Mapo Letrare

Në pritje të trenit të fundit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:35 - 22/06/19 |
Enver Kushi

Enver Kushi






(Nga cikli i rrëfimeve të mbrëmjes)


Ata m’u lutën që të rrija atë natë në shtëpinë e tyre, se pas vdekjes aksidentale të vëllait të vogël, kishin nevojë që ta ndanin dhimbjen me të tjerë e se të nesërmen herët do të më çonte me makinë në Tiranë, njeri prej djemve të familjes. Ngula këmbë aq shumë për të ikur, saqë më në fund djali, që do të më çonte të nesërmen herët për në Tiranë, më solli në stacionin e vogël hekurudhor, që ishte atje ku niste fusha e paanë e ku ndihej deti, që ishte larg në horizont. Djali më la fare pranë stacionit të vogël hekurudhor e pastaj iku, duke më uruar udhë të mbarë. Mbeta vetëm atje, ku çdo gjë dukej e braktisur. Dhoma e vogël, ku dikur uleshin njerëz për të pritur trenat. Orari i mbërritjes dhe nisjes së trenave, shkruar në një llamarinë të ndryshkur. Deriçka e vogël e biletarisë. Ca stola hekuri, gjithashtu të ndryshkur. Lokali i dikurshëm, ku ishte shkruar fjala “Bufe” e që tashmë nuk përdorej në asnjë lokal. Një parrullë e shkruar me gërma kapitale në faqen përballë të murit: “NDAL! TRENI RREZIKON JETËN!”  e sipër saj “BAKRI ÇANË BLLOKADËN”.







Dola jashtë. Tutje po perëndonte dielli, ndërsa horizonti ishte i mugët. Ndihej jo shumë larg prania e lumit dhe nisi të fryjë erë e fortë, që vinte nga deti, duke ngritur pluhurin e platformës të staciomit të vjetër të trenit. Platforma ishte me gropa, ndërsa në të majtë, në linjën paralele të hekurudhës, dukej një vagon i vjetër udhëtarësh, pa xhama dhe i braktisur.




Tashmë kishte rënë nata dhe stacioni i vogël hekurudhor m’u duk më i vetmuar dhe i trishtë, ndërsa erërat e forta, që vinin nga deti dhe lugina e lumit, përplaseshin mbi vagonin e braktisur dhe godinën pa dyer dhe dritare të stacionit… U afrova pranë tabelës prej llamarine të ndryshkur, ku ishte shkruar orari i mbërritjes dhe nisjes së trenave. Dallova mirë, nën ndriçimin e zbehtë të një llampe elektrike të varur e që lëkundej si lavjerës nga erërat, që hynin nga porta pa derë dhe dritaret pa xhama, orarin e fundit të trenit. Në të shkruhej qartë: mbërrin në orën 19.00 dhe niset në orën 19.05. Ora tashmë ishtë 19.30, thashë me vehte, duke u ulur në stolin e hekurt, ku ndoshta prej kohësh nuk ishte ulur asnjë pasagjer. Pastaj u ngrita i gëzuar, sepse m’u bë se dëgjova sirenën e largët të lokomotivës. Jashtë ishte e njëjta platformë me gropa e më tutje vagoni i braktisur i udhëtarëve, ndërsa erërat frynin më me tërbim. Hodha vështrimin andej nga m’u bë se dëgjova sirenën e lokomotivës dhe mbajta vesh. Asnjë sirenë apo zhurmë treni. Vetëm erëra, që vinin nga brigjet e detit, që ishte tutje, nga ku nuk dukej me horizonti, por vetëm nata.



U ktheva prapë në dhomën e vogël të pasagjerëve dhe pasi u ula, nisa të lexoj për të satën herë parrullën “BAKRI ÇANË BLLOKADËN” dhe poshtë saj : “NDAL! TRENI RREZIKON JETËN!”. Llampa e vogël elektrike vazhdonte të lëkundej si lavjerës… Pashë edhe një herë orën: po shkonte 20.30. Është e kotë të pres, mendova. Sado vonesë të kishte, apo ndonjë defekt i lokomotivës, kishte kaluar mbi një orë e tridhjetë minuta nga koha, që sipas orarit të shkruar në llamarinën e ndryshkur, ai duhej të kishte ardhur.

U ngrita dhe dola prapë jashtë. Erërat ishin bërë akoma më të forta, por edhe më të ftohta. Ku të veja në këtë natë? Rruga për në qytezën e vogël, që shtrihej në faqen e malit, ishte shumë larg. Po sikur të dilja në rrugën automobilistike, ku ndoshta mund të gjeja ndonjë makinë për në Tiranë, ose ndoshta për në qytetin më të afërt, ku mund të flija në hotel? Ndjeva trupin që po më dridhej nga i ftohti. Të paktën të kisha marrë xhaketën, thashë me vehte. Nuk e dëgjova gruan, që m’u lut të merrja edhe xhakoventon e lehtë, se po shkoja në veri dhe nuk i dihej, sesi mund të ndryshonte moti.

