Eli Kanina
Rreth librit “ha lutu dashuro”nga Elizabeth Gilbert
Më kujtohet se sapo ishim kthyer nga emigrimi dhjetëvjeçar i Greqisë, dhe Panairi i Librit atë vit mu duk një llastim i pasionit tim për librat. Si ajo mësallka e gjyshes e cila e mbledhur shuk në prehër, me të gjitha të vjelat e frutave përqark shtëpisë dhe kopshtit me perime, më ftonte veç të zgjasja dorën e të zgjidhja. Uleshim në oborr, unë si kulpër pranë gjyshes, duke përtypur të dyja, përrallosnim kaq ëmbëlsisht njëra tjetrën, sa shija e frutave veç e lezetonte kuvnimin tonë. Për gjithçka na lidhte e zgjidhte së bashku në ato që shkëmbenim, gjyshja e sillte nga përvoja e vet urtësisht, ndërsa unë nxitohesha të përbetohesha se diku e kisha lexuar duke e ngritur zërin.
-Mos brit, kuv’no (kuvendo- shenim i autores) avash, se nuk të ndjekin qentë- lutej gjyshja- pse ngutesh?
–Se më ikën treni – i spërdridhesha unë dhe e gushja duke i mbajtur erë rrobave të saj gjithë borzilok e trëndelinë.
– Mos ju daj librave, po vini veshin ene terbjetit kur i rrëfen- vazhdonte ajo duke mbledhur e pastruar lëvozhga, gjethe, fara e bërthama apo bishta e mbetje të tjera, nga vakti ynë në natyrë.
Kështu, me këtë oreks për të lexuar, i hyra atë vit stendave të Panairit të Librit. Bashkë me fëmijët iu lëshuam stendave dhe secili për hesap të vet, zgjidh e mblidh a thua do t’i dërgonim ndihma për diku. Zgjat dorën e merr, pa asnjë orientim për autorë e tituj, por veç me intuitën e shijes time, dhe kënaqësinë e titujve që i gjeja në shqip, pasi i kisha parë në greqisht. Në Athinë kisha blerë ndonjë libër a gazetë, sa për të mbajtur leximin shqip, por bollëku që gjeta në Panair, më joshi sa kur arrita tek libri i tridhjetë, im shoq tha se duhet të porosis taksi se nuk nxinte më makina.Të joshur nga titulli, dhe si hamës të mirë që jemi të dy, e morëm edhe “Ha, lutu, dashuro”, që po e rrotulloja ndërdyshas në dorë.
Kur fillova ta lexoj librin e mirkuptova titullin që s’kish lidhje me receta gatimesh. Kur nisa ta lexoj u gjenda edhe më brenda tij për shkak të pasionit tim për udhëtimet, sidomos në fëmijëri. Në këtë libër gruaja që udhëton për Itali, Indi e Indonezi, në kërkim të gjithçkaje, nuk kishte lidhje me motivin e udhëtimeve të mia në fëmijëri vetëm brenda Shqipërisë. Unë doja që të zgjeroja kufijtë e mi të dijes duke parë qytete të ndryshme, herë me udhëtime familjare e herë me eskursione shkolle, duke shitur mend se sa qytete kisha parë para shoqeve.
Mbaj mend kur prindërit e mi do të udhëtonin për në Pogradec një të djele, në një eskursion me autobuz për familjet e ushtarakëve, unë lutesha të mē merrnin edhe mua. Sado u përgjërova, ata ishin të prerë se nuk lejoheshin fëmijët. Pastaj përse me ta duhet të isha unë, kur edhe motrat e vëllai e dëshironin shumë Drilonin? Sepse unë isha në rrethin letrar të shkollës dhe më duhej të shihja Lasgush Poradecin. A thua unë do shkoja ta intervistoja?!
Në të gdhirë , unë u vesha dhe prisja në korridor duke krehur e shkulur flokët e gjatë e të ngatërruar, në pritje të një “po”-je të fundit. Sigurisht që kur më panë zgjuar e si kukudh në koridor, mami e babi më morën duke u betuar se qe hera e fundit që ma pranonin rrengun. Në Drilon shkuam e u kthyem brenda ditës, dhe mua më zuri e më bëri lakër, edhe në vajtje edhe në ardhje, sa nuk e shijova fare udhëtimin. Por pas asaj dite, në ëndrrat e frymëzimet e mia u shtuan mjellmat fisnike dhe liqeni, ndërsa në bisedat me shoqet kur përmendej qyteti i Pogradecit, unë e numëroja ndër më të dashurit. Ndoshta për shkak të Lasgushit, që me “vallen e yjeve” ma kishte vallëzuar shpirtin e mendjen.
Për t’iu kthyer librit “ha, lutu, dashuro”, Liz është një shkrimtare e sapodivorcuar në kërkim të vetes dhe të vërtetës së saj. Hetimi i sinqertë shpirtëror është orvajtje e disiplinës së metodikës. Kërkimi i së Vërtetës nuk është një tekë që mund ta plotësojë kushdo. Liz zgjedh të na rrëfehet sipas një rregulli të ndërtuar si një JAPA MALA ( vargje rruazash në Indi që kanë domethënie gjatë lutjeve, si tespihet në Europë ). Në kërkim të baraspeshave të saj, shkrimtarja sygjestionohet nga Trinia e Shenjtë, për të patur një libër të ndarë në 3 pjesë sipas vendeve ( Itali, Indi, Indonezi). Edhe 108 rrëfenja aq sa rruazat e tespiheve, janë të ndara me nga tridhjetë e gjashtë çdo pjesë, numër që përkon me përvjetorin e shkrimtares, kur shkroi librin.
