Teksa kërkoi mandatin e tretë me 800 mijë vota, kryeministri Edi Rama tha se në vitin 2021, paga minimale do të jetë 300 mijë lekë. Në fjalën e tij në ditën e dytë të Kongresit të PS, Rama bëri të qartë se tërmeti i 26 nëntorit i dha forcën për ta çuar vendin drejt zhvillimit të ri ekonomik-social. Premtimi i Ramës për rritjen e pagës minimale vjen në prag të përfundimit të mandatit të qeverisë dhe të tij si kryeministër, pasi në pranverë të 2021, nëse nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme muajt që kanë mbetur, janë zgjedhjet parlamentare.
“Nëse tërmeti do kishte rënë në 2013, do kishim hyrë në gropë bashkë me ata që fatkeqësisht humbën jetën, si shtet dhe ekonomi. Sot jemi në gjendje ta përballojmë jo vetëm pasojën, por të flasim për një kapërcim të ri ekonomik që do të jetë fizionomia e mandatit tonë të tretë.
Detyra jonë është që 2020 ta kthejmë në një moment historik force të shembullit qeverisës duke e provuar për njerëzit se aty ku të tjerët panë fundin tonë për shkak të tërmetit, aty është burimi i forcës tonë për të shkuar përtej tërmetit dhe për ta çuar vendin drejt zhvillimit të ri ekonomik-social.
Nga 1 janari i vitit 2021, paga minimale do jetë 300 mijë lekë. Është vetëm hapi i parë. Nuk do të ketë më njerëz në Shqipëri që paguhen më pak se 300 mijë lekë. Krahas atyre që kemi arritur, kemi operacione jo të vogla për të arritur“, tha kryeministri.