(Rreth romanit “NJË ZEMËR E KURSYER” e autorit Preng Maca)
Eli Kanina
Pas modës që media, botuesit, Panairi i Librit kanë imponuar, për të lexuar autorë të superlauruar dhe kryesisht letërsi të huaj, marr në dorë një roman me autor shqiptar. E kam takuar në aktivitete, e kam lexuar poezinë dhe tregimet e tij, dhe modestia me të cilën ai shkruan e prezantohet, është një argument më tepër për ta lexuar. E kam si një orientim të vetes në hullinë e krijimit ku ndodhem, të di e të lexoj autorë bashkëkohorë të letërsisë shqipe. Edhe lexuesit, përveç bestsellërve, duan të gjejnë në libra, reflektime e këndvështrime që na çojnë tek i njëjti emërues i përbashkët: kjo është Shqipëria, ky është raporti ynë me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj! Një letërsi mund të ngacmojë kujtime sepse fati i njërit ndonjëherë përngjan me fatin e të tjerëve. Pas leximit, do ketë më pak dilema dhe më shumë qartësi për vendimet që duhet të marrim në rrethana të ofruara çuditshëm nga jeta.
Autori Preng Maca e titullon romanin e tij “Një zemër e kursyer”. Ose një dashuri e shkuar dëm, thënë ndryshe, pasi lexon romanin. Autori nuk është kursyer me baulen e tij të kujtimeve. Ai shpalos kujtime duke veshur edhe shpirtin e lexuesit sipas rastit. Herë me rroba festive kur gëzon për lojrat, fëmijërinë, dashurinë, pasionin e të shkruarit. Herë me rroba të trishta monokrome kur flet për monotoninë, varfërinë, veset e qytetit të tij. Si pjesë e vazhdim i jetës, nuk mungon as zija e vdekjes, që për qytetin e minatorëve ishte riti i trishtueshëm i banorëve, duke përgjuar çdo ditë ata që futeshin nën tokë. Si një qytet i dënuar me vdekje, nga silikoza gërruese apo nga përleshja me malin e pabesë, me dy bukë e dy çaja tek e tek në barkun e untë, të gjithë qanin, pavarsisht kujt i përkiste i vdekuri .
Që në krye të leximit, Elmazi, personazhi shurrdhmemec do të na shoqërojë në çdo kapitull, duke u shfaqur jo thjesht për të na kujtuar ekzistencën e tij. Antikapi i tij është një metaforë e heshtjes, në të gjitha rrethanat.
Së pari heshtja e Elmazit është TAKSIRAT i Zotit, një defekt kongenital, të cilin ai s’e ka përzgjedhur por i ka rënë për hise. “Ndoshta Zoti e nisi për zog, pastaj ndërroi mendje dhe e shndërroi në njeri” thotë autori. Si fëmijë, autori friksohet, habitet, mësohet, e pranon, ndjen edhe zili për shurrdhmemecërinë e tij kur thotë “bëhesha Elmaz” për të mos folur. Ndërsa të tjerët e shohin me mëshirë e për gjyhnah, Elmazi nuk dëgjon e as flet, por mendon. “Mendoj, pra ekzistoj” thotë Rënë Dekart.
Së dyti kjo heshtje është VIRTYT. Ajo na kujton një fjalë të moçme që thotë “mësoje fëmijën të heshtë se për të folur ka gjithë jetën!” Heshtja e fëmijës si urti, si dëgjim, si mësim, si mençuri është heshtja pozitive, që fëmijët e virtytshëm duhet të kenë si sjellje gjatë rritjes, në familje, në klasë, në rrugë, me prindërit, me të njohur e të panjohur. Elmazi dukej edhe më i mirë e më i bindur ashtu i heshtur, edhe pse mund të vlonte së brendshmi nga padrejtësitë e ngjarjet në qytet.
Së treti, heshtja e Elmazit ishte edhe FAT, po të kemi parasysh atë sistem ku për një llaf goje ndëshkoheshe e të fluturonte koka. Pra e keqja e tij, i shërbente për mirë. Elmazi ishte i mbrojtur nga e meta e tij, ndryshe nga dy djemtë që u dënuan si armiq sepse kishin folur për dëgjimin e radio Prishtinës. Për sa kohë Elmazi nuk i rrëfente dot mendimet e tij, nuk rrezikohej.
Preng Maca nis udhëtimin në qytetin e tij magjik me natën e parë të mbërritjes ku humbja e këpucës ishte një përcaktim fati si i Hirushes, për princ-qytetin. Dimrin me lojrat pranë sobës me dru, soditjen e trumcakëve nga dritarja, festën e vitit të ri, autori na i sjell përmallshëm e ngrohtë nga fëmijëria. Gjejmë aty dhembje për harabelin që vdiq sepse e dehu natyra, ky ishte çmimi i lirisë, që do ta kujtonte më pas, gjatë rritjes.
Ardhja e ikja e të huajve specialistë apo banorë të përkohshëm në atë qytet minatorësh, përveç se i zgjeronte kufijtë, ishte edhe një zbavitje, një kuriozitet, një kulturë ndryshe, një mister kërcënues apo një frikë e presion i përhershëm për banorët e për fëmijët. Përjetimet e ikjes së gjermanit Ekat, arrestimi i grekut Jani Fanaqi, Pavla simpatike çeke moskokëçarëse e me minifund, kinezët që qeshnin e shpërndanin dinsiktivat e Mao Ce Dunit, rrëfejnë një dinamikë të jetës në atë qytet, me formën e gropës, që përthithte brenda tij njerëz “disa për t’i vrarë ngadalë në minierë, disa i bënte armiq, disa i dërgonte për riedukim në minierë, disa i kthente andej nga kishin arrdhur pa i miqësuar kurrë”.
