Kryesore

Në kursin e konfrontimit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:40 - 11/05/19 |
mapo.al

Kriza politike vetëm sa ka shtuar tensionet në vend. Në pritje të protestës së radhës, janë shtuar paralajmërimet se vendi mund të shkojë drejt përplasjes nëse mbahen zgjedhje pa opozitën. Po çfarë rrezikojmë dhe cilët janë skenarët e mundshëm? Flasin Mimoza Koçiu, Lutfi Dervishi dhe Bledian Koka





Nga Leonard Quku


Shqipëria po kalon një nga krizat politike më të ethshme e më të gjata, e cila e krahasuar për nga kohëzgjatja, po tejkalon edhe periudhën e “Çadrës” në 2017-ën. Tre protesta kombëtare radhazi 16 shkurti, 16 marsi, 13 prilli dhe sot e katërta, 11 maj, para Kryeministrisë (pa llogaritur tetë tubimet te Parlamenti dhe dy herë mosbindje civile përmes bllokimit të rrugëve), ia kanë dalë të tërheqin vëmendjen dhe t’u tregojnë ndoshta edhe më optimistëve se punët në Shqipëri nuk po shkojnë mirë.




Njësoj si dy vite më parë, konflikti politik po transformohet edhe në tension civil duke rritur kështu rrezikun për një konfrontim edhe më të gjerë se mes atyre “lart”, nëse nuk ka reflektim nga ana e shumicës apo edhe një dakodësi të gjithëpranuar për të rikthyer normalitetin. Situata është e tillë:


Opozita kërkon dorëheqjen e Ramës, formimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme për të rikthyer legjitimin e votës në vend, ndërsa ka fshirë në çdo rast mundësinë për të hyrë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit; Ndërsa mazhoranca këmbëngul se qeveria dhe parlamenti janë legjitim deri në fund të mandatit dhe se zgjedhjet lokale pas 7 javësh nuk do t’i ndalë asgjë…


***

Pikënisje për këtë situatë ngërçi u bë publikimi nga Zëri i Amerikës i dosjeve hetimore 339 dhe 184, të cilat flasin për manipulimin e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Durrësit dhe ato të pjesshme në Dibër, përmes shitblerjes së votës. Zyrtarë të lartë të mazhorancës, drejtues policie dhe segmente të krimit të organizuar janë kapur në përgjime duke blerë votat. Në këto kushte, opozita kërkon transparencë e përgjegjësi ligjore. Por kur policia dhe drejtësia janë në dorën e njërës palë, hetimet janë në vendnumëro, besueshmëria e institucioneve ka rënë, opozita e pa rrugëzgjidhjen te lënia e mandateve dhe nisja e protestave kombëtare. 5 muaj lëvizje politike, e cila duhet thënë se e ka tunduar nga themelet mazhorancën duke vënë në rrezik edhe jetëgjatësinë e saj tashmë.

Katër protestat kombëtare, bashkë me këtë të sotmen në orën 18:30 para Kryeministrisë, sigurisht që kanë tërhequr edhe vëmendjen e kancelarive perëndimore, por më shumë se institucionet vendimmarrëse në Uashington dhe Bruksel, më të interesuara për çfarë po ndodh në Shqipëri kanë qenë mediat. New York Times, Washington Post, Associated Press, CNN, Euronews, CNN i kanë dedikuar një hapësirë të konsiderueshme stinës së protestave në Tiranë, duke e pagëzuar lëvizjen popullore edhe si “pranverë shqiptare”. Por teksa mediat kanë bërë të tyren, një fenomen po bie në sy, indiferenca e SHBA dhe BE për t’u bërë pjesë e brendshme e kësaj krize. Pse hezitojnë sot ndërkombëtarët që të ndërhyjnë direkt në uljen në tryezë apo edhe për pajtimin e palëve, ndryshe nga sa ndodhi gjatë historisë së “Çadrës” jo më larg se dy vite më parë?

