Ministri për Europën i Gjermanisë, Michael Roth, ka ritheksuar për mediat gjermane se Bashkimi Europian duhet të marrë një vendim për nisjen a bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë qershor.
“Ne duhet t’i qëndrojmë fjalës dhe përmbushim angazhimet tona”, deklaroi ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Federale për të përditshmen gjermane “Der Tagesspiegel”.
Politikani i SPD-së risolli në vëmendje se një “afat i qartë ishte përcaktuar vitin e kaluar nga BE-ja”, duke theksuar se data më e përshtatshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vendet ballkanike duhet të jetë qershori i këtij viti.
Duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe zgjedhjet e ardhshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qershori do të ishte “koha më e mirë për të vendosur mbi nisjen e negociatave të anëtarësimit,” tha ai. “Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion,” shtoi ai.
Në Ballkanin Perëndimor, BE, Rusia, Kina dhe Turqia po luftojnë për ndikim. “BE-ja nuk ka për synim vetëm të garantojë interesat jetikë të sigurisë, por edhe besueshmërinë e saj”, tha Roth.
Etiketa: BE, Gjermania, Michael Roth, negociatat me shqiperine, Rekomandimi per negociatat, Shqiperia