Neritan Ceka: Rehabilitimi i Varreve të Selcës, s’restaurohet pa specialistë trashëgimia

Arkeologu dhe autori i vetëm i kërkimit të varreve monumentale të Selcës, Neritan Ceka, nuk përfshihet në projektin rehabilitues të këtij monumenti të prezantuar pak ditë më parë nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, së bashku me ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin; projekti kushton 250 mijë euro, ndërsa Ceka pohon se “projekti i tij”, i shpërfillur nga MK, por i dorëzuar në shkurt të 2018 në Bashkinë e Korçës, kushton vetëm 52 milionë lekë

Intervistoi: Violeta Murati



Z.Ceka, së fundi Ministria e Kulturës ka prezantuar një projekt për rehabilitimin e varreve monumentale të Selcës, financuar me 250 mijë euro nga BE. Promovimin e këtij projekti, Kumbaro e ka bërë së bashku me znj. Vlahutin si duket për të krijuar një atmosferë besueshmërisë. Ju jeni direkt, i vetmi autor, arkeologu që jeni marrë me varret e Selcës, sa dorë keni ju në këtë projekt të paraqitur nga Ministria?

Zero. Sepse e kam marrë vesh nga media, pavarësisht se unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me zonjën Kumbaro. Jo më shumë se tre muaj më parë, kemi biseduar një orë rresht, dhe pikërisht mbi nevojën për të rijetëzuar monumentet e kulturës në Shqipëri, dhe kundër praktikës që ka ndjekur ministria që i bën projektet pa specialist. Në këtë projekt tani s’kam asnjë dijeni, pavarësisht se tani jam autor i vetëm i kërkimit të varreve në Selcën e poshtme, botimin e tyre në një libër të veçantë, botimet herë pas here të monumenteve të Selcës në librat e mi, edhe vazhdimin e ekspeditës në vitet 2011, 2012 me një ekip të përbërë nga arkeologë të Institutit të Arkeologjisë, me vetë drejtorin Luan Përzhita, me vajzën time, Orgita Ceka që është brezi i tretë i arkeologjisë, me arkeologë të asaj kohe, dhe me një ekip të Universitetit të Torinos.

Diku Kumbaro në fakt është shprehur se keni qenë përfshirë në fazën fillestare të këtij projekti, sa është e vërtetë kjo, sa kontribut keni në këtë projekt?

Absolutisht, nuk kam asnjë kontribut në këtë projekt, dhe as nuk jam njoftuar për këtë. Kjo është një gënjeshtër skandaloze.

Janë deklaruar 250 mijë euro për rehabilitimin e varrezave të Selcës, është një “lajm pozitiv”, por projekti duket totalisht enigmatik se kush e merr përsipër, nga arkeologjia, përveçse ndërhyrjes politike që bën kaq para. A keni patur ju ndonjë projekt?

Ka një projekt ekzistues. Në shkurt të vitit 2018 kam paraqitur një projekt me kërkesën e Prefekturës së Korçës, dhe bashkisë Pogradec, ku është bërë një mbledhje që kam asistuar. Më pas e kam paraqitur, në po atë muaj, kam paraqitur projektin i cili parashikon konservimin e varreve monumentale, një restaurim të kujdesshëm atje ku duhet, sepse s’ka nevojë për restaurime masive, sistemimin e shtigjeve, rrethimin e pjesshëm të monumenteve, krijimin e mjedisit për ata që do punojnë (një barakë për veglat e punës, dhe tabelat) dhe e gjithë kjo me koston prej 52 milionë lekësh të vjetër, duke përfshirë këtu dhe dietat, pagesat për projektuesit, të gjitha shpenzimet.

Me këtë ju nxirrni dy probleme, e para që lidhet me mosdijeninë e përmbajtjes së projektit të Ministrisë, si dhe diferencën e financimit, koston që ju keni nxjerrë më parë pothuaj për të njëjtin projekt; rehabilitimin e varreve të Selcës…

Unë nuk e di se ku është prezantuar ky projekt. Edhe kur e lexova thoshte për rijetëzimin, konservimin dhe restaurimin e varreve monumentale të Selcës së poshtme. Këto janë fjalë shumë të përgjithshme.

