Probleme me pasurinë me një shumë të konsiderueshme parash të pajustifikuara, ishin rezultatet e relacionit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin Avni Kraja.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar këtë të premte, trupa gjykuese tha se bëhet fjalë për një shumë prej 14 mln lekësh të reja nga blerja e shitja e apartamenteve dhe makinave.
Sipas relacionit, Avni Kraja ka paguar një shumë prej 105 mijë eurosh për një apartament në Tiranë prej 135 m2 ku fillimisht lidhi kontratë për 121 mijë euro.
Pagesat për këtë pronë janë deklaruar në 2008 ndërkohë që KPK thotë se kanë filluar një vit më parë.
Një tjetër pikë problematike ishte dhe ndërtimi i katit të tretë të një vile në Tiranë, ku Kraja thotë se e ka ndihmuar vëllai, i cili kishte firmë ndërtimi, për ta realizuar me kosto më të ulët.
Pas ndërtimit, Kraja i ka shitur katin e tretë, vëllait tjetër, me një shumë edhe më të lartë se kostoja e ndërtimit, por sipas KPK nuk është bërë regjistrimi i pronës në emrin e blerësit.
Kraja ka kërkuar që të dorëzojë dhe dy deklarimet e vëllezërve për të sqaruar më tej këtë çështje.
Seanca dëgjimore për Krajën është shtyrë 4 herë për arsye të ndryshme.
Një ditë më parë, ai kërkoi përjashtimin e relatores Alma Faskaj nga trupi gjykues me pretendimin se ajo është shkarkuar nga KLD në vitin 1996 duke e bërë të paligjshme praninë e saj.