Presidenti Ilir Meta insiston për 13 tetorin si datë për zgjedhjet vendore, por propozimi i tij është që në këtë datë të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare si dhe presidenciale. Përmes një statusi në Facebook, Meta shkruan se kjo do të ndihmonte jo pak rrugëtimin e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së të datës 18 tetor. Për Metën, 30 qershori, kur mazhoranca shkoi e vetme në votime, kaloi si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Apeli i kreut të shtetit është për mazhorancën dhe opozitën që t’i drejtohen 13 tetorit në mënyrë të qetë dhe demokratike.
Postimi i Metës
KOHA QË TË MOS MBETEMI EDHE NË VJESHTË!
Të dashur qytetarë,
30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian🇪🇺 do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë🇦🇱.
Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.
Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.
KOHA ËSHTË TANI!
Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!