Në ç’gjendje janë varret e Selcës?

Varret e Selcës natyrisht që janë monumente shumë solide. Janë bërë restaurime nën drejtimin tim, në vitet 2000, si për konsolidimin e tyre, ashtu dhe të pjesës që rrezikonin nga reshjet. Në vitet 2011-2012, kemi bërë përsëri rikonsolidimin e mbulimin e varreve, të themi më mirë e strehëve të varreve monumentale; kemi bërë hapjen e rrugëve dhe vendosjen e disa tabelave, pastrimin e tyre dhe, gjendja mund të themi ka qenë mjaft e mirë. Pavarësisht se Ministria e Kulturës për një kohë të gjatë nuk ishte kujdesur, sidomos pas heqjes së kujdestarëve të monumenteve që është një akt nga më absurdët, që ka sjellë pasoja katastrofike për monumentet e kulturës.

Në prononcimin e saj në Facebook, në diferencë çfarë po shpjegoni ju, tregon se varret e Selcës ishin në gjendje katastrofale, pa u vënë dorë prej vitesh…

Natyrisht që zonja Kumbaro nuk i di gjërat, edhe i di pjesërisht, pasi punimet janë bërë në vitin 2011 dhe 2012 kur s’ka qenë ministër, dhe kur erdhi si ministre ndaloi projektet e Selcës. Ju mund të kontrolloni aktet e KKA-së, ku Instituti i Arkeologjisë ka paraqitur vazhdimin e projektit në vitin 2014 dhe ka qenë personalisht zonja Kumbaro që ka ndaluar projektin.

Atëherë kujt i intereson që të “përdoren” varret monumentale të Selcës në këtë mënyrë, kur mund të bëhemi entuziastë se po investohen 250 mijë euro, një shumë gjigante në krahasim me shifrën që thoni ju se mund të kushtojë ky projekt?

Sepse nuk është hera e parë që ministrja e Kulturës fut duart në paratë e monumenteve. Unë mund t’ju çoj në Apoloni dhe mund t’ju tregoj se ku i ka dërguar zonja Kumbaro 750 mijë euro që janë investuar atje. Është një investim absurd. Nuk ka asnjë euro në monumente. Rrugët në Apoloni janë përrenj. Tabelat janë shkatërruar nga dielli. Është bërë një investim absurd gjasme kundër zjarrit, ku shanset për të rënë zjarr në monumentet e Apollonisë janë zero %. Është bërë një parking që nuk ka asnjë lidhje me Apoloninë. Dhe nuk është i vetmi rast, në mos gaboj, është edhe Finiqi ku janë harxhuar 300 mijë euro. Aty është hedhur vetëm çakull dhe drunj që janë djegur dhe rënë përtokë, dhe asnjë euro nuk është investuar në monumentet e Finiqit.

Janë mbajtur me dërrasa dhe teneqe dhe ky është menaxhimi skandaloz i Ministrisë së Kulturës që kur ka ardhur zonja Kumbaro në krye të saj. Ndërsa rasti i Selcës tregon jo vetëm injorancën e ministres Kumbaro në lidhje me monumentet, pasi është hera e parë besoj, që viziton dhe flet pa asnjë kompetencë. Nuk e di se kush e ka shoqëruar në Selcë.

Ç’është Selca, pse bëhen kaq të rëndësishme varret monumentale?

