Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për çështjen e negociatave me Bashkimin Europian, në një intervistë për median italiane “Panorama”. I pyetur për refuzimin e Shqipërisë, Rama u shpreh se nuk është e këndshme të jetosh me ndjesinë se je tallur. E megjithatë, tha se synimi mbetet një vend europian.
“Unë e di se Parisi është një aksioner i shumicës në BE, por pozicioni i tij, megjithëse i ligjshëm, ishte në lidhje me një rithemelim të përgjithshëm të Unionit dhe një rishikim të procesit të zgjerimit, që nuk ishte objekt i samitit. Këtu flitet vetëm për transferimin e njohurive gjatë një procesi negociues.
Nuk është se nuk e kisha menduar këtë pengesë. Pjesërisht, e prisja. Por nuk është asnjëherë, as e bukur dhe as e thjeshtë, të jetosh me ndjesinë e plotë se je tallur. Në çdo rast, siç e përsëris gjithmonë, duhet të vazhdojmë në të nëjtin drejtim, pasi nuk ka alternativa të tjera përveç se një Shqipërie europiane. Mbetet detyra jonë përballë brezave që do të vijnë”-tha Rama.
I pyetur për akuzat e opozitës, se e ka shndërruar Shqipërinë në një narkoshtet ku zgjedhjet s’janë të lira, kreu i ekzekutivit tha se në të vërtetë s’është bërë veçse përparim në këtë drejtim. Ndërsa pyetjes rreth protestave të zhvilluara së fundmi nga banorët e zonës së Astirit, Rama iu përgjigj se s’janë veçse dëshmi të një kulture të vjetër politike.
“Dobësia jonë konsiston në të kaluarën tonë të mbrapshtë, që vazhdon ende të frenojë zhvillimin në pothuaj çdo sektor. Për këtë arsye, modernizimi i shtetit për mua është një përparësi absolute”- u shpreh kryeministri.