Nga Ridvan Dibra
Alektrioni, shërbëtori i bindur i Aresit, po jeton net të mrekullueshme. Kanë mbetur pas punët e shumta e të rënda deri në orët e vona të pasmesnatës. As krehje kuajsh e pastrim hauresh nuk ka më. Gjithë ditën vetëm gjumë. Edhe kur s´i flihet. I tillë është urdhri i padronit të tij. Që të jetë sa më i vëmendshëm dhe vigjilent natën.
Atëherë kur dielli mbytej honeve të Olimpit dhe kur në qiell hëna dukej si sy i verbuar, shfaqej si e dalë nga një ëndërr vetë ajo: Afërdita e bukur. (Në netët e para, me t´u shfaqur ajo, Alektrioni i mbyllte për disa çaste sytë, duke iu druajtur një verbimi të mundshëm). Shikonte me vëmendje përreth (kurrë në drejtim të shërbëtorit) dhe me nxitim futej në pallatin e Aresit. Pikërisht në këtë çast fillonte edhe puna e Alektrionit: vigjilencë dhe vëmendje për t´i siguruar orë të qeta dashurie padronit të tij dhe Afërditës. Askush nuk duhej ta zbulonte sekretin.
Në të kundërtën, gjithçka mund të ishte e rrezikshme dhe me pasoja: Afërdita qe grua e martuar dhe nami i mirë që gëzonte do të shkërmoqej në çast; kurse Aresi i trembej jo pak një hakmarrjeje të mundshme të burrit të saj, Heresit të shëmtuar e çalaman.
Duhet përmendur se Alektrioni e kuptoi që në fillim rëndësinë e misionit të tij dhe se që në natën e parë qe në lartësinë e duhur. Por çastet më delikate e më të rrezikshme për të ishin pikërisht ato kur terri sapo fillonte të shprishej. Tamam atëherë duhej t´i lajmëronte dy dashnorët për afrimin e mëngjesit. Që Afërdita të mbështillej e tëra me pelerinën e bardhë dhe të largohej pa u vënë re.
Dukej e thjeshtë dhe banale kjo detyrë e Alektrionit, por nuk ishte tamam ashtu: rrallëherë ia kishte arritur të gjente tamam çastin e duhur për t´i lajmëruar dashnorët për ardhjen e agimit; në më të shumtën e herëve ose ishte ngutur paksa, ose kishte vonuar paksa. Dhe në të dy rastet qe shpërblyer me ulërima, të shara e dajak nga padroni.
Në rastin e parë sepse ia kishte shkurtuar kohën e dashurisë. Në rastin e dytë sepse ia kishte zgjatur atë, duke rrezikuar sekretin e saj. Sidoqoftë, me kalimin e netëve, Alektrioni po specializohej në detyrën e tij dhe gabonte gjithnjë e më rrallë; tashmë ai kishte filluar ta nuhaste (si bisha gjahun) afrimin e mëngjesit, duke merituar përgëzimet e shumta të padronit dhe favoret jo të pakta gjatë ditës.
Por tamam atëherë kur ndihej më i qetë, më i sigurt dhe më i lumtur se kurrë, Alektrionit iu neverit puna që kishte. Gjithçka ndodhi në një mbrëmje të magjishme pranvere, në një mbrëmje si të krijuar enkas vetëm për të dashuruarit. Pikërisht atë natë Alektrioni guxoi dhe bëri atë që e kishte menduar por që s´kishte guxuar ta bënte në netët e tjera: u afrua tinëz dhe vuri syrin e majtë (si mbylli më parë të djathtin) në vrimën e çelësit të dhomës ku ishin mbyllur dy dashnorët.
Ajo që pa e tronditi: dy trupat e lakuriqtë, të kapërthyer e të larë nga djersa dhe drita e hënës, dukeshin sikur lundronin mbi valët e mëndafshta. Herë – herë fekste sipër atyre valëve gjoksi i argjendtë i Afërditës. Tamam atëherë Alektrionit i lindi në kokë ideja e marrë që të bënte dashuri me të. Qoftë edhe një natë të vetme.
Në djall ditët e qeta e të sigurta! Në djall privilegjet e shumta që gëzonte! I jepte të gjitha për një natë të vetme me Afërditën e bukur. U sëmur nga kjo ide. Netët nuk ishin gjë tjetër për te, veçse përgjime të gjata e torturuese aty prapa vrimës së çelësit. Kurse ditët vetëm ëndërrime të plogështa. Ia vari edhe detyrës. Gjithnjë e më shpesh gabonte në paralajmërimin e mëngjesit.
Deri një natë kur e bindi veten se gjithçka ishte e kotë. Ai ishte një roje e bindur dhe besnike e dashurisë së të tjerëve. Kurrë s´kishte për t´u bërë pjesëmarrës në të. Fati i tij qe i paracaktuar prej Padronit. Ai kishte për të mbetur në jetë të jetëve një shërbëtor i rëndomtë. Kurse Afërdita…
Tamam atëherë Alektrioni kërkoi të largohej nga detyra, të zëvendësohej me një shërbëtor tjetër. Por Aresi nuk pranoi. (Një shërbëtori tjetër do t´i duhej shumë kohë – ndoshta po aq sa i ishte dashur Alektrionit dikur – që të perfeksionohej si roje e dashurisë). Në rrethana të tilla, Alektrioni ia vari edhe më detyrës së tij.
Deri një natë kur qëllimisht ia këputi gjumit. (Më vonë mësoi se dashnorët, të harruar në kurmet e njëri – tjetrit dhe të sigurt tashmë në vigjilencën e rojës së tyre, as që e kishin vënë re ardhjen e mëngjesit, duke rënë të dy në rrjetën prej rrezesh dielli, që Hefesti çalaman e kishte thurur mjeshtërisht).
Aresi ia kishte arritur një ditë të çlirohej nga kurthi dhe menjëherë kishte kërkuar dënimin e shërbëtorit të pavëmendshëm. Në mendjen e tij të egër e perverse kishte sajuar dënimin më të çuditshëm e më mizor që mund të bëhej: “Nuk do të jesh më njeri, Alektrion! Gjel do të jesh. Gjel që me këngën tënde do të lajmërosh ardhjen e agimit”.
“Le të bëhet si thoni ju, Zoti im”, ishte përgjigjur Alektrioni, teksa ndiente bulimin e flatrave në sqetulla.
Dukej i qetë në fytyrë: e kishte parashikuar dhe dëshiruar një dënim të tillë.