Lexo edhe :  Kujtoj me mall....

Hodha vështrimin andej nga mund të vinte treni i fundit për në Tiranë. Errësirë. Vetëm errësirë dhe erëra të ftohta. Hoqa dorë nga mendimi për të ikur nga andej dhe u futa brenda, nëse mund të quhej kështu, dhoma e pasagjerëve, pa dyer e dritare. Më mirë të ulem këtu e të pres. Ndoshta vjen më vonë treni i udhëtarëve për në Tiiranë. Ndoshta vjen në mesnatë, ose ndoshta në orët e para të mëngjesit. Po sikur të më zinte gjumi, thashë me vehte dhe nuk e dëgjoj ardhjen e trenit? Pastaj do të vinte mëngjesi dhe do të më gjente këtu, në këtë stacion të braktisur… Pastaj do të vinte ora 8.00 e mëngjesit dhe u drodha, kur kujtova këtë orë. Ishte ora  kur ulesha në karriken e zyrës së vogël të dikasterit, ku punoja dhe pasi hapja dosjet me shkresa, prisja të vinte shefi, që krahas mirëmëngjesit, bënte edhe apelin. E nesërmja nuk do të më gjente në zyrë, mendova duke u dridhur, sa nga i ftohti, aq dhe nga ankthi. Prisja që shefi të raportonte për mungesën time të pajustifikuar te ministri… Dhe pastaj mbledhja e sektorit dhe paralajmërim për pushim, ose pushim nga puna. O Zot, thashë me vehte. O Zot!

U ngrita prapë dhe instiktivisht shkova te tabela prej llamarine, ku ishin shkruar oraret e mbërritje dhe nisjes së trenave të udhëtarëve. Tashmë po afronte mesnata dhe i ftohti ishte bërë i padurueshëm. U afrova te dritarja pa xhama dhe hodha vështrimin jashtë, nga ku dukej vagoni i pasagjerëve, si i përpirë nga nata. Një vagon i vetmuar, i braktisur kushedi prej sa vitesh, në këtë stacion të vogël hekurudhor, ndërtuar larg qytezës, të vendosur në faqen e malit, ku në çdo stinë frynin erëra të forta. Kishte kaluar mesnata, kur vendosa të kapërceja shinat e të shkoja te vagoni i braktisur i pasagjerëve. Ndoshta atje mund të ishin akoma të padëmtuara ndenjëset e rehatëshme, ku uleshin pasagjerët dhe ku mund të shtrihesha e të flija sadopak dhe kur të vinte mëngjesi do të zgjohesha, do të dilja nga vagoni i braktisur e do të prisja trenin në platformën me gropa, para stacionit hekurudhor.

Kapërceva shinat e para. Pastaj shinat e dyta paralele me të parat. Dhe pastaj shinat e treta paralele me të dytat, ku ishte vagoni i braktisur i pasagjerëve. Shtanga para se të ngjisja shkallët e vagonit. Brtenda tij dëgjoheshin zëra njerëzorë. E qara e një fëmije. Kolla e rëndë, shumë e rëndë e një tjetri. Tingujt e ëmbël të një violine. Dhe zëri i një aktori, që kisha kohë pa e dëgjuar dhe që flitej, se ishte zhdukur pa pritur e nuk po gjëndej prej dy vitesh. U bëra gati të largohesha, të them të drejtën i trembur, por dëgjova një të folur të butë, shumë të butë, apo lutës: “Urdhëroni zotëri! Të lutem eja brenda!” Ai zgjati dorën dhe më tërhoqi për të ngjitur shkallët e ndryshkura të vagonit të braktisur. Kur hyra atje, pushoi e qara e fëmijës. Edhe kolla e fortë. Edhe violina. Edhe zëri i aktorit. Rrija i shtangur, pa ditur ç’të bëja, kur dëgjova prapë të njejtin zë lutës: “Eja këtu zotëri! Ulu të lutem!” U ula, duke falenderuar  për mirësjelljen dhe befas ndjeva, që trupi nuk ishte më i imi. As zëri nuk ishte më imi. Vehtja më dukej si në boshllëk, apo në një botë tjetër. Në atë vagon të braktisur, pa xhama, shija e kohës dhe e zërave njerëzorë m’u dukën si jashtë kohe. Edhe njerëzit atje brenda, që ndoshta kishin vite e vite, që prisnin të vinte treni i fundit, për t’i çuar në Tiranë, a diku tjetër ishin ndryshe. Tashmë edhe unë u bëra pjesë e tyre në këtë vagon të braktisur, në një stacion hekurudhor të vjetër, ku frynin erëra të ftohta, në pritje të trenit, që ndoshta nuk do të vinte kurrë, kurrë.

Tiranë, mesqershor 2019

 

 

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas