Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës një darkë me zyrtarë të lartë të Ballkanit Perëndimor, ku ishte i pranishmëm edhe kryeministri Edi Rama.
Pjesëmarrës në darkën e mbajtur në Bruksel kanë qenë: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Mësohet se fokus i këtij takimi ka qenë ndikimi rajonal i luftës në Ukrainë.
“Fokusi në takimin e të mërkurës, 11 maj, ishte ndikimi global dhe rajonal i luftës ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj, dhe si munden së bashku BE-ja dhe partnerët nga Ballkani Perëndimor të adresojnë dëmet dhe pasojat e kësaj lufte, si në çmimet e ushqimit dhe energjisë, ashtu edhe në stabilitetin rajonal dhe global. Përfaqësuesi i lartë Borrell ka mirëpritur mbështetjen e plotë të partnerëve nga Ballkani Perëndimor në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutat lidhur me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Përfaqësuesi i lartë i ka njoftuar për përgjigjen e BE-së në mbështetje të Ukrainës, përfshirë edhe masat restriktive që kanë për qëllim kufizimin e aftësive të Kremlinit për të financuar luftën. Ai ka përsëritur rëndësinë e përshtatjes me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë, si element qendror në rrugëtimin evropian”, thuhet më tej në komunikatë, duke shtuar se “liderët kanë konfirmuar përkushtimin e tyre strategjik për integrim në BE dhe bashkëpunim rajonal”.