Në këtë numër të gazetës Mapo, shkrimtari dhe perkthyesi Hysen Sinani, sjell kujtimet e seances së parë gjyqesore që pati me Lidhjen e Shkrimtareve, pas pushimit nga puna. Eshte fjala për një zhvillim të pazakonte, pasi askush nuk kishte guxuar deri në atë kohë, të conte në Gjykate atë institucion.
Hysen Sinani
Lajmi se kisha ngritur padi në Gjykatën e Tiranës kundër Lidhjes së Shkrimtarëve, kishte bërë më shumë përshtypje edhe se vetë largimi im nga puna. Kishte një kureshtje e tifozllëk kaq të madhe, sa ata që takoja te Klubi i Lidhjes ose në rrugë, për këtë gjë më pyesnin: “Kishe hedhur në gjyq Lidhjen e Shkrimtarëve?! Ishte e vërtetë? – Po, u përgjigjesha atyre që më pyesnin. Sabri Godo vetëm sa qeshi “hi, hi” dhe tundi kokën. Ndërsa Xhevat Lloshi, i cili kishte qenë për disa kohë kryeredaktori më i kulturuar i gazetës “Drita”, por aspak servil, më pyeti: “Po ti, mendon se do ta fitosh gjyqin me një anëtar të Komitetit Qendror?”
– Jo, i thashë, por unë e bëj këtë gjyq për të pasur një alibi të largimit tim nga Lidhja. Ti e di se si bëhen pre e Sigurimit të Shtetit ata që largohen nga institucionet…. Mua më duhet vetëm një dokument zyrtar që të tregojë arsyen e largimit tim. Këtë do të mundohem të marr. “Plotësisht dakord”, më tha Xhevati dhe mua m’u kujtua pikërisht po kjo gjë që më kujtohet tani: sa mirë kisha punuar me një kryeredaktor si ky, që ajo gazetë e shkrimtarëve provincialë nuk e meritonte…
Që të nesërmen e pushimit nga puna e në vijim, shkoja çdo ditë te Klubi i Lidhjes, pija ndonjë kafe aty dhe kaloja dy a tri orë në pritje që të merrja vesh diçka, ose ndoshta për asnjë arsye, vetëm për inerci të pranisë sime atje. Nuk ngjitesha lart, edhe dosjet i kisha lënë ashtu siç ishin mbi tryezë e nëpër sirtarë. Nuk më duhej kush merrej me to. Dhe vërtet, në krye të pesë a gjashtë ditëve, Hasan Petrela, kryetari i Degës së Kuadrit, vjen te tryeza ime dhe më jep një fletë pune, duke më thënë:
– Shkova dhe e mora vetë në Komitet Ekzekutiv. Më çoi “ky”, sigurisht, tha për Dritëroin. Dje ka ardhë Anastas Kondo këtu, dhe i ka folur për letrën që i kishe dërguar ti Ramiz Alisë…
Hasani qeshi dhe më zuri nga krahu.
– Dalim, – tha, – bëjmë një shëtitje.
Dhe Hasani më tregoi gjëra që as do t’i kisha menduar. Me sa duket, më tha ai, letrën “atje” duhej ta kishin marrë seriozisht, sepse kot nuk kishte ardhur sekretari i Ramiz Alisë në Lidhje. Ia kishte dhënë ta lexonte aty letrën tënde, sepse më vonë Dritëroi kishte thënë: “Po me Sadijen çfarë kishte që e përmendte…”
– Çfarë kishe shkruar?
– Thosha që “punonte te Ministria e Kulturës, por dy orë në ditë i kalonte në Bibliotekën e Lidhjes për të marrë informacionin e grave, sepse kryetari ynë atë të burrave e kishte stërsiguruar…” dhe llogje të tjera si këto.
Hasani qeshi.
– Është trembur, – tha, – por nuk e kuptoj përse nuk tërhiqet nga vendimi. Lëre pastaj, si është bërë për gjyqin. Sepse, mbasi iku Anastasi, unë i tregova për gjykatën. Por nuk ma zgjati, sepse e di që të tregoj ty.
Nuk e di pse e ka marrë shumë keq, mos ke bërë ndonjë gjë që unë nuk e di?
