Aktualitet

Në internim me fëmijën në arkivol








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:06 - 28/10/20 |
mapo.al
Ishte viti 1947. Komunistët e nxorën nga shtëpia me dhunë familjen e Zoi Xoxes, ditën që u kishte vdekur djali 16-vjeçar. Një histori që tregon, si asnjë tjetër, mizorinë e regjimit të ri që po vendosej në vend

 


Nga Blerina Gjoka/Kujto.al


Drita e mëngjesit nuk kishte trokitur ende kur Muzaka, 16-vjeçar, mbylli sytë përgjithmonë. Kishte muaj që lëngonte me sëmundjen e rëndë te meningjitit. Pranë kishte mamanë Eleni që i përkedhelte faqet në heshtje dhe babain, Zoin, të zemëruar me veten e gjithë botën që nuk mundi të gjente ilaçet për shpëtimin e të birit. Agu erdhi me lotët e mbramë të prindërve që askush nuk i uron në këtë jetë. Dhimbja u ishte kalçifikuar prej muajsh që shihnin të birin të shuhej dhe frikën që rritej si një re e zezë rrotull tyre për fatin që do të kishin. Komunistët kishin dy vite që kishin ardhur në pushtet dhe kishin nisur raprezalet ndaj “armiqve”, iu kishin konfiskuar shtëpitë, i kishin arrestuar dhe pushkatuar. Zoi, një intelektual, patriot e themelues i gazetarisë shqiptare, e dinte që do i vinte radha, por sot, këtë 18 qershor të tmerrshëm, ai ishte i boshatisur nga mendimet. Dhimbja e humbjes së Muzakës ia kishte mpirë trurin dhe trupin; jepte vetëm përgjigje të gatshme për miqtë e të afërmit duke hapur dyert e mortit. Por, ajo ditë e gjatë qershori kishte rezervuar për të dhe Elenin një dhimbje të një lloji tjetër, të skajshme, nga ato që as Dante nuk i kishte imagjinuar kur vijëzoi rrathët e ferrit.



Muzaka dhe Kostaqi me mamanë, Elenin

Trokitja e qoftëlargut


Muzaka me bukurinë e tij qiellore veshur me kostumin e zi të blerë nga e ëma, ishte në heshtjen e përjetshme. Gratë qanin fatin e tij të mjerë. Në dhomën tjetër burrat sillnin karrige nga shtëpitë e tjera në lagje dhe piqnin kafe e në tymin e duhanit mundoheshin të gjenin fjalët e duhura për babain e dërrmuar në qoshe.  Ata nuk kishin lot, por zymtësia ua kishte mbuluar tiparet duke i shndërruar në hije. Karroca e funeralit solli arkivolin rrethuar me lule. Shokët e gjimnazit e ngritën Zakën dhe e vendosën në shtratin e zi. U nisën telegramet për varrimin, u lajmërua vëllai i tij, Kostaqi, që gjendej në aksion në ndërtimin e hekurudhës në Durrës. Varrimi do të bëhej në orën 11.00 të asaj dite që kishte gdhirë më herët se ditët e tjera në atë shtëpi të bukur të stilit italian të kohës, në zonën e ish-bllokut. Por, qoftëlargu kishte plane të tjera për atë ditë. Pasi ishte hartuar lista e re e armiqve në vilën përballë ku banonte diktatori i ditëve të para, Enver Hoxha, urdhri ishte dhënë që Zoi


Muzaka dhe Kostaqi duke luajtur para shtëpisë së tyre

Xoxe të zbohej nga shtëpia e vet për t’ia dhënë atë shefit të Sigurimit të gardës që po vinte nga fshati Brataj i Vlorës.  Zoin e thirrën në derë.  E priste Kryetari i Këshillit të lagjes, Mit’hat Beshiri, një burrë shtatvogël pa asnjë shprehi në fytyrë. Mit’hati rrethohej nga 25 burra të armatosur.  Ai i jep një copë letër ku thuhej se duhej të largohej menjëherë nga shtëpia. Shtati i lartë i Zoit kërruset nën peshën e këtij urdhri dhe mezi belbëzon; “A e dini që më ka vdekur djali sot? Më lini të varros djalin dhe do të ikim”. Përgjigjja e zyrtarit komunist nuk kishte asgjë njerëzore për të nxjerrë nga goja e një njeriu: “Vendimi është marrë, lironi shtëpinë tani! Djali i vdekur do të dëbohet bashkë me ju! Ai e ka emrin atje ku do të internoheni, është në listë sipas certifikatës. Varrose atje ku do të shkosh!”  Skuadra e ushtarëve që i merrte urdhrat prej qoftëlargut u fut në shtëpinë e zisë duke u shpërndarë në çdo kënd të saj. Zoi i mjerë u fut në dhomën e grave, ku kufoma e të birit priste nderimet e fundit në këtë jetë. I afrohet së shoqes së shurdhuar nga dhimbja e nënës dhe i flet në vesh. Kuja e saj çau muret, po jo zemrat e komunistëve që prisnin në derë. Nëna provoi me lutjet e saj. Por më kot. Fati i saj ishte paracaktuar nga shtëpia matanë rrugës në bllok.

Internimi i kufomës

Dy prindërit  në zi dhe fëmija i vdekur udhëtuan për orë të gjata deri në Shtyllas të Fierit. Kur arritën atje ishte errësirë. Askush nuk e dinte që kishin me vete një kufomë dhe nuk e lejuan ta varroste. Në atë barakë ku i kishte caktuar partia internimin ata qëndruan gjithë natën me të birin e vdekur për të gjetur të nesërmen një copë tokë në varrezat e Fierit, ku ia dorëzuan djalin së panjohurës pa arritur dot të vendosin as një pllakë me emrin e tij mbi dhe. Zoi u mbyll ne vetvete dhe nuk i foli askujt për shumë kohë. Gruas ia ndaloi t’i fliste për djalin e vdekur. “Zoi nuk e përmendi kurrë sa qe gjallë, por Eleni e kujtonte herë pas herë atë ditë të tmerrshme të tyren, kur morën të birin e vdekur në arkivol dhe nisën rrugëtimin nga Tirana në Fier”– tregon për kujto.al, Merita Xoxa, bashkëshortja e Kostaqit, vëllait të vetëm të Muzakës. “Nuk morën asgjë nga shtëpia, vetëm rrobat e trupit dhe të birin në arkivol dhe u nisën drejt destinit të tyre. Në Durrës iu lutën shoferit të ndalonte që  djali i madh t’i jepte vëllait lamtumirën e fundit. Por te hekurudha i thanë se ai kishte

Merita dhe Kostaq Xoxa

shkuar me brigadën e tij më larg. Kostaqit i kishte vajtur telegrami në mëngjes, por komandanti nuk i kishte dhënë lejë. ‘Nesër është festë për popujt e Jugosllavisë dhe do ta presim me realizimin e detyrave, është punë më me rëndësi se varrimi i vëllait tënd’– i kishte thënë ai. Kostaqi i shkretë kishte ulur kokën dhe ishte nisur në punë me shokët që e ngushëllonin rrugës për vëllanë e humbur”.  Kur ishte kthyer nga puna atë mbrëmje shokët e tjerë i kishin treguar se një kamion u ndalua te hekurudha dhe panë nënën e tij veshur me të zeza dhe një arkivol.  Merita, e cila ka dy muaj që e ka humbur bashkëshortin e saj të dashur,  tregon se si vdekja e Muzakës ishte bërë për të pengu i tij më i madh. “Pasi u fejuam me Kostaqin shkuam në Fier, e kërkuam varrin e vëllait, por nuk e gjetëm sepse varrezat ishin prishur dhe ishin bërë ndërtime. Humbi i shkreti Zaka, që i mohuan një varrim të denjë”. Ajo tregon se para se të vdiste, Kostaqit i ishte rikthyer pengu për të vëllanë. “‘Ka ardhur Muzaka, do të shkojmë ta marrim në Fier’ – na tha një ditë, 10 ditë para se të largohej nga kjo jetë”,- thotë mes lotësh Merita, e cila e ka përjetuar dramën e madhe të familjes së të shoqit si të ishte edhe drama e saj. Ajo flet me adhurim për prindërit e burrit të saj, Zoin, një njeri patriot e intelektual i pashoq që e kishte jetuar në varfëri të tejskajshme jetën pas vdekjes së të birit dhe Elenin, një grua e bukur e fisnike që vuajtja e kishte vënë përfund./Kujto.al

Kostaq dhe Muzaka Xoxa

*Bazuar mbi rrëfimet e Merita Xoxës dhe romanin historik “Internimi i kufomës” me autor Marçel Hila.


Etiketa: , , ,

Pas