Nëse do të flisja me gjuhën e personazhit kryesor të librit, shkrimtares Liz, se përse i duhej ky divorc, kur kishte gjithçka i duhej një gruaje në moshën e saj, shtëpinë, bashkëshortin, paratë, reputacionin e komoditetin, do t’i referohesha s’i përgjigje, shpjegimit të Riçardit nga Teksasi kur pinte e dehej: ” Doja të dija se si mund të dukej bota ndryshe.”
Nëse do t’i referohesha realitetit shqiptar ku “është virtyt të durosh fatin, cilidoqoftë ai” shkrimtarja Liz do të paragjykohej si një grua e çmendur që i bie të mirave me shqelm. Ne jemi akoma një shoqëri ku kënaqësia është tek sigurimi i një jete me të mirat materiale, dhe na duket absurde Liz në kërkim të kënaqësisë, përkushtimit ndaj vetes dhe të ekuilibrave të saj mendorë e emocionalë.
Tek njerëzit normalë, mendja sulmohet vazhdimisht nga stuhi elektrike dhe vrunduj impulsesh që në skanimin e trurit, rregjistrohen si shkëndija të kuqe. Sa më pasionante apo e zemëruar mendja aq më të kuqe shkëndijat. Por gjatë meditimit, në takimin përfundimtar me Zotin, është një dritë e kaltër që lëvrin në qendër të kafkës, e quajtur ndryshe në traditën e jogës “perla blu”. Është pikërisht kjo dritë që qetëson çdo dhimbje e çdo mendje, piksynimi i udhëtimit të Liz në Indi. Ndërsa ne materialistët vazhdojmë të mendojmë ende me xixa të kuqe, për jetën tonë, ç’ironi!
E lodhur nga streset, shkrimtaria Liz vendos të lerë gjithçka, për tu marrë me veten. Depresioni në të djathtë, Vetmia në të majtë, e tmerruar nga ngrënia e mishit (sikur haja frikën e kafshës në çastin e therjes), në përpjekje të ekuilibrit të sakrave, me ngjyra veshjesh , me çajra bimorë e ushtrime, ajo ndien fundosjen e shpirtit në terr, përditë e më tepër. Sipas Paulo Coelho, në kriza depresioni bien pikërisht ata njerëz të suksesshëm, që kanë arritur majat dhe nuk dinë të sillen pasi kanë jetuar gjithçka. Kjo shpjegon edhe sjelljet e Liz dhe ndërmarrjet e eksperiencat e saj gjatë udhëtimeve.
Mendjehapur në shpjegimet e saj, shkrimtaria Liz, me një jetë ku mund të sinkronizohen të kundërtat, në dukje të papajtueshme me njëra tjetrën, mbi një botë që nuk përjashton asgjë, ajo na jep një përgjigje kuptimplotë: “Doja kënaqësitë e botës dhe shkrirjen me hyjnoren- lavditë e dyfishta të jetës njerëzore, doja ti provoja të dyja! Ndoshta Zoti donte që unë të përballesha me atë sfidë të veçantë për ndonjë arsye që ai e di, lutem veç për kurajën t’ia dal, pavarsisht sesi.”
E hapur ndaj mistikës transcendente të të gjitha feve, Liz na rrëfen dashuritë dhe eksperiencat, nëpërmjet të cilave i rritet besimi se Zoti nuk është diku atje lart në një fron por brenda nesh. Kjo e ka lodhur për tu mirkuptuar nga të tjerët por nuk e ka thyer për të vazhduar. Përsosja e vetes të afron me Zotin. Ndërsa Perëndia është një përvojë e dashurisë sipërane.
Sipas Dantes Zoti nuk është vizion verbues i dritës së lavdishme, ai është “l’amor che move il sole e l’altre stelle”, dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë.
Pas shëndetit trupor nëpërmjet ushqimit të bollshëm e të shijshëm deri në velitje në Romë të Italisë, shkrimtarja Liz shkon në Mumbai të Indisë për të ndjekur përkushtimin apo shëndoshjen e mendjes dhe shpirtit nëpërmjet lutjes dhe besimit.
Sipas Platonit, asnjë qytet nuk mund të jetojë në paqe, çfarëdo ligjesh të ketë, kur njerëzit nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëfrehen, hanë e pinë duke lodhur veten me ledhat e dashurisë. Kjo do të thotë se nuk janë qytetet shkak i streseve tona, kështu që paqen duhet ta kërkojmë brenda vetes, në baraspeshën që Liz përpiqet të gjejë në Bali të Indonezisë.
Shkrimtaria Liz na mëson se nëse dëshiron diçka me shpirt, universi do ndryshojë, molekulat e fatit do të organizohen vetvetiu derisa dëshira të plotësohet. Sipas Shën Augustinit, detyra jonë në këtë jetë, mbi të gjitha të tjerat, është që syri i zemrës të shohë Perëndinë. Pasi shkrimtarja Liz provoi përvojën e faljes absolute dhe pranoi vetveten, ajo dëgjoi zemrën që i tha mendjes: “të dua shumë, kurrë nuk do të të braktis, do të kujdesem gjithnjë për ty.” E shndërruar në një grua krejt tjetër, e çliruar nga farsa e pretendimit për të qenë ndryshe dhe jo vetja, shkrimtarja Liz e lumtur, në paqe dhe gjithë shëndet, është gati të jetojë dashurinë e saj si një përrallë vezulluese. Por diferenca me përrallën, është se shpëtimi i Liz nuk erdhi nga ndonjë princ i kaltër por ishte vetë Liz që realizoi shpëtimin e saj. Ndaj “Ha, lutu, dashuro” mbetet një udhëzues eksperience për çdo grua në kërkim të vetes, përveçse një libër i mrekullueshëm.