Aktualitet

Në origjinën e Pandemisë, ringritja e vështirë e Kinës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:54 - 02/04/20 |
mapo.al

Pas 10 javësh të mbyllur në banesat e tyre, pa mundur të blejnë asgjë vec ushqimeve, apo të shëtisin qentë e tyre, banorët e Wuhan po shfaqen gradualisht në dritën e ditës. Stacionet e metrove po rihapen përsëri. qendrat tregtare po ashtu, madje edhe dyqani Tesla-s është rihapur. Kompanitë shtetërore dhe bizneset prodhuese po ndezin dritat, në pritje për t’u ndjekur edhe nga të tjetërt.


“Unë kam qenë e mbyllur në shtëpi për 70 ditë. Sot është hera e parë që dola jashtë” thotë një grua që po futet në një qendër tregtare. “Ndjehem sikur kam qenë e ndarë nga bota e jashtme për shekuj.”


Aeroporti i Wuhanit do të rihapet javën e ardhshme. Banorët do të largohen për herë të parë nga qyteti që prej 23 janarit, kur u bllokua për të vënë nën kontroll koronavirusin vdekjeprurës që e pati origjinën atje. Drejtuesit e Kinës thanë se vendi e ka fituar kryesisht betejën kundër virusit, duke raportuar se rastet e reja me infeksion në ditë janë të papërfillshme.


Rihapja graduale e provincës Hubei – dhe tani e Wuhanit, kryeqyteti krahinor – është dëshmi për këtë. Por fitorja përfundimtare e luftës nuk pritet të jetë aq e lehtë. Kjo përfshin jo vetëm parandalimin e një valë të dytë të infeksioneve me koronavirus, por edhe rifillimin e veprimtarisë ekonomike. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se zyrtarët nuk mund t’i arrijnë të dyja gjërat menjëherë.


“Këto padyshim janë në konflikt, sepse për të parandaluar përhapjen e virusit, si nga jashtë ashtu edhe nga rastet e brendshme, Kina duhet të mbajë masat e distancimit social”, thotë studiuesi Neil Thomas, nga qendra “Macro Polo”, e fokusuar tek zhvillimet kineze. “Masat e zvogëlojnë kërkesën konsumatore dhe kufizojnë funksionimin e fabrikave, industrisë, transportit dhe shërbimeve.”

Autoritetet kineze po zbulojnë se lejimi i njerëzve – madje edhe i atyre pa ethe, të cilët mbajnë maska ​​kirurgjikale dhe zhysin duart në doreza – që të afrohen shumë pranë njëri-tjetrit rrezikon një rritje të re të infeksioneve. Raportet e fundit të mediave janë përqendruar në “transportuesit e heshtur” dhe studimet tregojnë se një e treta e personave të prekur me koronavirus kanë simptoma të vonuara ose nuk kanë fare. “Mundësia e një raundi të ri të infeksionesh mbetet relativisht e lartë,” tha të dielën zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetit, Mi Feng.

Lideri kinez Xi Jinping është shprehur i shqetësuar për ndikimin ekonomik të një bllokimi mbarëkombëtare. Në fundjavë Xi vizitoi portin dhe fabrikat e mëdha në Zhejiang, një qendër eksportesh dhe provincë ku dikur ai ka qeverisur, dhe premtoi se qeveria do të ndihmojë bizneset “të ringrihen sa më shpejt.”

Shumica e ekonomistëve parashikojnë një rënie të thellë të rritjes së Kinës në tremujorin e parë, tkurrja e parë që nga 1976. Përpjekjet kineze për të ringritur ekonominë nuk po shkojnë mirë. Përkundër rihapjes graduale të Wuhanit, gjërat janë akoma larg të qenit normale në qytetin me 11 milion banorë ku zyrtarisht thuhet se vdiqën 2535 njerëz dhe ku rreth 2500 të tjerë ende janë të shtruar në spitale.

Njerëzit lejohen të dalin nga komplekset e tyre të banimit vetëm nëse kanë një lejekalim nga punëdhënësi i tyre, dhe vetëm nëse kodi shëndetësor i vendosur nga qeveria në celularin e tyre është jeshil – jo portokalli apo të kuqe – që tregon se janë të shëndetshëm.

Në qendrat tregtare që u hapën këtë javë, njerëzit qëndrojnë pesë metra larg shkallëve lëvizëse, dhe rrobat të cilat klientët provojnë spërkaten me dezinfektues.

Pasagjerët në metro duhet të kenë vënë maska ​​dhe të ulen dy vende larg; pamjet në mediat shtetërore tregojnë ende rrugë të shkretuara. Ryan Hass, një ekspert kinez në Institucionin Brookings thotë se “Është sfidë sepse 60 përqind e ekonomisë kineze është sektori i shërbimeve.”

Ndërsa Wuhan përpiqet të kthehet në normalitet, autoritetet kanë rikthyer kufizimet diku tjetër.

Autoritetet kineze nuk kanë shprehur arsyet për këto mbyllje, por analistë të tillë si Thomas thonë se kjo tregon frikën e infeksioneve të reja dhe ndikimin afatgjatë që mund të ketë në ekonomi.

Kjo kthesë U është shoqëruar me ndryshime të tjera të papritura, përfshirë ndalimin e të huajve që hyjnë në Kinë dhe kufizimin e fluturimeve brenda vendit. Numri i fluturimeve që kryhen vend është më pak se 2 përqind e normales.

“Është një përzgjedhje e vështirë: mes rrezikut të shëndetit publik dhe rrezikut të ekonomisë”, thotë Ryan Manuel, një konsulent i specializuar për zhvillimet në Kinë.

Por është një përzgjedhje që vendet e tjera, përfshirë Italinë, Spanjën dhe SHBA-në, do të duhet ta bëjnë. “Të gjithë do të duhet të hartojnë një strategji daljeje,” thotë Alicia Garcia Herrero, kreekonomistja e Natixis për Azi-Paqësorin, një bankë franceze investimesh. Sipas saj udhëheqësit kinezë nuk duhet të shqetësohen për kthimin e ekonomisë në normalitet. Në kushtet e përhapjes së pandemisë kërkesa e brendshme është e ulët, dhe kërkesa e jashtme edhe më e ulët. “Në një vend pa kërkesë, nxitimi për të prodhuar do të krijojë kapacitete të tepërta dhe do të shkaktojë rënie të çmimeve “, thotë Herrero. “Kështu, edhe pse udhëheqësit kinezë mund të thonë se po lëvizin ngadalë për arsye shëndetësore, në të vërtetë kjo ndodh sepse nuk mund t’i shesin prodhimet e tyre.” /Washington Post

/Përgatiti:Mapo.al/


Etiketa: ,

Pas