Aktualitet

Në vend të një letre për Këshillin Bashkiak





               Publikuar në : 12:27 - 07/12/19 |
mapo.al

Nga Zef Preçi


“Çdo e keqe s’vjen për të keq…”. Kështu thotë një fjalë e urtë e popullit shqiptar. Ndoshta është rasti të përpiqemi që të shohim ndonjë “të mirë” në periudhën e rimëkëmbjes së shoqërisë, ekonomisë dhe infrastrukturës sonë mbas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.



Në këtë koment do të ndalem vetëm në disa elemente që lidhen me bashkëjetesën në godinat rezidenciale të banimit, marrëdhënie që janë të rregulluara me një ligj të veçantë të miratuar një dekadë më parë. Kjo me qëllim që të mos presim tërmetin e radhës për të kuptuar realitetin e trashtë ku jetojmë dhe problemet që krijohen me këtë rast, por të përpiqemi t’u dalim atyre përpara duke besuar se kështu bëhemi më të dobishëm për komunitetin dhe vendin ku jetojmë.


Nisur nga problemet e akumuluara në vite, po tentoj të listoj disa prej tyre, për të cilat janë pjekur kushtet për të shënuar përmirësime në termat realë.

1. Depozitat e ujit të pijshëm. Sipas mendimit tim, pavarësisht mungesës së progresit në përmirësimin e furnizimit me ujë dhe as të cilësisë/pastërtisë së tij, ulja e risqeve nga tërmetet dhe përmirësimi i higjienës në familje lidhet me heqjen e tyre nga tarracat e banesave dhe vendosjen në kushte më të kontrollueshme dhe standarde të pranueshme në pjesën nëntokësore të ndërtesave rezidenciale. Mirëpo kjo sjell nevojën që përmes zyrës përkatëse të Bashkisë të kryhen kontrollet e nevojshme që mundësojnë “çlirimin” e ambienteve të përbashkëta sipas projekteve individuale të këtyre ndërtesave. Vëzhgimet tregojnë se në mjaft raste këto ambiente janë kthyer në vend-parkime, janë pushtuar nga “të fortët” që zotërojnë vend-parkime të kthyera në garazhe etj., ndërsa depozitat, me përjashtim të funksionimit të pompës, nuk mirëmbahen siç duhet. Pra, nevojitet një rregullore e posaçme bashkiake për standardet dhe shpeshtësinë e pastrimit të këtyre depozitave.

2. Ashensorët. Me gjithë përparimin e shënuar në rritjen e gatishmërisë në mirëmbajtjen e tyre, mjerisht falë presionit të qeverisë dhe procedimit penal në disa raste të aksidenteve të shënuara në to, përsëri ka probleme serioze dhe situata e tërmetit të fundit u shoqërua me paqartësi të mëdha. Kështu në disa zona të Tiranës, kompanitë e mirëmbajtjes i stakuan ashensorët duke referuar gabimisht një urdhër të qeverisë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Por po aq e vërtetë është se në rast tërmeti, përdorimi i ashensorëve është rreptësisht i ndaluar kudo në bote dhe po ashtu, te ne. Mirëpo këtu shihet që cilësia e mirëmbajtjes së tyre lë shumë për të dëshiruar dhe në të gjitha pallatet e Tiranës mungojnë shkallët e daljes emergjente, d.m.th. shkallët metalike në pjesët e jashtme të pallatit që duhej të ishin për çdo hyrje të tyre. Po kështu, shkallët e brendshme janë të pandriçuara me llamba me bateri që mund të funksionojnë edhe në rast ndërprerjeje të energjisë elektrike. Mendoj se me pak interesim të bashkisë këto probleme mund të gjejnë zgjidhje, ashtu sikurse instalimi i shkallëve të jashtme të emergjencës mund të imponohet edhe me një akt ligjor të posaçëm të qeverisë.

3. Administratorët. Ndonëse të motivuar për interesa kryesisht elektoralë dhe të bazuar mbi burimet financiare publike, është folur për rreth 800 koordinatorë të komunitetit vetëm në Tiranë, të cilët do të mund të ndërtonin lidhjet midis qytetarëve dhe Bashkisë së kryeqytetit, ndër të tjera edhe përmes monitorimit te zgjedhjes së administratorëve në ndërtesat rezidenciale. Në mungesë të një raporti performancë të tyre, mund të hamendësohet se ata kanë kontribuar në votimet e 30 Qershorit të vitit që po mbyllim, por vështirë të gjesh ndonjë rezultat që lidhet me interesin publik. Më konkretisht, mendoj se është grumbulluar një përvojë e mjaftueshme që duhet konsoliduar më tej për të garantuar një funksionalitet të shërbimit të tyre, si dhe për të ulur informalitetin që ekziston. Më konkretisht, mendoj se Bashkia e Tiranës mund të negociojë me bankat tregtare që arkëtimet e pagesave mujore të condominium (bashkëjetesën në pallate) të kryhen pa kosto shtesë si dhe personat që punësohen në këto poste të gëzojnë të drejtat e çdo të punësuari tjetër sipas ligjit në Republikën e Shqipërisë. Presioni bashkiak për të nxitur administrimin nëpërmjet kompanive të krijuara posaçërisht për këtë qëllim, për shkak të rritjes së menjëhershme të kostove në vend që të ndodhte e kundërta, por edhe për faktin se këto kompani nuk kishin ndonjë histori biznesi të tyre apo mund të ishin thjesht krijesa të stafeve të vetë bashkisë edhe/ose klientë të saj, mendoj se ishte i pasuksesshëm.

4. Instalimet e telefonisë, Internetit, fibrave optike etj. Duke qenë se 15 apo 20 vjet më parë këto shërbime ishin në fillimet e veta dhe nuk ishin përjetuar “boom-in” e viteve të fundit, janë të papërshtatshme dhe ndërtesat rezidenciale në Tirane janë të rrethuara nga rrjeta merimange që e shëmtojnë mjedisin, për të mos thënë që bëhen shkak për ndërhyrje në strukturat e këtyre ndërtesave, si dhe për rreziqe të tjera. Në kushtet e krijuara, mendoj se nevojitet një normim nga Bashkia për instalimet e brendshme në ndërtesat rezidenciale dhe mundësisht përqendrim i tyre, d.m.th. krijim i mundësive që nga paneli i instalimit deri në secilin apartament të ketë linja të shtruara që mund të ndërrohen thjesht te paneli ku gjenden instalimet e kompanive, pa patur nevojë që çdo kompani të instaloje linjë të sajën deri brenda në apartament.

Ndërsa për linjat e jashtme në trotuaret e qytetit, mendoj se duhen konsideruar si servitude, d.m.th. një shërbim publik falas ose me ndonjë pagesë simbolike që iu duhet ofruar operatorëve të telefonisë dhe Internetit kundrejt kërkesës në fillim të çdo viti fiskal. Po kështu, mendoj se kutitë mbi tokë të telefonisë fikse tashmë e kanë humbur kuptimin dhe dëshmojnë vjetrim teknologjik dhe keqpërdorim të ambienteve publike, kështu që bashkia mund t’i lejojë ato (box-et mbi tokë) vetëm kundrejt pagesës për zënie hapësire publike).


Etiketa:

Pas