Dy vajzat e Rifat Lalos, që denoncuan në media vdekjen e të atit nga mungesa e shërbimit shëndetësor në spitalin Infektiv, kanë treguar sot me detaje të gjithë kalvarin e vuajtjeve, pasi u proceduan penalisht nga policia për informacion të rremë.
Në një intervistë për “News 24”, Edita dhe Ina Lalo treguan problemet e para, që nisën që me shërbimin e urgjencës në banesë, ku sipas tyre ekipi i parë nuk dispononte as oksimetër për matjen e nivelit të oksigjenit në gjak.
“Erdhi grupi i urgjencës, nuk kishte oksimetër, na pyetën neve nëse kemi. Na thanë xhaxhi është top, mbajeni në shtëpi, merrni edhe oksigjen në shtëpi, thanë përdorni edhe Remdesivir. Pastaj mora edhe një ambulancë tjetër që e shoqëruan për të bërë analiza”, – tha Ina.
Ndërsa Edita tregoi se e ka shoqëruar të atin në autoambulancë deri sa mbërriti para Urgjencës së Infektivit. Ajo pretendon se ka qenë ora 14:00 e mesditës së ditës së hënë, dhe jo 16:30 siç deklaron drejtoria e QSUT në deklaratën e shpërndarë për mediat.
Edita gjithashtu pohoi se nga ora 14:00 deri në orën 17:00 të pasdites të së njëjtës ditë, babai i saj ka qëndruar në autombulancë. “Kemi shkuar rreth orës 14:00 në spital, shikoja ambulancat që nuk lëviznin, por kishte shkuar ora 17:00, ka qëndruar rreth 3 orë duke pritur”, – tha ajo.
Dy vajzat u ndalën më tej tek përplasjet në telefon me mjeken pritëse Migena Qato, si dhe tek lutjet e babait që kërkonte ta nxirrnin nga spitali pasi e kishin harruar në cep të Urgjencës, në të ftohtë, pa asnjë kontroll apo analizë.
Me lot në sy, Edita dhe Ina i kërkuan Spitalit Infektiv t’u dorëzojë dosjen e plotë me diagnozën dhe protokollin e trajtimit në spital të të atit, përfshirë diskun e skanerit.“Kërkojmë dosjen komplet, jo epikrizën”,– thanë ato.
Mbesat e ish-deputetit demokrat, Vili Minarolli, i përgënjeshtruan fjalët e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se denoncimi i tyre nuk ka asgjë politike brenda, vetëm kërkesë për drejtësi. “Nuk duam ta politizojmë, kërkojmë të vërtetën për të hequr brengën që ne kemi brenda vetes.”