Ndërsa në Shqipëri bletët po zhduken dhe askush nuk po e merr seriozisht çështjen e pesticideve në bujqësi, një rast në Austri po thyen rrjetet sociale.
Pronari i një plantacioni me fruta është dënuar me burg pasi ka shpërndarë në mënyrë ilegale insekticide që kanë sjellë vdekjen e mijëra bletëve.
47-vjeçari ka spërkatur pemët me një insekticid të fuqishëm në kohën kur lulëzimi po tërhiqte bletët.
Një gjykatë në Klagenfurt tha se ky ka qenë një veprim i qëllimshëm për të dëmtuar mjedisin.
Sipas gjykatësit, fermeri i dinte pasojat e këtij veprimi, ndaj u dënua me një vit burg dhe një gjobë prej 20 mijë eurosh.
Gjykata tha se vendimi synon që të frikësojë të gjithë ata që me përdorimin e pesticideve nuk gjejnë një balancë mes mjedisit dhe nevojës për fitime.
Rritja e përdorimit të pesticideve ka sjellë uljen e ndjeshme të bletëve. Në prill, BE vendosi të nxjerrë jashtë ligjit disa pesticide që po vrasin bletët.