Arsyet janë nga më të ndryshmet. SHBA gjithnjë ka patur dhe vijon të ketë një parim të sajin se nuk është “policia e botës” e nga kjo edhe në raste luftërash, ndërhyrja amerikane ka qenë zgjedhja e fundit. Ndërsa Bashkimi Europian, nisur nga precedent i 2017-ës kur paketa McAllister nuk gjeti përqafim nga Basha dhe Rama, deri në ndërhyrjen e “Buldozerit” nga Uashingtoni, Brian Hoyt Yee, duket më i demotivuar për të ndërhyrë si dhe jo pak i rezervuar, duke u mjaftuar me thirrjet për protesta paqësore. Me heshtjen e tyre ndërkombëtarët po japin mesazhin e qartë dhe kuptimplotë se ata s’mund të jenë “kujdestarët” e një politike, e cila vazhdimisht dëshmon sjellje papjekurie dhe shkëputje nga objektivat për të cilat është votëbesuar për t’i dhënë fund të tranzicionit të stërzgjatur.

Të vetmet reagime të një natyre ndryshe dhe që duket se vënë në lëvizje edhe mazhorancën, janë ato që vijnë nga Gjermania. Berlini zyrtar ka deklaruar më shumë se njëherë se Shqipëria dhe drejtësia në vend, duhet të ndëshkojnë manipulatorët e zgjedhjeve të kaluara, duke vënë para përgjegjësisë ligjore ata që cenuan procesin elektoral, çka prodhoi një raport të deformuar në Kuvend dhe një mazhorancë jo të votave, por të parave nga “bota e zezë” e krimit të organizuar.

Vlen të theksohet gjithashtu se zgjidhja që ofruan ndërkombëtarët 17 majin e 2 viteve më parë, nuk e shëndoshi demokracinë, madje përkundrazi duket se delegjitimoi edhe mundësinë për një “Big deal” pajtimi mazhorancë-opozitë. Sot opozita ka vendosur kushte aq të forta sa as edhe një “gentlemen agreement” do të shihej me dyshim, pasi kryefjalë është dhe mbetet në çdo rast largimi i Edi Ramës si kryeministër. Nëse do të kishim një “Big deal” apo një “gentlemen agreement”, kjo do të ishte e moralshme vetëm nëse Edi Rama vërtet largohet dhe vendi u drejtohet zgjedhjeve të parakohshme përmes një qeverie tranzitore, si mundësia e vetme për t’i dëshmuar opozitës të kundërtën e pretendimeve të saj për deformimin e zgjedhjeve të kaluara.

Çdo qëndrim tjetër nga ana e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama thellon anormalitetin, rrit tensionin politik dhe shton gjasat për një konfrontim civil, sidomos nëse në 30 qershor shumica parlamentare me kryeneçësi i drejtohet kutive të votimit me zgjedhësit dhe kandidatët e saj… Paralajmërimet me Kodin Penal dhe kërcënimet me burg nuk pinë ujë më, këtë e dinë edhe vetë socialistët… madje edhe vetë Rama.

Por ai është i vetmi politikan në skenën politike shqiptare që çdo “lëshim” e sheh si humbje, në një kohë kur në 2007-ën shtyu zgjedhjet vendore, asokohe kryebashkiak i Tiranës, vetëm e vetëm për një element sigurie në certifikata. Një zgjidhje e mençur dhe e mirëmenduar do ishte në interes të vendit, por edhe të vetë PS-së, së cilës tashmë më shumë se kurrë i duhet një “katarsis”. Rrugëzgjidhje ka, dhe për të arritur tek ajo asnjëherë nuk është vonë, pasi për Shqipërinë e së nesërmes vlen çdo sakrificë.

 

“Mund të kemi thellim të krizës politike, por jo konfrontim civil”

Flet gazetari dhe analisti, Lutfi Dervishi

Ndërkohë që koha po kalon dhe dita e zgjedhjeve po afrohet, zgjidhja e krizës nuk duket e afërt. Ekziston mendimi se vendi mund të shkojë në një konfrontim civil? Ju si e vlerësoni situatën dhe a rrezikojmë vërtet një përplasje?

