Në Kosovë u lejua, por të infektuarve me koronavirus në Shqipëri u mohohet e drejta e votës. Me bazën ligjore aktuale të zgjedhjeve, të prekurit me koronavirus në vendin tonë, që duhet të qendrojnë të izoluar në banesë, nuk mund të votojnë.
Për t’i hapur rrugën votimit të të infektuarve me koronavirus, duhen ndërmarrë ndryshime ligjore në Kuvend. Ndërsa, në zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë, votuan ata që ishin në shtëpi të izoluar, gjithashtu edhe pacientëve që qëndronin në spital u çuan kutitë e votimit, që të gjithë të kishin mundësi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, në një bashkëbisedim me gazetarët ka deklaruar sot, se nuk ka një metodë që mund t’u ofrohet qytetarëve të prekur me koronavirus, që të votojnë në zgjedhje nga ambientet ku do të jenë të izoluar.
Celibashi u shpreh se me bazën ligjore që kemi sot, mundësi ka vetëm për ata që janë në burgje dhe spitale për të votuar.
Sipas tij, vetëm nëse partitë dhe parlamenti bien dakord për të bërë ndryshime ligjore, atëherë dhe kjo kategori personash do të ketë mundësi të votojnë.
I pyetur për votën e emigrantëve, Celibashi tha se koha është në limite, por duhet një konsensus mes të gjitha palëve politike.
“E vërteta është që nuk kam qenë optimist për këtë projekt, votën e emigrantëve, por besimplotë se që të realizohet duhet konsensus mes të gjitha palëve. Nuk kam qenë pasi koha që KQZ ka pasur në dispozicion për të përgatitur të gjithë aktet ka qenë jo ajo që do të duhet të ishte”, u shpreh Celibashi.