Nga Ndriçim Kulla
“Dy fronte armiqësore po e copëtojnë sot zemrën e kombit tonë. Është mirë t’i tregojmë brezit të ri se ku gjenden skatoret dhe llogoret e kësaj lufte”. Kështu shkruan Krist Maloki në esenë e famshme polemike “Oriental apo oksidental”. Një këndvështrim i tillë e lidh menjëherë temën e betejës mendore midis orientalizimit dhe oksidentalizimit me një tjetër temë mjaft të debatuar në këto vite, asaj që lidhej me përplasjen e botëkuptimeve të majta e të djathta, ose më mirë përhapjes së ideve bolshevike e marksiste që filluan të lulëzonin sidomos pas krizës së bukës dhe vështirësive ekonomike të vitit 1936.
Mjaft intelektualë të Shkollës së Veriut, si Zef Valentini, Anton Harapi, Gjon Kamsi apo dhe ndonjë tjetër, nëpër monografi të gjata në faqet e gazetave, u munduan të shpjegonin rreziqet dhe dobësitë demokratike, sociale dhe ekonomike që paraqiste sistemi bolshevik rus, si kryeqendra e tij.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e rrymës së mendimit të majtë, këtë betejë e drejtuan edhe rreth klerit dhe besimit, duke debatuar shpesh me autoritetet e tij e duke arritur deri aty sa të shpallnin edhe një mistikë të re për shqiptarët. Ja se çfarë shkruan njëri nga përfaqësuesit më të spikatur të kësaj ideje, në artikullin me të njëjtin titull: Bota e vërtetë, bota që ka një qytetërim mendor të shëndoshë dhe të natyrshëm, ka vetëm një mistikë: Atë të arsyetimit objektiv, të llogarisë së qëruar, të përfundimeve të logjikshme dhe natyrale. Vetëm kjo i jep nder dhe dinjitet njeriut dhe përbërjes së tij. Të gjitha dogmatizmat e së shkuarës, të gjitha mitologjitë që nga njeriu primitiv që përfytyronte perëndinë si një Viç e gjer te njeriu modern, që e kupton si spiritë të kulluar, nuk janë, veçse opium i popujve.
Më poshtë, në një polemikë të famshme me Anton Harapin ai do të propozonte edhe diçka tjetër: Fakti që sot më 1934, ngrihet një prift i ditur, siç është sigurisht P.A.Harapi dhe thotë: “Na nuk dënojmë kurgja pozitive, mjaft të jetë e vërtetë. Për parim e për detyrë jemi me “të gjithë” e “për të gjitha” përparimet ditunore e shoqnore”, provon se shkenca e ka apruar plotësisht faqen e këtij dheu dhe se teologjia duhet të zhytet në metafizikë, për të mbrojtur të fundit gjëra që i mbetën: qenien e të mbinatyrshmit dhe ndonjë dogmë tjetër. Ndërkohë, që nga pikëpamja ideologjike kulmet e kësaj beteje u arritën nga Branko Merxhani me artikullin e vet të famshëm të kohës “Pse nuk jam marksist” dhe Vangjel Kocës me artikullin “Ideja kombëtare”.
Mendimtari i neoshqiptarizmës, i pozitivizmit, i demokracisë së disiplinuar apo pse jo, edhe i diktaturës së ndritur, nuk kishte si të ishte përkrahës i parimeve doktrinare të shkollës marksiste, por ai shkoi akoma dhe më tej në përgjigjen e tij. “Hem si njeri-mendimtar, bile shumë më tepër si njeri shqiptar, unë jo vetëm që nuk jam marksist, por jam antikomunist”, do të shpallte bujshëm Merxhani. Sipas tij, midis botëkuptimit europian dhe botëkuptimit marksist ka një ndryshim në themel. Të dyja botëkuptimet nuk ndahen vetëm në punët e përshkrimit të historisë ose komentimit të përfundimeve të qytetërimeve të ndryshme, por sidomos në parimet që shërbejnë si bazë studimi rreth problemeve të jetës dhe fatit të botës. E në këtë pikë Merxhani është i frymëzuar të priret drejt idealeve të Europës, metodave të saj të punës dhe prodhimit, të cilat në vetvete frymëzohen nga parimet e lirisë, të personalitetit të qenieve të ndryshme njerëzore dhe përmbi çdo gjë, nga “parimi i ndarjes së punës shoqërore”. Marksistët pandehin se e kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brenda shtetit ose pretendojnë se e kanë zbuluar çelësin e çuditshëm të parajsës të ardhshme, por këto trumbetime e paralajmërime janë veç vjellja e injorancës së tyre, përfundon ai.
