Baki Egra dhe Ervin Bregu janë denoncuar nga shtetasja M.A., e cila pretendon se të pandehurit i kanë kërkuar 1 milion e 100 mijë lekë në këmbim të një dëftese të shkollës së mesme. Dëftesa u premtua se do të merrej në gjimnazin e Yzberishtit, ku M.A. do të regjistrohej në vitin e pestë
Tiranë Një ish-inspektor në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, tashmë në pension, është dërguar si i pandehur në gjykatë, pasi mori para për nxjerrjen e një diplome në mënyrë të paligjshme. Bashkë me të prokuroria ka marrë të pandehur edhe ndërmjetësin, i cili akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Baki Egra dhe Ervin Bregu janë denoncuar nga shtetasja M.A., e cila pretendon se të pandehurit i kanë kërkuar 1 milion e 100 mijë lekë në këmbim të një dëftese të shkollës së mesme. Prokuroria thotë se të pandehurit kanë marrë 900 mijë lekë nga shuma e kërkuar, e cila është premtuar se do të paguhej ndaj drejtuesve të shkollës së mesme Yzberisht. “Nga hetimet provohet se në periudhën shkurt-tetor 2012 shtetasit Baki Egra dhe Ervin Bregu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërkuar shumën prej 110 mijë lekësh dhe kanë marrë vlerën e 90 mijë lekëve nga shtetasja M.A. me qëllim ndikimin te funksionarë shtetërorë të shkollës së mesme në Yzberisht, për të mundësuar pajisjen e saj me dëftesë të shkollës së mesme”- thuhet në dosjen e prokurorisë. Sipas hetimeve rezulton se procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetases M.A., e cila ka shpjeguar se i pandehuri Ervin Bregu ka qenë klient në lokalin ku ajo punonte. “Gjatë bisedave, ky i pandehur i ka thënë që mund ta pajiste me një diplomë të rregullt të shkollës së mesme, kundrejt shumës prej 110 mijë lekë të reja. Në bisedën e zhvilluar mes kallëzueses dhe të pandehurit, ky i fundit ka shpjeguar se ka njohje me një drejtor shkolle në një fshat të Tiranës, i cili prodhon diploma të rregullta të shkollës së mesme, kundrejt pagesës. Gjithashtu i pandehuri i ka thënë kallëzueses se do ta prezantonte me drejtorin e shkollës dhe ky i fundit do t’ia shpjegonte vetë veprimet e nevojshme”- thuhet në dosjen dorëzuar gjykatës. Për këtë arsye prokuroria ka urdhëruar përgjimin e bisedave që kallëzuesja ka bërë me të dyshuarit, nga ku rezultoi se i pandehuri Ervin Bregu ka prezantuar shtetasen M.A. me të pandehurin Baki Egra, i cili ka siguruar kallëzuesen se do të ndikonte te funksionarët e shkollës së mesme në Yzberisht me qëllim pajisjen me dëftesë shkollore. Sipas prokurorisë, në këmbim, i pandehuri Baki ka kërkuar shumën e 110 mijë lekëve dhe ka marrë 90 mijë lekë prej kallëzueses. Nga kjo shumë i pandehuri Ervin ka marrë 7 mijë lekë. “Shtetasi Baki Egra ka qenë nëndrejtor në shkollën e Yzberishtit si dhe inspektor pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë, funksion gjatë të cilit ka pasur nën kontroll edhe këtë shkollë të mesme. I pandehuri i ka kërkuar shtetases M.A. shumën prej 110 mijë lekësh për procedurën e prodhimit të diplomës. Ai ka shtuar se, nëse shtetasi Ervin Bregu do të përjashtohej nga ky proces, atëherë e interesuara duhej të paguante 20 mijë lekë më pak. Si pjesë e procedurës, i pandehuri do të mundësonte regjistrimin e M.A. në vitin e pesë të shkollës. Ky fakt do të pasqyrohej edhe në listën që do të afishohej pranë shkollës së Yzberishtit. Pas afishimit të listës, kallëzuesja do të pajisej me një vërtetim që konfirmonte regjistrimin e saj në shkollë”- citohet në përgjime. Më tej prokuroria thotë se referuar procesverbalit të përgjimit datë 20 mars 2012, rezulton se kallëzuesja kërkon të paguajë shumën e parave në dy pjesë. “Pasi diskutojnë, bien dakord që kallëzuesja të paguajë shumën e 60 mijë lekëve, ndërsa pjesën tjetër pas pajisjes me dokument shkollor. Rezulton gjithashtu se shtetasi Baki do t’i paguajë shtetasit Ervin Bregu shumën e 10 mijë lekëve për shkak të ndërmjetësimit”- thuhet në dosje. Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj dy të pandehurve, të cilët janë në pritje të nisjes së procesit gjyqësor në Gjykatën e Tiranës.
Të pandehur:
Baki Egra
Ervin Bregu
Akuzuar:
“Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”