Varret e Selcës janë monumente unike jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Ka arkitekturë të tillë të realizuar kaq bukur, dhe një vend piktoresk që nuk e gjen në asnjë vend të rajonit. Mund të gjeni në Turqi, apo pjesërisht në Itali në zonën e Truskëve, ose në Italinë e jugut që janë nëntokë. Por këto janë monumente që lidhen me forcën e Mbretërisë Ilire, janë të lidhura me mbretërinë juglindore ilire, pasardhësit e Bardhylit, dhe të Klitit. Duhet të kenë vazhduar edhe gjatë shekullit të 3-të siç e tregojnë varret monumentale të ruajtura. Nuk shfaqen shumë në histori, por vetëm njëri prej tyre në shekullin e tretë, që duhet të jetë edhe mbreti i fundit i kësaj dinastie, Bardhyli i ri, që i jep vajzën për grua, mbretit Pirro. Dhe duket se Selca ka qenë rezidenca e tyre. Kjo është arsyeja pse gjejmë aty katër varre monumentale të gdhendura në shkëmb, njëri më i bukur se tjetri, të realizuar duke zbatuar elementet e arkitekturës antike të kohës, por me një krijimtari të jashtëzakonshme. Kjo e bën Selcën një vend shumë interesant, lidhur dhe me hapjen e rrugës së re automobilistike që shkurton rrugën drejt Qafë Plloçit.

Si punon arkeologu në ditët e sotme përballë një arkeologjie që e kemi të pasur, por për fat të keq e kemi në shkatërrim, ku prej 20 vitesh raportohet e njëjta shifër, me mbi 2 mijë monumente drejt zhdukjes, dhe asgjë s’ka lëvizur…?

Besoj që jemi në katastrofë. E kam thënë edhe në kohën kur isha këshilltar i Berishës, megjithatë kam pasur kundra reformës që kam propozuar ministrin e Kulturës, ministrat e atëhershëm. Kemi pasur këtë fatkeqësi që gjithë seria e ministrave të Kulturës kanë qenë antikulturë dhe një

një politikë jo patriotike në drejtim të trashëgimisë kulturore. Kjo gjë është shprehur edhe në tipin e ministrave që janë zgjedhur nga të gjithë kryeministrat të Shqipërisë. Mund të themi që gjendja e arkeologjisë është më e keqja që nga koha e Perandorisë turke. Nuk ka qenë ndonjëherë kaq keq arkeologjia qoftë në konsideratën që ka në opinionin e qeverive të fundit shqiptare, qoftë në financimet. Por unë po ju them se arkeologjia shqiptare financohet me rreth 30 mijë euro në vit kur, 250 mijë euro i shkojnë Selcës nga BE-ja, edhe 750 mijë euro i çojnë Apollonisë përsëri nga BE. E mendoni që me 30 mijë euro, ç’mund të bëjë arkeologjia shqiptare…A do botojë librat? A do paguajë benzinën për të shkuar në objekt? A do paguajnë punëtorët? Arkeologët shkojnë pa dieta, pa mjete paguajnë vetë benzinën dhe kjo ka bërë që në arkeologji të mos afrohen më të rinj, ndërkohë që ministria e kulturës ka vetëm plane se si ta shesë arkeologjinë. Ne kemi një arkeologji që ka krijuar pasuri. Vetëm Butrinti prodhon 1 milion euro ne vit dhe ministrja Kumbaro ka bërë plan se si t’ia japë këtë pasuri fondit shqiptaro-amerikan, që po merret me rregullimin e shesheve të qyteteve

Si menaxhohet trashëgimia, pati një reformë ku hoqën drejtoritë rajonale, sa ndikoi kjo…?

Këtu nuk ka pasur asnjë reformë por ka pasur një shkatërrim të vazhdueshëm nga Ministria e Kulturës që në ligjin e 2002-shit, në ligjin e 2008-tës ku kompetencat i kishte Agjencia e vetme e Ministrisë së Kulturës që është në institutin e monumenteve, që më parë është drejtuar nga personalitete të fuqishme të shkencave të trashëgimisë kulturore si: Emin Riza, Aleksandër Meksi, Apollon Baçe, Valter Shtylla, Hasan Nallbani etj., ku u nxor jashtë loje, të gjithë kompetencat e bërjes së të ashtuquajturave projekte d.m.th. ku janë paratë që i mori direkt drejtoria e trashëgimisë kulturore dhe ministria ku është vetë ministrja. Natyrisht është e vetmja ministri, që në vend të bëjë politika bën menaxhim dhe e bën menaxhimin për të marrë dhe ato para të të sëmurit të rëndë që është në këtë rast trashëgimia kulturore.