Kemi përpara tri zgjedhje: a) zgjedhje të mira (ku merr pjesë opozita), b) zgjedhje të këqija (opozita mungon), c) zgjedhje e shëmtuar ku nuk ka zgjedhje. Kur përplasen dy vezë, njëra do të thyhet dhe tjetra në mos u theftë do të ndotet… Mund të kemi thellim të krizës politike, por jo konfrontim civil sepse konflikti është nga lart-poshtë dhe jo anasjelltas. Është në dorë të drejtuesve të opozitës nëse do të preferojnë opsionin e konfrontimit të dhunshëm apo të protestës masive!

Ajo që bën përshtypje në këtë krizë është mungesa e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Si e shihni ju këtë qasje të të huajve ndaj krizës politike në vend? Vërtet duan ata që ta lënë zgjidhjen në duart e shqiptarëve?

Opozita bëri një veprim ekstrem 3 muaj më parë për të lënë vetëm kryeministrin para opinionit vendas dhe të huaj. Në fakt më shumë se për keqqeverisjen dhe korrupsionin sot (nga ana e ndërkombëtarëve) flitet më shumë për veprimin ekstrem të “djegies së mandatave”! Ndërkombëtarët nuk duan të krijojnë një precedent me Shqipërinë që mund të përdoret lehtësisht nga brigjet e Adriatikut deri në vendet në kufi me Kinën. Ne kemi edhe huqin që i keqpërdorim sa mundim “ndërkombëtarët”. Deklaratat që japin, ndryshe i lexon shumica e ndryshe pakica, një Twitter i tyre kthehet bëhet viral në median serioze dhe shumë serioze.

Cila mund të jetë formula tek e cila palët mund të shkojnë drejt një zgjidhje? A ka shanse që kjo zgjidhje të vijë duke i bërë të dyja palët të ndihen të fituara ose të paktën jo plotësisht të humbura nga beteja?

E para vullneti/dëshira për ta patur zgjidhje. Pa vullnet për të patur një zgjidhje, asnjë formulë nuk funksionon. Është bërë “refren” këto ditë që duhet ndërruar “sistemi”. Pa bërë një analizë se çfarë shkoi mirë dhe çfarë shkoi keq me sistemin, rrezikojmë që krizën e ardhshme ta takojmë më shpejt dhe fajin ta gjejmë te sistemi i ri.

Zgjidhja e qëndrueshme kërkohet jo duke kënaqur njërin apo të dy, por kërkohet në një kuadër të gjerë duke parë përtej llogarive elektorale të 2019/2020/2021? Zgjidhja mund të kërkohet duke qëndruar te principet dhe parimet bazë. Për shembull: check and balance  (kontroll dhe balancim pushtetesh). Cili pushtet e kontrollon/balancon pushtetin e qeverisë?! Parlamenti? Gjyqësori? Media e pavarur? Shoqëria civile? Feja? Formula për zgjidhje ka plot, disa prej tyre janë artikuluar në media- është çështje duam zgjidhje para sherrit apo pas sherrit.

 

“Konfrontimi civil, më i mundshëm kur gara është reale”

Flet gazetari dhe moderatori, Bledian Koka

Ndërkohë që koha po kalon dhe dita e zgjedhjeve po afrohet, zgjidhja e krizës nuk duket e afërt. Ekziston mendimi se vendi mund të shkojë në një konfrontim civil? Ju si e vlerësoni situatën dhe a rrezikojmë vërtet një përplasje?

Realisht unë mendoj që edhe nëse mazhoranca çmendet dhe shkon deri në zgjedhje pa opozitën, nuk do të ketë konflikt civil deri në atë masë që ai të mund të konsiderohet si i tillë. Rreziku i një konflikti civil në qendrat e votimit është më i madh kur gara është reale sesa kur ajo është fiktive, për shkak të ndjeshmërive që ajo krijon. Kjo është sa i takon rastit hipotetik se mazhoranca do të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Por unë besoj fort se nuk do të ketë zgjedhje në 30 Qershor, dhe aq më pak pa opozitën. E para duhet të biem dakord për kushtet e përgjigjes sime. Unë besoj se kriza politike në vend është reale dhe nuk është artificiale. Në një vend pa Gjykatë Kushtetuese, ku Vettingu është kthyer në një mashë që po largon nga sistemi prokurorë e gjyqtarë të cilët nuk rreshtohen me vendimet e tyre në krah të mazhorancës, në një vend ku ndryshe sa parashikon Kushtetuta Prokurori i Përgjithshëm (edhe pse i përkohshëm këto 2 vite) zgjidhet me shumicë të thjeshtë, qëndrimi i opozitës në kuvend ishte thjesht e vetëm fasadë. Mënyra se si mazhoranca aktuale jo vetëm qeveris, por edhe sundon nuk i la rrugë tjetër opozitës përveçse të dilte në rrugë. Të flasësh në këto kushte për zgjedhje normale me atë që qartazi është një opozitë fasadë dhe e blerë me para (vetë disa nga kandidatët që kanë refuzuar mandatin ka denoncuar publikisht se u janë ofruar para për të ndryshuar mendje) të paktën nga ato që nuk i thënë këmbës-dorë, është jashtë çdo logjike morale dhe politike. Fakt është se opozita ka vendosur kërkesa maksimale kur thotë se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Dikush në fund do të duhet të sakrifikojë nga qëndrimi i vet, por nëse zgjidhja është sipas modelit 17 Majit 2017, vetëm ashtu ata që kundërshtojnë qëndrimin politik të opozitës mund të kenë të drejtë kur thonë se kriza ishte artificiale dhe aspak parimore.

Ajo që bën përshtypje në këtë krizë është mungesa e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Si e shihni ju këtë qasje të të huajve ndaj krizës politike në vend? Vërtet duan ata që ta lënë zgjidhjen në duart e shqiptarëve?

Filmi ku marrëveshjet zgjidhen në minutën e fundit dhe kriza politike përfundon “bussiness as usual” është frika më e madhe e vëzhguesve të situatës aktuale politike. Prezenca e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës nuk është aspak një histori suksesi në Shqipëri, kur problemet kanë bërë një hop “cilësor” nga viti në vit. Sot Edi Rama bërtet me të drejtë kur thotë se ai firmosi nën presionin e Brian Hoyt Yee në 2017 dhe Lulzim Basha në të drejtën e tij thotë se e pranoi marrëveshjen po prej të njëjtit presion. Pra, rasti më i fundit tregoi se prania e ndërkombëtarëve apo ndërhyrja e tyre në zgjidhjen e krizës, nuk e zgjidhi problemin. E kundërta ka treguar se kur palët janë ulur dhe e kanë zgjidhur krizën pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve kanë arritur të prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe pse jo të gjithëpranuara. Fakt është marrëveshja e vitit 2002 mes Sali Berishës dhe Fatos Nanos, ku opozitës asokohe shumë herë më të pakët në numër se e sotmja iu dha e drejta e zgjedhjes së Presidentit, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sot jemi pak a shumë në të njëjtat kushte ku një forcë politike ka futur në dorë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë e sidomos ato që burojnë nga Reforma në Drejtësi. Këtu duket se është edhe ngërçi më i madh mes palëve, por që asnjëra prej tyre nuk e pranon de facto. Deri në një njoftim të dytë, kriza politike në Shqipëri nuk është krizë e ndërkombëtarëve, por e vetë faktorit politik shqiptar dhe më e arsyeshme do të ishte që të shkohej drejt zgjidhjeve mes palëve dhe pa ndërmjetësim. Por nga informacionet që kam, komunikimi politik mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës ka mbaruar dhe me shumë gjasë, pas ndërhyrjes amerikane dy vjet më parë tashmë janë gjermanët ata që shumë shpejt mund të futen në lojë për zgjidhje.