– Jo, – i thashë, – asgjë, por dy a tre nga ata që unë rrija përditë me gotën e rakisë përpara, mund t’i kenë treguar ndonjë “serial” pa fund për ato që them dhe që nuk them unë.
– E çfarë u thua ti?
– Ja, këto që them edhe me ty, bëj ndonjë humor, që ata nuk e di si ia përcjellin…
– Jo, por ato janë gjëra të bukura; ti nuk e ke sharë kurrë… Çfarë tosku është ky kështu!
– Ose kushedi çfarë ankesash mund të ketë pasur. Po të jenë serioze, do t’i thotë në gjyq.
– Si të duket fleta e punës për në Uzinën e Autotraktorave? – pyeti Hasani duke ndërruar bisedë.
– Shumë mirë, – i thashë, – do të shkoj menjëherë, që nesër në mëngjes, sepse kam edhe nja dy shokë fëmijërie atje.
– Të lumtë, je djalë trim! – tha Hasani dhe u ndamë duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit.
***
Gjyqi me Lidhjen e gjente me të vërtetë të papërgatitur institucionin e shkrimtarëve. Duhej një përfaqësues zyrtar atje që të zhvillohej seanca dëgjimore. Dhe ky përfaqësues mund të ishte kryetari i degës së kuadrit ose sekretari për letërsinë. Hasan Petrelën nuk e dërgonin të përfaqësonte Lidhjen në ballafaqimin me mua. I mbetej Llazar Siliqit të vinte, sepse ai qe sekretar për letërsinë në atë kohë. Por ballafaqimi me Llazarin, për gjykatësin Urim Bejleri qe një dështim i padiskutueshëm për Lidhjen. Në vend që të vinte në dukje ndonjë të metën time në punë, Llazari foli për aq shumë talent si gazetar, si përkthyes, si romancier, sa as unë nuk ia dija vetës dhe me siguri duhet të kem ulur kokën nga turpi.
Ndërsa pyetjes së gjykatësit se si i kisha unë marrëdhëniet me pijen, ai iu përgjigj se më zinte shpejt, ndaj bëja kujdes gjithmonë të mos e teproja; të tjerët pinin shumë më tepër në Lidhjen e Shkrimtarëve…
Gjykatësi i tha se kaq i mjaftonte dhe ne u ngritëm. Vështrova pa dashur sekretaren e re që i buzëqeshte shefit të saj në mënyrë shumë të çuditshme. Llazarit i shkëlqenin sytë e zinj si të një triumfatori. Dhe i tillë ishte në të vërtetë, duke e ditur se po vinte të përfaqësonte institucionin e tij në ballafaqimin me të pushuarin nga ky institucion.
Më në fund, siç më tregonte Hasani, mbasi qe munduar më kot me sekretarët e tjerë, të muzikës dhe të arteve figurative, të cilët nuk kishin pranuar të vinin në ballafaqim sepse ishin të sektorëve që nuk kishin lidhje me mua, erdhi vetë Dritëro Agolli, i shoqëruar nga Dalan Shapllo, i cili ishte kryeredaktor i revistës “Nëntori” dhe sekretar i organizatës bazë të Lidhjes.
Çfarë nuk do të bënte ai anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që unë të mos e fitoja atë gjyq e të mos i kthehesha përsëri Lidhje. Por unë, sikur të ma shtronin me flori nga hyrja deri në zyrë, nuk kthehesha më aty, sepse nuk e doja më atë vend punë. Mirëpo ai nuk e dinte këtë gjë.
Një ditë, kur po dilja nga zyra e juristes Loreta, e pashë Dritëroin të hynte në zyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit bashkë me Niko Nikollën, i cili ishte kryeredaktor i revistës Hosteni. Në atë kohë, kjo revistë satirike ishte gati si “Fiks Fare” sot. Madje, atje punonte si gazetari më i talentuar edhe Filip Çakulli, krijuesi i “Fiksit”. Zyrtarët i trembeshin Niko Nikollës në atë kohë, ashtu siç i tremben Filipit sot. Pra, kishte shkuar të merrte edhe një siguri tjetër në gjykatë, përveç asaj që kishte vetë si titullar i rëndësishëm. Mua më erdhi keq për të.