Bota po rrezikon përhapjen e një urie biblike, të shkaktuar nga koronavirusi, ka paralajmëruar, Porgrami Botëror i Ushqimit.
Kreu i kësaj organizate, David Beasley, tha se akte urgjente duhen për të shmangur katastrofën. Një raport zyrtar, vlerëson se numri i njerëzve që vuajnë nga uria, nga 135 milionë, pritet të shkojë në 250 milionë në gjithë globin, bën të ditur BBC.
10 janë vendet më të rrezikuara, që aktualisht ndodhen edhe në konflikte apo kriza ekonomike. Jemeni, Kongo, Afganistani, Venezuela, Etiopia, Sudani Jugor, Sudani, Siria, Nigeria dhe Haiti.
Edhe para pandemisë, pjesë të Afrikës Lindore dhe Azisë Jugore, po vuanin mungesat e ushqimit, për shkak të thatësirave të gjata. Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, Beasley tha se bota duhet të reagojë me mençuri dhe shpejt.
Mund të përballemi me një uri biblike në pak muaj, ka theksuar ai. E vërteta është, ka shtuar Beasley, se nuk kemi kohë. Ai ka kërkuar bashkimin e ekipeve dhe programeve për të mos lejuar që pandemia Covid 19, të kthehet në një katastrofë humanitare.