Rezonanca moderne në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka rritur cilësinë e ekzaminimeve, duke ndihmuar në trajtimin më të mirë të pacientëve
Prej dy muajsh, 674 pacientë janë ekzaminuar me aparaturën e teknologjisë së lartë. Rezonanca 3T e vetmja në spitalet dhe jopublike në vend. Rritet cilësia e ekzaminimeve për përcaktimin e saktë të diagnozave. Ky është një investim i qeverisë shqiptare dhe ka një vlerë prej 1.1 milion euro. Një pajisje që përfaqëson të sotmen dhe të ardhmen e teknologjisë, e kanë cilësuar mjekët e këtij spitali, e cila shërben jo vetëm për diagnostikimin dhe më pas trajtimin e sëmundjeve, por edhe për kërkime shkencore.
Kontrollet
Arben Rroji, mjek neuroradiolog në QSUT thotë se: “Montimi i aparatit të ri të rezonancës 3T, e cila është një teknologji e re, i vetmi aparat unik i këtyre parametrave që është në territorin shqiptar. Kjo aparaturë bën të mundur rritjen e cilësisë së ekzaminimeve, aplikimin e metodave të reja diagnostike që rrisin saktësinë si në përcaktimin e natyrës së tumoreve, kryesisht të sferës neurokirurgjikale, gjithashtu dhe në diagnostikimin dhe saktësimin e diagnozave neurologjike. Zakonisht aparatet 3 Tesla janë një standard i ekzaminimeve në Qendrën Spitalore Universitare Europiane. Ne sot e disponojmë këtë lloj teknologjie dhe sigurisht ka rritur edhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve shqiptarë”. Doktor Eugen Enesi, mjek neuroradiolog në QSUT thotë se: “Përmes ekzaminimit të programit 3 Tesla ne shohim pjesët kryesore të trupit të njeriut. Programet e kësaj rezonance na lejojnë që ne të bëjmë atë që quhet rezonanca “total body” ku ekzaminimi i trupit të njeriut bëhet pa përdorur rrezatimin jonizues. Natyrisht që është një ekzaminim që bëhet në qendrat spitalore universitare dhe nuk është një ekzaminim që bëhet rutinë për pacientët ambulatorë, por për pacientë të veçantë të cilët kanë patologji malinje dhe kërkohet shpërndarja e tumorit në pjesë të ndryshme të trupit të njeriut, na ndihmon për të përcaktuar se në cilat pjesë janë lokalizuar këto shpërndarje të tumorit”. Ndërkohë që doktori Enesi sqaron gjithashtu se para se të vinte kjo rezonancë, ekzaminimi bëhej “total body”, me aparaturën e skanerit, ku ndjeshmëria ndaj kësaj patologjie ka qenë e ulët. Tani me këtë aparaturë ne kemi ndjeshmëri më të lartë dhe ekzaminim më të mirë të trupit të njeriut. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë sqaron mënyrën se si mund të kryhet ky kontroll: “Nëpërmjet sistemit të referimit në sistemin ambulator, shërbimi i imazherisë aksesohet lehtësisht për çdo qytetar pa pagesë. Rezonanca moderne në QSUT ka rritur cilësinë e ekzaminimeve, duke ndihmuar në trajtimin më të mirë të pacientëve. Edhe një hap përpara drejt shërbimit shëndetësor që meritojnë qytetarët”.
Aparatura
Rezonanca magnetike 3 Tesla është një evolucion në teknologjinë mjekësore për sa i përket diagnostikimit. Ka përparësi të shumta si për pacientët ashtu edhe për ne mjekët, të cilët i zbulojmë këto ndryshime në trup. Gjenerata e re e magnetit, rrit cilësinë dhe rezolutën e imazhit me anë të të cilit mundësohet imazhi i strukturave madje edhe të ndryshimeve më të vogla. Imazhi i arritur me anë të rezonancës magnetike 3 Tesla bën të mundur dallimin shumë më herët të ndryshimeve të shfaqura në trup. Rezonanca magnetike 3 Tesla është veçanërisht e njohur për zbulimin e sëmundjeve të trurit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për sëmundje të lindura (kongjenitale) apo për sëmundje të natyrës infektive. Rezonanca magnetike 3 Tesla ka aftësi absolute për shkak se i tregon shumë më saktë strukturat dhe ndryshimet e trurit. Me një fjalë, rezonanca magnetike 3 Tesla, mundëson ekzaminim më të mirë dhe më cilësor për pacientët. Kur ne do të japim një diagnozë më të saktë apo kur atë ndryshim që ne shohim do ta përcaktojmë dhe do ta kufizojmë, edhe për mjekun kirurg kjo është shumë më mirë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për operacionet në tru, mund të përcaktohet saktë se cila pjesë e trurit do të operohet, për shkak se truri ka qendra në të cilat nuk duhet të bëhen ndërhyrje.
Sëmundjet që zbulon kjo rezonancë
Rezonanca magnetike është aparati diagnostikues më bashkëkohorë e cila jep një pamje të saktë jo vetëm të kockave por edhe të indeve të buta, në këtë mënyrë shërben si një pajisje e saktë diagnostikuese në zbulimin e sëmundjeve të shtyllës kurrizore. Rezonanca magnetike jep një pasqyrë të qartë të anatomisë së përgjithshme të shtyllës kurrizore, dhe përdoret për diagnostikimin e sëmundjeve gjenerative të diskut, hernies diskale, stenozës spinale, nervit shiatik, kifozës, skoliozës, tumoreve dhe infeksioneve të shtyllës kurrizore.