Këtu kemi rastin t’ju pyesim mbi ligjin e trashëgimisë kulturore, që sapo është miratuar, por dimë se ka pasur mjaft kontestime, ju si e shikoni këtë ligj të ri, sa mbrohet trashëgimia?

Ky ligj e sanksionon këtë gjendje kaotike domethënë ku ministria merr edhe kompetenca të tjera. Ministria me këtë ligj tani, ka krijuar nja 30 tavolina të reja dhe, në terren nuk ke asnjeri. Ka krijuar edhe një institucion absurd inspektorati për monumentet e kulturës, kur monumentet e kulturës nuk dihet ku i kanë, nuk kanë para për t’i mbajtur, krijojnë edhe inspektorë. Merreni vesh tani çfarë bëhet, këtu vetëm krijojnë tavolina, asgjë tjetër.

Ju jeni thirrur për konsultë?

Natyrisht që jam thirrur për konsultë në komision, kam shprehur mendimin duke e konsideruar si një ligj absurd, një ligj i cili përmban 3 ose 4 ligje dhe, në vend që të hapin një perspektivë për përmirësimin e gjendjes, shton, thellon katastrofën në monumentet e kulturës. Ne vetëm në vitet e fundit kemi humbur qindra metro katrore afreske, kishat tona janë të rrënuara. Këta shkojnë rregullojnë një kishë ndërkohë që janë 200 apo 300 kisha të tjera të vlerave të jashtëzakonshme sidomos këta të periudhës posbizantine që janë vlera të mëdha kulturale, të pazëvendësueshme të trashëgimisë sonë.

Kam një shqetësim, juve keni qenë njeri i politikës, i përfshirë në politikë dhe, jeni nga të vetmit që e keni bërë paralel profesionin e arkeologut. Ky model i një profesionisti të përfshirë edhe në politikë a e komprometon kauzën e tij, si në rastin tuaj, tani?

Unë nuk jam anëtar i asnjë partie politike, nuk e konsideroj veten opozitë e, as në pozitë natyrisht nuk jam. Por besoj që jam një institucion në kuptimin e një njeriu që e ka parë politikë si një përkushtim patriotik në vitin 1990. Nuk jam sot kur del që politikani është i ngatërruar me lloj-lloj historish, kur kanë pasuri të cilat nuk i justifikon. Unë kam qenë në ditët e vështira kur rrezikoja jetën time, kam rrezikuar jetën e familjes time, nuk kam ikur asnjë ditë nga Shqipëria ashtu siç kanë bërë ata që drejtojnë sot Shqipërinë. Kam qëndruar në kohët më të rrezikshme. Dhe në atë kohë po ju them që kam shkuar në Apolloni në ditët e vështira në mënyrë që mos të vidhej muzeu i Apollonisë kur, të gjithë shkonin për të vjedhur Shqipërinë, depot e saj. Kjo është një dëshmi. Kështu siç kam qëndruar arkeolog në gërmime dhe kur kam qenë deputet kam vazhduar gërmimet në Butrint vitet 2004-2005, në Selcë 2010-2011. Kam botuar më shumë libra e artikuj se sa kolegët e mi pa u shkëputur nga jeta parlamentare. E kam konsideruar veten në politikë si përkushtim dhe jo si përfitim. Edhe sot në qoftë së e them këtë, nuk kam asnjë mllef, nuk kam asnjë gjë. Jam në pension, kam një pension të kënaqshëm, kam konsideratë kudo që shkoj. Por e quaj të papranueshme që një trashëgimi e cila është kaq e pakët, është gënjeshtër që thonë se Shqipëria ka pasuri të madhe kulturore, por kemi pak dhe ato po prishen. Unë po ju them një nga akuzat kryesore që kemi për komunizmin është që ka prishur kishat. Dhe që nga 2000 e deri sot janë prishur më shumë kisha se në kohën e komunizmit, po flas si numër, ndërsa si cilësi pothuajse asnjë kishë me vlerë nuk është prishur pasi lista e monumenteve është bërë nga një ekip kompetentësh siç ishte Aleksandër Meksi, Aleks Buda, Hasan Nallbani, Dhorka Dhamo të cilët janë emra të mëdhenj të historisë shqiptare në krahasim me picirrukët që drejtojnë sot punën për vjedhjen e pasurisë kulturore.

