N’atë Kishë dikur shkonte bashkë me fëmijët, të cilët sot… nuk i ka ma!
Nanë, a beson hala?

“Fshiji lotët nanë”

Natën, kur kocat
shtrin n’shtrat,
nana jeme mos u ligshto.
S’asht mirë me kja natën!
Edhe pse poshtë
nënkresës tande
flejnë plagët e pashërueme,
mos kjaj…
N’kjoft’se g’jujt
T’dhembin
prej peshës s’kohës
e sytë zgavrra
t’janë bâ jo vetëm prej moshës,
më ço edhe mue,
kjajmë bashkë,
siç m’ke m’sue edhe me dashtë
Sepse… nana jeme
ti e din!
Na bashkë jena mësue
me e nda mallin.
Bashkë jena mësue
me e mbulue hallin
Bashkë
jena mësue edhe kafen me pi,
si dikur, në votër
kur ndizje zjarmin.
Bashkë jena mësue
me u pa gjatë n’sy
e me i thanë njena-tjetrës,
“Zot, çka bâj unë pa TY” (?!)
Nana ime?!
Nigjo…
kur vetëm t’mos jesh,
por vetëm t’ndihesh,
kur t’marrësh me u çue
e me u kujdesë për mue,
mbasi lotët t’i kesh fshi
e kapërdi kocin,
kujtoju shpirtmadhe.
Unë jam mbrenda teje,
fetus i strukun,
gjithmonë n’formë zemre…
Fshiji lotët, nanë.
Se po s’i fshive ti,
unë
kam me t’i puthë…

“Ah me mujt'”!

Me mujt’
me e dashtë
në kohën e tashme,
kryefjalën e mendimeve të mia!
Asgjâ s’i kisha kërkue tjetër gegnishtes tande.

As për tosk’nishten “s’do doja t’ia dija”!

Me mujt’
Me e futë Paskajoren “me dashtë”
në kohën e pa kohë të çdo kohe në “T’due”…
Sa bukur kishte me kénë!

…se
ME DASHTË
pa përcaktue vend
nuk ka nevojë për kohë.
As për folje ndihmëse,
as për fjali t’përbâme.
Duhet vetëm numri njàjës,
mbushë me dashni
Kryefjalë…
UNË,
TI në NJI!

Me mujt’
Me e dashtë
n’gegnisht
t’u‘j e njoftë si gjuhë e jo dialekt
paskajorja kishte me n’a lejue me kénë bashkë gjithmonë.
Me t’dashtë
E me m’dashtë!

Edhe At’ Fishta kishte me n’a bekue…
n’PASKAJORE!

“Me dhe pa ty…”

M’len me t’dashtë
edhe pa të pasë
Edhe pa kénë bashkë
m’lén t’thashë!

Nuk gaboj kur them do t’vij
e se do iki pa ba zhurmë!
M’len veç pak me ta puthë synin
E do t’zhdukem nëpër turmë!

T’dashuruemit s’do i çoj prej gjumi
edhe ata dûn me gabu.
Mkatnorët e natës puthen ngutshëm
kur vjen orari me u largu.

M’len me t’dashtë pash hatrin e Zotit
Njashtu siç di, apo si t’mundem
Në mos dëgjofsha rrahje zemre
do t’di vetë sesi t’shkëputem.

Pa ba za do ec majë gishtash
prej gjumit betohem s’kam me t’çu
M’len veç sonte me t’dashtë pastër
Se n’ag t’ditës do të jesh pa mu…

“M’rrokesh”

A don me i shtri hallet tueja
N’prehnin tem?
Aty gjen shumë të miat,
por edhe tuejave ju bâj vend.

Nji nga nji nisim
e i kjajmë bashkë.
Në mos mundshim
me i zgjidhë,
rrokena tue u dashtë”

“IK PREJ ANDRRAVE TË MIA”

A ban mos me u takue ma
n’andrrat bardh e zi,
që n’terr
as më rrzojnë
as më mbulojnë?!

As në aeroportet e tyne
që, n’thirrjen e fundit
paralajmëruese,
m’konfuzojnë
e
nuk e di a jam ngjitë
a kam zbritë…
Mos hajde ma
me m’pritë.

M’len aty,
t’shtrime përtokë
me sytë kah qielli,
tue numëru nji nga nji
bagazhet e udhëtimeve
t’pabame…

Mos më trazo ma
natën!

M’len vetëm
e, mos më thuej:
“Të pres nesër
në t’njajten andërr,
në t’njajten orë,
në t’njajten zemër,
me shpirt n’dorë”!

Njashtu, t’mbledhun shuk,
në valixhen e dëshirave
t’mbetuna n’tentativë…
m’len.
e mos m’kërko ma.

Ik prej andrrave të mia!

