Kryeministri Edi Rama reagoi i revoltuar sot pas shfaqjes në rubrikën “Përgjigjja ime” lidhur me komentet në media për shëndetin e tij, kur tha se kishte qenë në Berlin dhe Paris për hallet e Shqipërisë. Rama mungoi disa ditë në media dhe kjo shtoi dyshimet lidhur me arsyet e vërteta të “zhdukjes” së kryeministrit, kur dihet se ai i kushton jo pak nga përditshmëria daljes në ekran. Në këtë dalje pas rreth një jave, ai akuzoi edhe opozitën se po cenonte imazhin e vendit nëpër Europë.
Nuk ka vonuar reagimi i PD, përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se halli i Ramës nuk është Shqipëria dhe çelja e negociatave, por pushteti i krimit, dosja 339 dhe ajo 184.
Sipas tij, akuzat në ngarkim të Ramës faktojnë para botës se ai vuan nga sëmundja e diktatorëve, tendenca për të mbajtur pushtetin me çdo çmim, edhe duke bërë pakt me krimin e blerë votat me paratë e drogës.
Reagimi i Gazment Bardhit:
“Halli i Edi Ramës nuk janë negociatat. Për hapjen e tyre i gënjeu njëherë shqiptarët vjet, po kërkon t’i gënjejë sërish këtë vit, duke mbuluar me mashtrime dështimin e tij më të madh këto 6 vite.
Halli i vetëm i Edi Ramës është ruajtja me çdo çmim e karriges së kryeministrit, të cilën ia ka blerë krimi i organizuar. Është ky hall që e detyroi të fshihej 4 ditë më rradhë, pa e ditur askush çfarë bëri Kryeministri i vendit në Paris dhe Berlin, me kë dhe përse u takua fshehurazi.
Dosja 339, dosja 184 dhe ndonjë dosje tjetër janë halli më i madh i Edi Ramës. Ato i faktojnë para botës se ai vuan nga sëmundja e diktatorëve – mbajtjen e pushtetit me çdo çmim, duke bërë pakt me krimin dhe duke blerë vota me paratë nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
I sëmuri i Ballkanit është halli më i madh që kanë shqiptarët. Është ky hall që mban dyert e Europës mbyllur, që i varfëron çdo ditë shqiptarët për të pasuruar veten dhe një grusht oligarkësh. Këto 6 vjet na kanë treguar se pa zgjidhur këtë hall, për shqiptarët nuk do të ketë Europë, nuk do të ketë mirëqenie.
#Protestoj
#ShqipëriasiEuropa”
LEXO EDHE:
Dyshimet për shëndetin/Rama: Në Berlin isha për hallet e Shqipërisë
Lajmi i mirë, nuk është i sëmurë, lajmi i keq; nuk është normal