Nesër në Tiranë vjen deputeti i Bundestagut gjerman, Florian Hahn.
Hahn pritet të zhvillojë takim me Kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetarin e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe Presidentin Ilir Meta.
Hahn është njëherazi dhe deputet i CSU-së në parlamentin gjerman.
Pas disa javësh pritet që qeveria gjermane të japë ose jo dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kjo nuk është vizita e parë për Hahn në Tiranë.
Prej vitit 2010 ai e ka vizituar shpesh Tiranën. Vetëm dy muaj para marrjes së vendimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Gjermania do të dërgojë shpesh emisarë në Tiranë për tu njohur me nga afër me punën e deritashme të qeverisë dhe arritjen e një konkluzioni. Pritej që në Tiranë të vinte kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane, Gunther Krichbaum, nje kritik i ashpër i përformancës së deritashme të qeverisë. Por edhe Florian Hahn nuk mbetet pas.
Në vizitën e fundit të mbajtur në Gjermani, Kryeministri Edi Rama u detyrua të jepte përgjigje rreth shqetësimit që kishte ngritur pikërisht Florian Hahn lidhur me akuzat që vinin nga media pranë Ramës ndaj Krichbaum.
Florian Hahn (CSU), ndan një opinion të njëjtë me Krichbaum edhe për Shqipërinë.
“Çdo vend evropian që respekton vlerat thelbësore evropiane mund të aplikojë për t’u bashkuar me BE. Ne do të shqyrtojmë në detaje nëse Shqipëria është në përputhje me kriteret e nevojshme për fillimin e bisedimeve,” tha Hahn për Tagesspiegel.
“Nuk do të ketë një ndihmë politike,” shtoi politikani i CSU. Hahn theksoi se negociatat e pranimit janë aktualisht në proces, kurse pranimi “ende larg”.