Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 17 vjet burg për Emiljano Shullazin, 15 vjet për Gilmando Danin, nga 11 vjet për Endit Zela, Endrit Qyqja dhe 10 vjet për Blerim Shullazin. Policia me forca të shumta për të ofruar siguri. Procesi gjyqësor ndiqet nga tre përfaqësues të huaj të ambasadës amerikane dhe gjermane.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 64 vite burg për Emiljano Shullazin dhe katër anëtarët e tjerë të grupit. Ditën e djeshme, tre prokurorë Anton Martini, Gentian Osmani dhe Besnik Muçi kanë lexuar konkluzionet dhe në fund, duke u bazuar në provat që sipas tyre janë grumbulluar deri më tani kërkuan 17 vjet burg për Shullazin, 15 vjet për Gilmando Danin, nga 11 vjet për Endit Zela, Endrit Qyqja dhe 10 vjet për Blerim Shullazin. Asnjë nga të pandehurit nuk ndodhej në sallën e gjyqit, por u përfaqësuan nga avokatët e tyre. Për të shmangur çdo të papritur, Gjykata e Krimeve të Rënda ishte e mbushur me forca të shumta policore, përfshi edhe ata të Ndërhyrjes së Shpejtë të pajisur me armë të gjata. Pas pretencës së institucionit të akuzës fjala do u mbetet avokatëve mbrojtës të cilët që në fillim të procesit gjyqësor kanë hedhur poshtë çdo akuzë. Në fund do të jetë Gjykata e Krimeve të Rënda që do japë verdiktin për një nga çështjet më të përfolura. Gjatë leximit të pretencës e veçanta ishte se në sallë ndodheshin edhe tre përfaqësues të ambasadës Amerikane dhe asaj Gjermane në Tiranë. Nuk është zakon që të ndjekin çdo proces përfaqësues të huaj, por dje kjo “palë e interesuar” e konsideronte çështjen të rëndësishme, madje si një provë e sistemit të drejtësisë. Emri i Shullazit është përmendur shpesh edhe nga ish-ambasadori amerikan, duke e konsideruar person me rrezikshmëri të lartë.
Akuzat
Të pesë të pandehurit akuzohen për gjobëvënie, shantazh dhe vendosje eksplozivi në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Janë tre biznesmenë të cilët fillimisht akuzuan Shullazin dhe anëtarët e tjerë të grupit për shantazh dhe vendosje eksplozivi në bizneset e tyre. Akuza kryesore, ku edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda u përqendrua, erdhi nga dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja. Ai u mor në mbrojtje nga strukturat speciale policore me statusin e “bashkëpunëtorit të drejtësisë”. Në dëshminë e dhënë si pranë prokurorëve ashtu edhe në Gjykatë Beqja pretendon se është kërcënuar me jetë dhe detyruar që në prani të një notereje në Durrës të nënshkruante se 20 për qind të “Hotel Vollgës” në Durrës ta kalonte në emër të Shullazit, menjëherë pasi prona të regjistroj në Hipotekë. Gjithashtu, Beqja ka treguar edhe për episode të tjera duke u shprehur se nën kërcënim i ka dhënë shuma të konsiderueshme në periudha të ndryshme kohore. Përveç akuzave nga biznesmenë janë marrë edhe dëshmitë e dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, Rektor dhe ish-rektor i Universitetit të Tiranës. Ata pretenduan se janë kërcënuar që Koni të tërhiqte kandidaturës për Rektor, por gjatë dëshmisë u shprehën se në momentin që janë kërcënuar nga disa persona nuk kishin pamjen e qartë dhe nuk e arritën ta dallonin Shullazin, por emrin e tij e mësuan nga deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Çështja që “shkriu” Krimet e Rënda
Kur mendohej se procesi gjyqësor shkoi drejt fundit dhe pritej vetëm pretenca e prokurorisë dosja “Shullazi” mori një rrjedhë të papritur. Dy prokurorët e krimeve të rënda që ndoqën procesin u larguan pikërisht në momentin e konkluzioneve. Prokurorja Elisabeta Imeraj u komandua në krye të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa prokurori Eneid Nakuçi në mënyrë të papritur hoqi dorë nga çështja dhe paraqiti një raport mjekësor 6 muaj, me argumentimin se do të trajtohej nga ana shëndetësore jashtë vendit. Praktikisht çështja mbeti pa prokuror dhe kjo detyroi kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela që të thërriste dhjetë prokurorë dhe t’u kërkonte që të bëheshin pjesë e shortit që përcaktonte trupën e re të akuzës që do ndiqnin çështjen Shullazi. Në grup prokurorët e kundërshtuan duke argumentuar se ishte një veprim antiligjor, pasi çështja ishte ndjekur nga dy prokurorë të tjera dhe të paktën njëri prej tyre do të duhet të kërkonte edhe pretencën. Ky lloj “rebelimi” dhe braktisja e shortit çoi në një reagim mjaft të fortë vetëm një ditë më pas. Me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku u kërkua nisja e hetimit disiplinor, ndërsa masa ndëshkuese edhe më të rënda u mor për tre prokurorë, duke u transferuar në prokuroritë e rretheve.