Cila mund të jetë formula tek e cila palët mund të shkojnë drejt një zgjidhjeje? A ka shanse që kjo zgjidhje të vijë duke i bërë të dy palët të ndihen të fituara ose të paktën jo plotësisht të humbura nga beteja?

E thashë edhe më lart, kërkesat e opozitës janë maksimaliste (kërkohet largimi i Edi Ramës si kryeministër), por jo të pabazuara. Përgjimet e dosjeve 339 në trekëndëshin Durrës-Lezhë-Shkodër dhe 184 në Dibër për ata që i kanë lexuar qartë tregojnë se strukturat më të larta të Partisë Socialiste si kryebashkiaku Vangjush Dako apo ish-ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri dalin në përgjime me segmente kriminale dhe policore në biseda që tregojnë qartë se zgjedhjet janë blerë dhe votuesit që nuk janë përkulur ose janë intimiduar ose nuk janë lejuar as të shkojnë në qendrat e votimit. Në një përgjim të dosjes 184 që e kam lexuar vetë, strukturat e policisë së Dibrës janë në kontakt direkt me strukturat e PS-së në bazë dhe në një moment pagesa ndaj një familjeje që pranon se do të votojë për PS-në bëhet vetëm pasi ajo pranon të betohet me dorën mbi Kuran se do të votojë për kandidatin e PS, Muharrem Rama. Në të njëjtat përgjime krerët e lartë të policisë së Dibrës menjëherë pas mbylljes së votimit marrin garancitë se fitorja e Muharrem Ramës është sigurt “Jemi mbi 3 vota shef”. E në fakt diferenca në fund të numrit rezulton me 4150 vota për kandidatin e PS-së Muharrem Rama që garonte përballë demokratit Sherefedin Shehu. Në logjikën të ftohtë politike është e qartë se kjo skemë e blerjes së votës nuk mund të bëhet pa bekimin e kryetarit të partisë që në këtë rast është edhe Kryeministër i Shqipërisë. Tani imagjinoni pak. Kjo dosje që po përmend këtu është edhe në dorën e PD-së tashmë është përgatitur nga një prokuror i cili tashmë është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë vetëm me argumentin se “nuk justifikonte pasurinë”. Ndërsa për të njëjtën artificë si KPK dhe KPA mbyllin sytë dhe e lanë sërish në sistem Donika Prelën, e cila kur ishte në krye të Prokurorisë së Durrësit si asnjëherë në 107 vite shtet shqiptar, posta e Prokurorisë u vodh në mes të ditës ndërsa persona të panjohur hynë deri edhe brenda prokurorisë ku asgjësuan një dosje sensitive. Pak muaj pas kësaj ngjarjeje skandaloze Donika Prela jo vetë nuk mbajti përgjegjësi, por u transferua me ngritje dhe tashmë drejton Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Zgjidhja në këtë pikë duket e vështirë, por gjithsesi një e tillë duhet. Edi Rama më shumë se për zgjedhjet lokale, ka marrë masat për të identifikuar kandidatët potencialë për zgjedhje të parakohshme. Se si do të arrihet kjo, për momentin duket e paqartë.

 

“Ndërkombëtarët po bëjnë një gabim të madh duke mos imponuar zgjidhje”

Flet gazetarja dhe analistja, Mimoza Koçiu

Ndërkohë që koha po kalon dhe dita e zgjedhjeve po afrohet, zgjidhja e krizës nuk duket e afërt. Ekziston mendimi se vendi mund të shkojë në një konfrontim civil? Ju si e vlerësoni situatën dhe a rrezikojmë vërtet një përplasje?