“Efekti mungesë”

Ke nji meritë t’madhe
Në shpërmbamjen e asaj
Çka isha.
Se tash… unë nuk jam má
Ajo e djeshmja
Që vrapoja me
Kapë trenin e lumturisë!

E má s’shumti
Nëse don me e dit’
Vlerësoj faktin që
S’kena qenë kurrë bashkë…
Se po të kishim
Qenë bashkë
Shumëçka kishte
Me qenë ndryshe.

Për shembull…
S’do kisha pas kohë
Me qenë as kjo që jam
As kjo që shkruej
As kjo që vuej…

T’falemnders!

Tash, a po m’len me pushue,
Se bash kambëkryq jam ulë
N’stacionin e zemrës
E me shkronja po godas
Shinat e nji bote
Të cilën nuk âsht
Se ma zbulove ti…

“Kjáj, kjaj, kjaj…”!

Sonte
gjeta kohë
me mendue për ty
e me t’pa n’sy
teksa ecje n’kalldramin
e zemrës
mbushë me aromë Shkodre!
I lashë njén’anë telashet
që çdo natë
i vé palë n’sirtar
e u struka poshtë batanijes
n’formën e nji fétusi
që frikë ka prej njeriut
pa ardhë
ende n’kët botë…
N’kët botë, që i premton shumë
e (as)pak i jep!

Sonte
gjeta kohë
me i fol vedit për ty
bash njato gjana
që s’pata fatin
as me t’i pëshpëritë
kur ike me shpejtësi.

Duhet ta mbash mend!
Se si u çove prej tavolinës
e me vete more
paketën e cingareve
plot me faj…

Harrove që tingujt
e “Hurt” të Johnny Cash
ishin fut’ poshtë astarit
të palltos tande
Nën atë pallto,
me të cilën
m’rrethoje kur kisha
ftohtë prej kujtesës!

Ti nuk e shkunde
pluhnin e zemrës!

Por unë sonte
gjeta kohë
Me t’pa e me kja
Me t’dashtë e me t’falë!
Me u gri e me u shfry
Edhe me u pa guximshëm
n’sy!

Nëse ndodh’ prapë
Domethánë… që të takohena
Ndonjî mbramje
Në ndonjî qiell korriku
Në ndonjî breg deti
N’zemër qyteti
A hije shelgu
Kam me ta këndú
Me za t’náltë
Atë melodi
Që kurrë s’mujte
Me e vallëzue me mue…
Në “T’DUE”.

Tash… “Kjaj, kjaj, kjaj”
Ti.
Unë boll e “lëndova veten”!

“Djepi i dhimbjes”

Na ka ndrrue “rolet” jeta nanë
Tash jam unë ajo
që t’përkundi n’djepin
e andrrave ty!

Flej…

Edhe sonte m’ke mu
Edhe nesër
Mbasnesër…
Mbas nji viti…
Përtej jetës e vdekjes!

Edhe n’botën tjetër
kam me t’vu n’gjumë
tuj ta tretë mendjen…
si fmisë!

Ule kryet’ n’prehnin tem nanë.
E di që s’feston ma.

“GËZUAR” (I)

E di unë…
Don me m’bâ
me shkrue n’këtë orë!
Don me m’nxjerrë në ballkon
me u puthë me erën
e me bâ “gëzuar” me venën!

Nji hurb
dy
tre
katër…

Epo… gëzuar!
Ta festojmë vetminë!

Për njeni-tjetrin,
Për të dy ne pa “NE”
dhe mijëra vite shpirt largësi,
Për çka patëm e s’patëm…

GËZUAR!

Për dështimin tim n’dashni
e suksesin e paaftësisë tande.
Për egoizmin tand e altruizmin tim,
Për tavolinën tonë “e rezervueme”
dhe kamarierin me papion blu.

GËZUAR!

Për kangën tande të preferueme
e vallëzimin tem nën shi,
Për avujt e buzëve në gotën bosh
e mesazhet e padërgueme në kuti,
Për zgjuarsinë
e kinse mprehtësinë tonë.

Për instiktet…
Për arrogancën tande të adhurueshme
e ndrojtjen time idiote…

GËZUAR!

Për çka s’u tha,
ma shumë se u tha.
Për “dhimbjen” time të ambël
e “ambëlsinë” tande të idhtë.
Për fitoret e mia në humbje
e për humbjet tueja në fitore.

GËZUAR!

Për shtëpitë me drita fikun,
Për komshijtë që u çuen prej gjumit,
Për tarabat që u ngritën
e lokalet që u hapën.

GËZUAR!

Për mue
për ty
për agun
vetminë
bulkthin
erën
e venën…

GËZUAR!

