Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama për mos hapjen e negociatave. Kryemadhi tha se e pakta që mund të bëjë Rama është dorëheqja si një shenjë reflektimi.
“Shqiptarët kanë kuptuar qartë që Europa është me ta, por për fat të keq, shqiptarët dhe e ardhmja e tyre europiane, janë sot peng i një njeriu të vetëm, janë peng i Edi Ramës dhe i bllokimit të rrugës europiane vetëm prej tij. Bashkimi Europian ka treguar qartë se cilat janë pengesat konkrete, cilat janë plagët e thella dhe problemet kritike që i ka hapur Shqipërisë sot Edi Rama.
I vetmi kryeministër në Europë i cili quan normalitet bashkëjetesën me kriminelët dhe grabitësit e pronës publike dhe votës së shqiptarëve, është Edi Rama.
Shqipëria s’është dhe s’mund të jetë kurrë peng i tij, dhe dorëheqja e tij është reflektimi më i pakët për përgjegjësinë e rëndë politike që rëndon mbi kryeministrin.”
Më tej ajo shprehu një falenderim të veçantë SHBA për mbështetjen e pandalur asnjëherë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve si partnerin tonë strategjik që edhe mbrëmë në një moment të zhgënjimit të shqiptarëve, ata i qëndrojnë në krah popullit shqiptar dhe Shqipërisë, u qëndrojnë në krah aspiratave të shqiptarëve për Integrimin Europian.
“Asnjë faktor nuk do të cënojë dot aleancën tonë mbi 100 vjeçare midis Shqipërisë dhe SHBA dhe asnjë faktor malinj nuk do të largojë dot aspiratat e shqiptarëve nga rruga e shqiptarëve tashmë drejt BE-së. Faleminderit!”-deklaroi Kryemadhi.