Del para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’iu nënshtruar procesit të Vettingut, kryegjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Fehmi Petku. Ai është një nga gjyqtarët që shqyrtoi në Apel ankimimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për mbylljen e hetimeve ndaj tij.
Gjatë seancës dëgjimore, KPK vërejti shkelje të gjyqtarit sa i takon deklarimit të pasurisë duke theksuar se ka bërë deklarim të rremë. Sipas KPK, familja Petku ka lidhje edhe me një prej firmave piramidale të famshme, VEFA Holding, të cilës familja e gjyqtarit i ka shitur një pronë me vlerë 520 mijë $ si dhe ka gjykuar në proces 20 vite më parë Vehbi Alimuçën.
“Në vitin 1999 gjyqtari Fehmi Petku ka gjykuar Vehbi Alimuçën, pronarin e VEFA Holding. Fehmi Petku ka pasur raport me Vehbi Alimuçën”, thuhet në raportin e KPK. Gjithashtu, sipas KPK, gjyqtari nuk justifikon një truall prej 16 mijë m2.