Është një panoramë që nuk do doja në asnjë rast ta shihja! Nuk e shoh dot si mënyrën për t’u marrë vesh në vitin 2019. Janë të njëjtët aktorë politikë që e kanë gjetur gjuhën shpesh në këto 30 vjet demokraci, edhe për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të përsëritur. Pra, mund ta gjejnë edhe këtë herë! Nga ana tjetër, nuk përjashtoj që kokëfortësia e kryeministrit, e mbështetur nga fuqia e numrave e pushtetit, të nxisë aktorët opozitarë të mbështesin konfrontimin civil. Por në këtë rast, pyetja është: kush e mban përgjegjësinë që në vitin 2019, dialogu politik, një praktikë e përdorur shpesh në 30 vjet nga çdo kryeministër me opozitën, zëvendësohet me konfrontimin civil?

Ajo që bën përshtypje në këtë krizë është mungesa e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Si e shihni ju këtë qasje të të huajve ndaj krizës politike në vend? Vërtet duan ata që ta lënë zgjidhjen në duart e shqiptarëve?

Padyshim që bie në sy se për herë të parë në 30 vjet, faktori ndërkombëtar e ka zgjedhje mosndërhyrjen. Përtej mungesës së kuptueshme të vëmendjes për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Europian, mendoj se ky është një ndëshkim për Lulzim Bashën, i cili me naivitet politik, i hodhi poshtë si pa të keq përpjekjet e BE e SHBA në 2017 për një marrëveshje mes palëve. Shpenzuan kohë me vajtje-ardhje e telefonata me Tiranën, shpenzuan jo pak energji duke draftuar idetë që dëgjonin nga Basha e Rama, e në fund kreu i PD, i refuzoi, e arriti marrëveshje vetë me kryeministrin, duke ua bërë surprizë edhe ndërkombëtarëve njëlloj si shqiptarëve. Pra, mendoj se ajo mungesë konsiderate po i kthehet mbrapsht, si një precedent se palët mund të merren vesh. Por përtej “ndëshkimit” që deri diku është i kuptueshëm ndaj Bashës, mendoj se ndërkombëtarët po bëjnë një gabim të madh duke mos imponuar zgjidhje, teksa njëlloj si ne të tjerët shohin një kryeministër të plotfuqishëm që vazhdon të grumbullojë pushtete e bën si të dojë, pa mundësi frenimi nga asnjë institucion vendas, edhe ata që me ligj a Kushtetutë nuk varen prej tij. E ky model veç tipare demokracie nuk ka.

Cila mund të jetë formula tek e cila palët mund të shkojnë drejt një zgjidhjeje? A ka shanse që kjo zgjidhje të vijë duke i bërë të dyja palët të ndihen të fituara ose të paktën jo plotësisht të humbura nga beteja?

Fjala kyçe për të dy palët është “besimi”. Nuk i besojnë njëri-tjetrit, së pari sepse e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Kanë shumë vite që “bëjnë ligjin” në këtë vend, me radhë, në pushtet e opozitë. Së dyti, me një nivel kaq të theksuar mosbesimi, është anormal pretendimi që palët të hyjnë në zgjedhje. Me informacionin që ka rrjedhur nga dosjet 339 e 184, të pretendosh se nuk do zbatohet e njëjta skemë si në 2017 në 30 qershor, do thotë më së paku se je naiv, e më së shumti se je i blerë nga të njëjtat burime si votat. Natyrisht që ka një mënyrë win-win për palët, që do thjesht vullnet politik. Së pari, zgjedhjet vendore duhet të shtyhen; së dyti, Basha duhet të heqë dorë nga kërkesa ekstreme për largimin e kryeministrit; së treti, palët duhet të ulen e të adresojnë problematikat zgjedhore; së katërti, nëse nuk ka një konfirmim apo rrëzim të akuzave për blerje të zgjedhjeve në 2017, duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme, sepse një parlament me mandate të blera, është deformim skandaloz i vullnetit qytetar, për pasojë jolegjitim.

1


Etiketa: , , , , , ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas