Krahas Shqipërisë që luan sot ndaj Turqisë, nesër mbrëma në fushë do të zbresë edhe Shqipëria U21 që luan ndaj Turqisë U21 për takimin që vlen për kualifikueset e Europianit të ardhshëm. Pas dy miqësoreve të kaluara me sukses pak kohë më parë ndaj Maltës, Shqipëria U21 luan testin e parë zyrtar të ‘epokës së re’ pa senatorët e sezonit të kaluar.
Keidi Bare, Taulant Seferi, Endri Çekiçi, Emanuele Ndoj e futbollistë të tjerë janë mungesat e mëdha të Shqipërisë U21 për këto kualifikuese megjithatë talentet nuk mungojnë as këtë radhë.
Në grupin kuqezi bëjnë pjesë futbollistë si Vrioni që ka debutuar edhe me ekipin e parë, por dhe Bullari apo Kolaj që aktivizohet me të rinjtë e Sasuolos por që këtë radhë mungon për shkak dëmtimi.
Në prag të takimit ndaj Turqisë U21, trajneri Alban Bushi ka projektuar edhe formacionin që do të hedhë në fushë ndaj turqve, ku nuk mungon kualiteti dhe cilësia. Me shumë gjasa, porta do t’i besohet Gentian Selmanit i cili është sot pjesë e Kombëtares A, por nesër i lejohet të luajë për Shpresat.
Sakaq, në katërshen e mbrojtjes do të jenë Maloku, Tafa, Krasniqi e Mersinaj. Mesfusha do të jetë e përbërë nga lojtarë si Mucolli, Selahi, Imeri, Kallaku e Mala që do të ndihmojnë Xhakomo Vrionin në majë të sulmit.