Edhe komshinjtë shënojnë kujtesa të pashlyera. Familja e inxhinier Zefit nga Shkodra, uratat e nanës së tij sa herë i mbushte ujë, si një shenjte, që ai beson se e ruajtën nga gjarpri. Përshkrimi i vetes si një Oselito atë ditë vere në fushën përtej qytetit, pranë burimit, i fshehur tek guri i çarë, duke përgjuar inxhinierin me të shoqen, që pikturonte e dashuronte të shoqin, vjen tek lexuesi si një sekret i bukur, ruajtur gjatë në mendjen e autorit.
Në kujtesë mbetet dhe arrestimi i inxhinier Bardhylit, që gazi i zi i Degës e mori me kokën futur në thes, si pëllumbat kur u mbyllin sytë për të mos parë rrugën e kthimit. Po kështu nënë Mudja me dardhat e saj, cigania me magjinë që e lehtësoi brengën e nënës, transferimi i Pjetrit të madh, i luajtur mendsh për dashurinë, që sa herë pinte e përmendëte Tringën.
Në veçanti sillet besimi në Zot, si një frikë nga fëmijëria “ata që shembën kishat do të kenë sakati të përhershme në pasardhësit e tyre”. Edhe mësimi i uratave nga nanëdaja si ninulla gjumi apo recitime, që kthehet në frikë se “mund të fusin familjen në burg”. Riti i ngjyerjes së vezëve dhe festimi i Pashkëve nga çifti i mësuesve Martini, përforcon frikën e autorit, se Zoti do të ndëshkojë njerëzit për braktisjen e tij. Por as që bëhet fjalë ta mohojë Zotin, pavarsisht frikës. Zoti mbetet besim, madje deri në habi “si mundemi ne të mos e donim ATË?!”
Po kaq mbresëlënëse është në sytë e autorit edhe dashuria e mësuesit të muzikës nga Korça, Minellës me Vasilikën, gruan e bukur që ngacmonte fantazinë e djelmoshave të qytetit. Ata shihnin në kinema Helenën dhe ëndërronin për Vasilikën, duke iu bërë hije në dritaret e shtëpisë kur vinte ndonjë të djelë. Hije që e tkurrnin dashurinë e Minellës ndërsa autori shprehet “histori me dashnore mbushnin qytetin, Minellën e përgjonin me gruan e ligjshme.”
E gjithë kjo tablo e qytetit me të gjitha nuancat e jetës, ka në thelb si qëllim të rrëfejë fatin e një dashurie. Qyteti orientohet prej dashurisë. Herë si pengu i Pjetrit të madh, herë si tradhëtia e mjekes, herë si varkë mesazhesh që ishte si moli prej nga duhet të niseshin gjithë njerëzit drejt dashurisë, herë si një flirt vështrimesh me Rozinën në shkollë, kur “ajo dridhet si shelna në ujë”, herë si skandal i një letre dashurie në flagrancë. Edhe pas ikjes së Rozinës, dashuria e motivonte autorin, si një peng që pret një tjetër kohë për tu realizuar, atë të shkollimit në Tiranë. Ndoshta ishte edhe si një mënyrë për të ngrysur ditët në atë sistem ku “populli vihej në rrjesht për të parë shfaqjen e shëmtuar të shpikjes së armiqve, dënimin e krimeve të paqëna.” Kjo shpjegon edhe dilemat e Aleksit në fund të romanit.
Dashuria, kaq e nevojshme në atë vend, mbushur me njerëz që nuk dinë të qeshin, përligjet edhe më tepër nga grupi që tashmë ishin shënuar poetë dhe nuk mund të ndaheshin më me poezinë, ku bën pjesë edhe autori.
Por as tabloja e qytetit të minatorëve dhe as dashuria me Rozinën nuk do ta bënin interesant këtë roman, pa stilin e përzgjedhur për ta rrëfyer prej autorit, si një dorëshkrim nga kolegu i tij. Madje duket se është pikërisht kjo gjetje, nga ku autori është ulur të shkruajë gjithçka, i çliruar nga paragjykimet dhe përgjegjësia e shpjegimeve për sa rrëfen e rrëfehet. Si një ballafaqim dykohësh, dashuria e dikurshme e Aleksit, rrëfehet tani si një fiksim i përjetshëm i Rozinës.
Një dashuri e pakryer është e përkryer! Koha është testi më i mirë i dashurisë, dhe Rozina shfaqet edhe më e maturuar në kohë. Pasiguria, ngërçi dhe frika e Aleksit, edhe pse Rozina e këshillon “kurrë mos kij frikë nga një njeri që të do!” e bëjnë të pamundur dashurinë. Ndoshta ai ia kursen vetes, aventurën e dashurisë, për tu mjaftuar me atë që ka, ashtu siç thotë Shekspiri “Mos prish kurrë të tashmen tënde për një të kaluar që nuk ka të ardhme.”
Aksidenti i Aleksit e bën të duket edhe më tragjik, fatin e kësaj dashurie të pamundur. Dikur e larguan Rozinën prej tij, tani ishte Aleksi që nuk ndien njësoj apo ka frikë të jepet. Ndërsa me refuzimin e dashurisë, ai pretendoi një farë paqeje familjare, Zoti i fali paqen e përjetshme…
Ky është fati i njeriut, kundra të cilit nuk shkohet në fund të fundit!