fbpx

Personazh

Në duart e Rudit, mamisë që pret jetë prej 26 vitesh





               Publikuar në : 10:33 - 27/10/19 |
Alessia Selimi

Korridoret e larta përshkohen nga të qara të zhurmshme, si dhe nga hapa të shpejtë. Një grua që rend gjithnjë është Rudina. Gjendemi në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Dhe, jo më kot. Karakteri misterioz i një udhëtimi është intrigues, sidomos i asaj çka ne quajmë jetë. Jemi ndalur për një hop në pikën e nisjes të këtij rrugëtimi. Aty ku udhëtarët s’janë veçse disa trupa të vegjël, të kërthinjtë, që sapo kanë ardhur në këtë botë.


Uniforma e pastër e Rudinës, ngjall jo më pak kureshtje. Prej 26 vitesh, Rudi ushtron profesionin human të mamisë. Ka pritur për të parën herë një fëmijë në moshën 22-vjeçare. Që nga ajo kohë, ajo thotë se kanë ndryshuar shumë gjëra, përfshirë këtu rritjen në detyrë si kryemami shërbimi. E megjithatë, përjashton pasionin ndaj profesionit, që duket se nuk është lëkundur aspak nga oraret e tejzgjatura apo paga e ulët.



“Isha shumë e re kur vendosa të bëhesha mami. Fillimisht kam qenë në dilema të madhe, pasi më tërhiqte shumë edhe përfytyrimi i të qenurit infermiere. Por, jam shumë e lumtur që kam arritur të bëj këtë zgjedhje. Të jem pjesë e ditës më të shenjuar të një femre, më përmbush”-shprehet Rudi për gazetën Mapo.


Me sy të qeshur, thotë më tej se ka pritur qindra bebe. “Përgjatë gjithë këtyre viteve, kam mbajtur në krah kaq shumë fëmijë; të shëndetshëm dhe të sëmurë, mbipeshë e nënpeshë, me ngjyrë të kuqe apo paksa rozë…Por, mos më kërkoni një numër, pasi më ka humbur rrugës”-shprehet Rudi, duke shtuar: Sikur të merrni parasysh se në një ditë kam pritur vetëm një fëmijë, kur në fakt kam pritur në të shumtën e rasteve 3-4, kaq mjafton për të kuptuar numrin e lartë të tyre.

Kur e pyesim për vështirësitë e profesionit, ndalet gjatë tek vlera e paçmueshme e jetës së nënës dhe foshnjes, si dhe tek krijimi i raporteve të shëndosha. “Një nënë krijon një lidhje të pashpjegueshme me ne. Ndonëse mund të jetë e rrethuar nga mjekë dhe persona të zemrës, në ato çaste, kur sapo ka sjellë në jetë foshnjen e saj, kërkon veçse zgjatime të gjymtyrëve të lodhur. Por, epërsi ka edhe një zë i ëmbël, që të ofron siguri”-thotë Rudi, duke ndarë me ne dhe raste specifike; të një gruaje në rrezik për jetën dhe të një vajze të sfiduar nga fati.

“Pak ditë më parë, një grua e cila s’kishte shumë që kishte sjellë në jetë vogëlushen e saj, ishte në rrezik për jetën. E afeksionuar së tepërmi pas të dyjave, më duhet ta pranoj se e përjetova me të vërtetë keq. Ishte e pamundur të mos mbytesha në lotët e mi. Fatmirësisht, ajo u tregua e fortë dhe gjithçka shkoi më së miri”-tregon fillimisht Rudi.

“Dhe jo më larg se dje, një vajzë e re në moshë lindi një djalë. E braktisur nga partneri dhe në kushte shumë të vështira financiare, donte ta braktiste. Të jesh mami do të thotë gjithashtu se ushtron paralelisht edhe profesionin e psikologes. E këshillova të fliste gjerë e gjatë me familjen sepse, pavarësisht gjithçkaje, fëmija është bekim. Pa e pritur aspak, sot u vura në dijeni se kishte vendosur ta mbante…”-vijon ajo me fytyrë të ndriçuar.

Sipa projeksioneve të reja të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria po përjeton ulje të popullsisë, deri në atë pikë sa në vitin 2100 do ketë vetëm 860 mijë banorë. Por, Rudi nuk bie aspak dakord. Ajo shprehet se puna e tyre gëzon më shumë se kurrë një ritëm të paimagjinueshëm dhe sipas saj, kaq mjafton për të dalë në konkluzionin se numri i lindjeve nuk ka pësuar rënie.

Rudi i mëshon idesë se profesioni i mamisë arrin t’i bëjë ballë frikës së kujtdo; harresës. Nuk ngurron të përmendë emrat e atyre grave që e kanë ndihmuar të sjellë në jetë dy fëmijë. Më tej, rendit një tjetër arsye që e bën ta dashurojë akoma edhe më shumë profesionin e saj. “Mamia e vajzës sime të parë, e ka emrin Vera. E vajzës së dytë, Mira. Prandaj jam e bindur në atë çka them, që mamia nuk e njeh betejën e vazhdueshme të të lënurit gjurmë në këtë jetë. Më ndodh kaq shpesh të rastisem me gra që i kam ndihmuar të lindin…Nuk i kursejnë asnjëherë falenderimet. Dhe është bukur, është vërtetë bukur! Profesionin tim nuk do ta ndërroja me asgjë, sepse brenda sallave të lindjes, ku buçet zëri i një jete të re, shtrëngoj duar juristesh, ekonomistesh…e shoh transformime magjike, që s’mund të shtyten veçse nga mëmësia”.

Rudit i duhet tanimë të presë një infermiere, e cila është pjesë e personelit të maternitetit. Do të bëhet nënë për të dytën herë; do të sjellë në jetë një vajzë. Kësisoj, është e detyruar të largohet prej nesh. “Gjithçka do të shkojë më së miri, gjithçka do të shkojë më së miri“- thotë nën zë ajo, teksa shtrëngojmë duart, si të jetë përpara një provimi, së cilës nuk ia di pyetjet. Fundja, i qendron besnike asaj çka na tha pak më parë. “Ndonëse e quaj veten një mami të mirë, ende jam në formim e sipër. Në mjekësi, sidomos në obstetrikë, 1 plus 1 bëjnë 3″– pohoi Rudi, duke lënë të kuptohet se mban erë njeriu…erë jete.

*Fotografitë janë realizuar nga fotografi Florion Goga

 

 

 

 

 


Etiketa: , ,

Pas