Mapo Letrare

“Në kopshtin që po vyshket kafshoj një mollë”





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:16 - 02/02/20 |
Nga Ylli Demneri

Kur bie nata, shkoj në dhomën time e nis e sjell ndërmend ato që kam parë gjatë ditës. Haikut që kam kompozuar gjatë rrugës. Duke shmangur metaforat, figurat letrare, përgjithësimet dhe çdo moralizim. Duke ruajtur të veçantën e një gjesti a veprimi.


Atë çast puro, të freskët. Larg çdo frymëzimi. “Frymëzimi është sëpari vetë mungesa e frymëzimit.”  shkruante Blanchot në lidhje me Hölderlin-in dhe Mallarmé-në. Duke e zhveshur gjuhën nga ideologjia. « Sepse gjuha nuk arrin të mos jetë ideologji.



Haiku është arti që e “skremon” realitetin nga drithërimat ideologjike », shkruan Roland Barthes. Nxjerr bllokun e shënimeve dhe stilolapsin (një lloj pene japoneze), dhe i vendos nën abazhur, pranë fjalorit shqip-shqip. Shtrihem me sytë e mbyllur.


Për të qenë i tëri me veten. Duke risjellë ndërmendje për të disatën herë atë të veçantë që si një goditje triangoleje në një orkestër simfonike që më thotë : ah, më pe/më dëgjove”. Haiku është arti i një Takimi të rastësishëm. Dhe nis e kërkoj fjalën e saktë (e modeste). Si ai fotografi i dikurshëm që enën me solucion priste të shfaqej imazhi.

përziej qepën

dhe historitë që s’u thanë

krejt i vetëm

 

***

agu më gjen

me abazhurin ndezur

duke lexuar haiku

 

***

marr me mend veten

kur shoh plakun e brishtë

dhe më mbushen sytë

 

***

si spermatozoidë

ngjiten bulëzat e shiut

mbi xhamin e makinës

 

***

herë rrotullohet

herë vrapon buzë detit

bubi i vogël

 

***

shi pranvere —

nën bistakë jargavanësh

strehohem një çast

 

***

muzg vjeshte —

në kopshtin që po vyshket

kafshoj një mollë

 

***

me barkun te goja

ngurron të zgjedhë

mbulesën për foshnjën

 

***

vapë gushti –

edhe betoniera

bën gjumin e drekës

 

***

si çupëz

e strukur në qoshe

plaka shijon misrin

 

***

zheg korriku —

zhurima e gjinkallave

t’i ketë rrëzuar fiqtë?

 

***

rrugicë e ngushtë

aromë teshash të lara

nderur në tel

 

***

fishkëllen era

vetëm kapëset në tel

nuk fluturojnë

 

***

si fjongo e zezë

mbathjet mes këmbëve

para se të bien

 

***

shtrirë mbi barkë

shkas rrjedhës së lumit

me ty në mendje

 

***

muzeu « Muma » –

ajo shikon tabllonë

unë vithet e saj

 

***

marr shtegun tjetër

për të parë trëndafilat

muzg maji me shi

 

***

fotografoj hënën

një zog përshkon kuadrin

mbrëmje pranvere

 

 

***

nga qershia

më vështron një pëllumb

në sqep dy petale

 

***

rrebesh i fortë

thaj çorapen e lagur

buzë mangallit

 

***

hëna si sofër

mes dy pallateve

muzg vjeshte

 

***

rrugë e shkretë

si buzëqeshje miku

tabela « Kafe »

 

***

mëngjes në Rradhimë

nga WC-ja dëgjoj

tingullin e këmborëve

 

***

sikur të heshtte ciceroni

që të dëgjohej, ah,

zhurma e ujit nën varkë

 

***

lakuriq

kërkon breçkat

poshtë shtratit

 

 

***

dita e parë e vitit –

kujtohem që kam lindur

shekullin e kaluar

 

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas