Gjyqi që nisi më 8 nëntor 1946 dhe çoi në ekzekutimin e inxhinierëve më të mirë që kishte Shqipëria. Presidiumi i Kuvendit Popullor urdhëroi ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës, Kujtim Beqirit dhe me pushkatim të VasilManos, ZorikaManos dhe EugenioScaturos
Një ngjarje e rëndë dhe kriminale është konsideruar dënimi i inxhinierëve që punonin në tharjen e kënetës së Maliqit, që përfundoi me ekzekutimin e katër inxhinierëve dhe kryeinxhinierëve dhe një gruaje shtatzënë, me 19 nëntor 1946.
E ashtuquajtura “organizatë tekniko-sabotatore” kishte në përbërje të saj: inxhinierin Abdyl Sharra, 35 vjeç, kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit, njeriu që mori akuzën kryesore si “iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”; Kujtim Beqirin, 30 vjeç, pinjoll i një familje patriotike, medalje e artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës, drejtor në punimet e Maliqit; VasilManon, inxhinier në kënetë, që i akuzuar bashkë me të shoqen Zyrikën (e cila u pushkatua shtatzënë), për lidhjet e tyre dhe kontakte të herëpashershme me agjentët e UNRRA-s, por edhe të denigruar në letërsi dhe në dokumentet që do silleshin më vonë; Pandeli Zografin dhe MarioGuarnierin, gjeometra në kënetën e Maliqit; EugenioScaturro, italian, llogaritar në Maliq; MihalStratobërdhën, AnastasRiston dhe JaniVasilin.
Gjyqi filloi më 8 nëntor 1946 dhe përfundoi dhjetë ditë më pas. Në këtë dramë të parapërgatitur nga sistemi u përfshinë edhe qytetarët, të cilët nëpërmjet altoparlantëve dëgjonin zhvillimet e gjyqit, që në këtë rast u bënë në kinema “Nacional”. Gjithçka e organizuar në detaje, ku përveç injektimit të frikës në masat e gjera të qytetarëve, synohej përhapja e terrorit që niste me eliminimin e personaliteteve në fusha të ndryshme, ku më rëndë e pësuan inxhinierët e kënetës dhe të naftës. Grupi i dënuar me vdekje u ekzekutua në Maliq, më 19 nëntor 1946.
Tharja e kënetës së Maliqit ishte një synim i hershëm i shtetit shqiptar për të përfituar tokë buke, kishte nisur qysh pas lufte. Qeveritë e mbretërimit të A. Zogut kishin dështuar në tharjen e kënetës me gjithë masat që kishte marrë. Kjo pasi nga fshatarët e zonës kishte ardhur një lloj “sabotimi”. Këneta shfrytëzohej për lëndë të parë e peshkim prej tyre. Pasi dështimi vazhdoi në kohën e luftës, ishte regjimi komunist që kërkoi të dilte si regjimi që me shpejtësi “thante këneta”. Në vitet 1945-1946 nisi puna me mjete primitive për të hapur kanalet kulluese. Në krye të punimeve ishin inxhinierët më të njohur që kishte vendi. Natyrisht do duheshin vite me të tilla mjete për të përfunduar tharjen e kënetës. Regjimi kërkonte të promovohej si rendi që bënte punime të mëdha. Liqeni i Maliqit ishte një sipërfaqe tejet e madhe, e cila nuk mund të thahej për disa muaj. Në fund të prillit 1945 ishin marrë masat për të filluar tharjen e kënetës. Më 5 maj 1946 me anë të një ceremonie filluan punimet për tharjen e kënetës së Maliqit. Koçi Xoxe ka mbajtur fjalën e rastit duke thënë se punimet për tharjen e kënetës do të mbaronin brenda afatit.
Premtimi i kotë ishte dhënë se përurimi do të bëhej më 28 nëntor 1946. Mosplotësimi në kohë i tharjes së kënetës u shfrytëzua si kombinacion i rekomanduar nga jugosllavët për të sjellë procesin e nëntorit 1946, me të cilin u pushkatuan me skena makabre mesjetare teknikët më të mirë të asaj kohe në Shqipëri. Ky proces ishte përdorur si sebep për largimin e misionit amerikan nga Shqipëria. Me mbarimin e vitit 1946, qeveria komuniste duhet të provonte se e thante kënetën edhe pa specialistët e pushkatuar, të cilët ishin “sabotatorë”. Pak muaj më vonë, në pranverë 1947 u hap kampi i Orman-Pojanit (Vloçisht). Qendra e kampit ishte në Vloçisht, por front pune kishte edhe në Nishavec. Në këtë mënyrë kemi nisjen e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, me të burgosur politikë.
Dekreti i vdekjes
Një dokument që mban vitin 1946 zbardh dekretine dënimit me vdekje të inxhinierëve të Maliqit. Edhe pse ata këmbëngulnin për pafajësi dhe kërkonin t’u falej jeta presidiumi i Kuvendit Popullor e refuzoi kërkesën për faljen e jetës…
Në mbledhjen nr.59, datë 19.11.1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e kërkesave për faljen e jetës së bërë nga të dënuarit e procesit të parë të “Maliqit” dhe familjarët e tyre, duke urdhëruar ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës, Kujtim Beqiri dhe me pushkatim të VasilManos, ZorikaManos dhe EugenioScaturos.
Uria e bën njeriun shtazë; një rrëfim nga Reshat Agaj
Ditari i një ish-të burgosuri në Kënetën e Maliqit sjell tablonë e dhimbjes dhe përballjen me ashpërsinë e diktaturës në ato vite.Një tjetër tablo dhune vjen nga kampet-burgje, ku të burgosurit shfrytëzoheshin dhe trajtoheshin si skllevër të mesjetës.
”Këtu kam parë me sytë e mi se uria e çon njeriun të bëhet një shtazë e vërtetë. Ai që nuk e njeh urinë, nuk e njeh fare jetën. Vuajtjet këtu arritën kulmin e durimit njerëzor dhe shumë njerëz, që ishin pak të kaluar në moshë, u enjtën aq shumë nga këmbët dhe fytyra, sa u bënë të panjohur e mezi njiheshin. Ënjtja, thonin doktorët, vinte nga mungesa e vitaminave. Në kamp kishim nja pesë doktorë që mbanin infermierinë në këmbë. Edhe ata ishin të burgosur me dënime të ndryshme. Kur policët vendosnin që njëri të shkonte në punë, sado të thonin doktorët se ai nuk ishte në gjendje, nga që ishte i sëmurë, ai do shkonte medoemos e, në vdiste rrugës, asnjeri nuk e çante kokën për të. Polici më i tmerrshëm i këtij kampi ishte një kurveleshas, vendosur me familjen e tij në Lushnje. Ai ishte një tigër i vërtetë, i pashpirt dhe pamëshirshëm. Një tjetër polic, që gati sa s’më vrau në vend mua, ishte Ali Gana, nga Tërbaçi i Vlorës, i cili kish patur familjen e tij më parë në Brusnjë, ku banonin kushërinjtë e mi dhe kishte një urrejtje të pashpjeguar kundër gjithë familjes Agaj. Një ditë me shi, kur ra bilbili për të ndaluar punën, unë u vonova vetëm pak çaste për t’u vënë në radhë, sepse po fshija baltën që më ish ngjitur për trupi. Aliu erdhi pas meje e më dha një grusht aq të fortë në hundë, sa më shkoi gjaku rrëke dhe, po të kisha lëshuar një zë sado të vogël,apo ndonjë fjalë, ose, po të kisha bërë ndonjë gjest ankues, ai mbante dorën në kobure gati të ma hiqte. Fatmirësisht e durova këtë grusht me durimin e shenjtorit dhe nuk lëviza nga vendi.”
Më pas Reshati tregon edhe një rast tjetër, kur ai deshi që të mbushte paguren me ujin e kanalit, mbeti i fundit i kolonës, atëherë i shkon pranë polici, dhe e shtyu fort; e hodhi me kokë në fund të kanalit dhe koka iu fut në baltën e madhe, gati sa nuk i mori frymën.
Në këtë kohë një polic që ishte në anën tjetër, se kolona e të burgosurve shoqërohej nga të dy anët e kanalit me dy rreshta të gjatë policësh të armatosur gjer në dhëmbë, i bërtiti policit që e shtyu, duke i thënë:
– A t’i bie qenit, a t’ia marr shpirtin qenit?
Ai i dëgjonte qartë fjalët dhe orë e çast priste që t’i fishkëllente plumbi në trup, siç kishte ndodhur dhe me shumë të tjerë që e kishin pësuar.
Një tjetër polic i thirri:
– Ik përpjetë, ik përpjetë!
Dhe ai, i trullosur dhe pa mend siç ishte, u hodh përpjetë dhe nisi të vrapojë derisa të zë kolonën, që ishte disa hapa para tij, duke lënë në vend torbën dhe ato pak rraqe që mbante me vete, si tasin e gjellës dhe të tjera.
Ai shkruan në ditar se aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite, saqë, kur e pa veten në pasqyrë të dielën pasuese, vuri re se, që nga mesi i ballit e deri prapa kokës, një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e tij.I ishin zbardhë flokët nga tmerri, që përjetoi.
Kështu kaluan gjashtë muaj tmerri.Në ditar gjenë raste ekstreme dhune, gjenë të përshkruar tablonë mjerane të urisë, ku të burgosur me sy të errësuar nga të pangrënit, mbyllnin sytë dhe mblidhnin lëkurat e patateve që hidhnin në ujëra e zeza ata të guzhinës, të cilat i hanin si të babëzitu.
Një tjetër tmerr dhe mallkim për ata ishin morrat, që kishin mbuluar jo vetëm barakat, por edhe fushën e madhe midis barakave.
Rrahjet dhe dhuna ishin të zakonshme. Injoranca e policëve merrte jetë të pafajshme.Gjatë një kontrolli, Reshatit i gjetën një libër në gjuhën angleze, që ia kishte dhënë ViktorDosti. Edhe pse i tha policit se libri vërtetë ishte në anglisht, por ai fliste për Englesin. Mirëpo polici s’dinte se ç’ishteEnglesi dhe godiste pa pushim vetëm pse libri ishte në anglisht.Më 14 nëntor 1948 i kthyen në burgun e Tiranës, të lodhur e të raskapitur.”
/Kujto.al
*Fragmenti është shkëputur nga libri “VËLLAI I PENGUT”, botuar në Gazetën Illyria