“GËZUAR”! (part II)

This is the end
“Beautiful” friend
This is the end
My “friend”, the end…

E thotë edhe Jim Morrison-i, i dashtun!
Ky asht fundi…
Por fundi i një fillimi të ri,
që m’gjen prapë
n’ballkon,
me gotën e venës n’buzë.

M’duket t’kam edhe disa “Gëzuar” borxh
E në pamundësi për me e festue
përballë
të dielën e fundit me ty,
mendova me ta shkrue me të kuq
hurbin e fundit
të strofës së kangës.

Gëzuar!

Dollia këtë herë
shkon vetëm për ty,
në timen mungesë.

Gëzuar!

Për ajrin e pastër që thith,
e avullin ndjellës që lëshon.
Për skenarët e tu
regjinë
rolet
e protagonizmin e pakuptimtë.

Gëzuar!

Për siparin që s’u ngrit kurrë,
për shfaqjet me karriget bosh
e personazhin që s’e pranoi
lojën e dyfishtë.

Për duartrokitjet pa zá..

Kaloi një shekull…
Kaloi një shekull
pa bâ “GËZUAR”, zemër!
Prandej…
Gëzuar prapë!
Tash me gotë bosh, veç…

Gëzuar!

Për sakrificat në artificat tueja
e çorbën e gatueme aq pa shije!

Ushqehu!

Për të parën
të dytën
e të fundit herë!

Gëzuar!

This is the end,
my friend!
The end…

“Kohë pa ty”

M’thuej!
Si ia ban
kur malli t’grryn
Për veden tande
Që gjîndet n’mue?!

Ku e takon
Çká i thue
Si i thërret
Kohës pa ty
E pa mue?

“M’ban habî”

A e ke vu ré qe s’kam kohë
As me mendue për ty?!

Unë s’kam kohë me mendue
As për vedin
Por m’ban përshtypje
Se sa e aftë paskam kénë
Me dështue me zemren témé
Ndërsa me shkruejtë për dashninë
Kam gjetë gjithmonë kohë!

“S’asht rrobë për ty dashnia”

Kisha thurë tri triko poezi për ty,
por asnjena nuk i rrinte
mirë zemrës tande.

Atë që e nisa t’parën
e që e përfundova t’fundit,
m’the se nuk i bante
gjoksit tand të vogël.
Heshta dhe
vetes ia vesha!

Të dytën, që mbasi
e punova me ma shumë zanore
sesa bashkëtingëllore,
ma hodhe tej,
pse s’kisha qëndisë
n’mendje llogarinë me ty!

S’dija.
S’mujsha.
S’më kishin mësue!

T’fundit triko, të cilën nxitove
me e veshë t’parën…
E grise pa hy në trupin
tand t’ftohtë.
Si dimni ynë
i ngushtë
në natën e huej.

Tash,
ndër sy kam grimcat
e akullit shpirt-shqyem!
Arna…
“Me shumë pastërti”
“Për ty”
“Dashni”…
“Prej duerve të mia”.

Kisha thurë
tri triko poezi për ty.
Kanë kohë të grisuna aty.

Tags: Albina Gjergjipoezi

JU SUGJEROJME

Kritikë e librit “Të lirë: të rritesh në fund të historisë”, nga Lea Ypi
Letërsi

Kritikë e librit “Të lirë: të rritesh në fund të historisë”, nga Lea Ypi

25/05/2022
Liridon Mulaj, shkrimtari i ri që çoi panairin te lexuesi
Kultura

Liridon Mulaj, shkrimtari i ri që çoi panairin te lexuesi

19/05/2022
“Shqipëria në dy kohë”- disa nga përgjigjet për pyetjet e shumta të shqiptarëve në dekadat e fundit
Letërsi

“Shqipëria në dy kohë”- disa nga përgjigjet për pyetjet e shumta të shqiptarëve në dekadat e fundit

18/05/2022
Fituesja e Çmimit “Kadare”/ Bekteshi: Doja të sillja një personazh të kohës sonë me efektet negative të tranzicionit
Kryesore

Fituesja e Çmimit “Kadare”/ Bekteshi: Doja të sillja një personazh të kohës sonë me efektet negative të tranzicionit

17/05/2022
Next Post
Mrekullia e qyteteve të vogla

Mrekullia e qyteteve të vogla

No Result
View All Result

     

Më Të Lexuarat

  • Gruaja më e bukur në Hollywood bën ndryshimin drastik
  • Plagosje me armë zjarri në Kosovë
  • Aksident/ Makina përplas të miturin 10-vjeçar
  • Aksident tragjik në Greqi, ndërron jetë një 18-vjeçar shqiptar
  • PS feston 31-vjetorin, festa zhvillohet përballë oborrit të selisë së PS-së



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtore Marketingu
Bleona Mehaj
Tel : +355675852188
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In