Edhe autori tjetër i kësaj shkolle, Vangjel Koça, bashkohet me idenë se komunizmi nuk luftohet me mohime të thata. Botën e drejtojnë idetë, këmbëngulte ai, janë ato që i mishërojnë dhe i përhapin. Duke paralajmëruar rrezikun e majtë që kërcënonte Shqipërinë në atë periudhë, ai shprehej kështu: “Komunizmi është një ide. Një ide antikombëtare, shkatërronjëse. Por është ide. Dhe siç dihet, ideja nuk zhduket në gërbaç, po me një kundëride më të mirë. Këtë na mëson historia e njerëzimit dhe e evolucionit të regjimeve shoqërore. Hamleti, që vërtitet me pallë shngjeshur kundër hijes dhe shpresave që ta shpëtojnë përfytyron njeriun që i vërtitet me armë një ideje dhe shpreson që ta shpojë. Por gjer më sot nuk është gjendur ndonjë çelik kaq i forte sa për të bërë një pallë kaq të mire , që mund të arrij të vrasë një ide. Provë: Paganizmi, të cilën nuk e vrau palla, por fuqia dhe madhështia morale e kristianizmës së kohërave të para. Pra, për të mundur idenë komuniste na duhet medoemos një kundëride më e mirë. Për ne kundërideja më e mirë është vetëm Ideja Kombëtare”.
Por për fat të keq, rreziku komunist që trokiti në portën shqiptare në kohën e Vangjo Nirvanës, Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Tajar Zavalanit, Branko Merxhanit dhe shumë idealistëve të tjerë, të cilët i krijuan Shqipërisë në vizionet e tyre një rilindje të dytë kombëtare, hyri brenda në atdheun tonë dhe u ul këmbëkryq për 50 vjet me radhë. Por kemi dhe afro 28 vjet që menduam se e nxorëm përjashta. Por ai na ishte fshehur nëpër rrëzat e ndërgjegjes sonë. Iluzioni na tradhtoi. Ku më shumë e ku më pak ai është te secili nga ne. Si duhet të ndahemi prej tij? Duhet të zgjedhim në mes të retorikës dhe historisë, domethënë ndërmjet fjalëve dhe veprave. Të pajtohemi me vetveten, të hedhim maskat e retorikës politike poshtë dhe të hyjmë në udhën e një ideali të vërtetë.
Por për të krijuar këtë ideal duhet t’i rikthehemi më seriozisht edhe të shkuarës kombëtare dhe t’ia përshtatim atë kohës sonë. Kemi një të sotme të vështirë që duhet ta kapërcejmë për hir të së nesërmes. Por për të arritur këtë duhet të frymëzohemi nga e djeshmja dhe të rrahurat e zemrës së saj. E shkuara është jona. Është vërtet vepra jonë. Atë duhet ta njohim mire pastaj të mund ta shfrytëzojmë Kritiku i madh francez, Sainte Beuve thoshte: “Kur mendojmë sinqerisht të shkuarën, kur e kuptojmë mirë atë, do të thotë se kemi vështruar saktë të ardhmen”. Është ky një shembull tjetër i aktualitetit të mendimit të viteve ‘30, i mënyrës se si ata propozuan për ta goditur dhe çrrënjosur atë.