Po ndodh shpesh e më shpesh me ndërhyrje arbitrare, flagrante në monumente apo në arkeologji. Ishte kauza që ngriti arkeologia Etleva Nallbani për Komanin, kauza e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë për Gjirokastrën; ja dhe varret e Selcës, kauza juaj që e quani skandal duke ju lënë ju jashtë këtij projekti. Çfarë e bën kaq rezistente, të pamundur qëndrimin tuaj në këto kauza që janë në një luftë të vazhdueshme me shtetin?

Të thashë që vetëm dhimbja që po humbim një pasuri të pazëvendësueshme ku është kontribuar me jetë. Kjo vjen ngaqë në drejtimet e këtyre punëve kemi njerëz kaq arrogantë, të cilët nuk konsiderojnë vlerat intelektuale që ka Shqipëria. Në vitet ‘80 Shqipëria ka qenë në pararojën e punës për arkeologjinë dhe restaurimin në plan Europian. Këta njerëz vijnë tani dhe thonë se çdo gjë është braktisur, që Shqipëria s’ka specialist. Këta nuk të takojnë për të të marrë një mendim, të shumëzojnë me zero për hiçgjë, vetëm sepse një ditë papritmas i kanë sjellë në pushtet. Por kjo është një arrogance. Jo se prekem nga pikëpamja e sedrës por kjo është në dëm të ruajtjes së pasurisë kulturore. Unë nuk e konceptoj që në krye të institucioneve për administrimin e pasurisë kulturore janë njerëz që s’kanë asnjë përgatitje në këtë fushë. Në Institutin e monumenteve që janë drejtuar Gani Strazimiri, Leka Meksi apo Emin Riza tani kemi njerëz pa tituj. Është një Agjenci e Shërbimit Arkeologjik që drejtohet nga një person që nuk është fare arkeolog. Me një arrogancë të tillë, me një indiferencë të tillë ndaj vlerave intelektuale që nuk mungojnë, çfarë do të bëjmë?! Nga një anë do të dëmtojmë monumentet e kulturës, trashëgiminë kulturore dhe nga ana tjetër do të dekurajojmë karrierën e të rinjve të cilët futen në këtë disiplinë shumë të rëndësishme. Sot Instituti i monumenteve nuk ka më arkeologë, nuk ka më specialistë dhe kjo është arsyeja që projekte të tilla të rëndësishme si Selca me shanse financimi nga BE bëhen nga njerëz anonim, nga studio klientele edhe natyrisht që paratë avullojnë si në rastin e Apollonisë apo Finiqit. Mendoj se kjo nuk është një çështje vetëm e mendimit intelektual, as çështje e Forumit që del për Gjirokastrën, por mbyll gojën për Selcën sepse janë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, nuk janë domethënë njerëz të pavarur. Kjo është e keqja e shumë organizatave që krijohen si pjesë e pozitës dhe opozitës dhe pastaj detyrohen të heshtin. Unë mendoj që këtu ka nevojë për njerëz që të mos ruajnë karriget e tyre por të ruajnë dinjitetin e tyre intelektual.

Si do ta përfundoni rastin e Selcës? Cili është roli i Institutit të Arkeologjisë në këtë rast?

Unë mendoj që të shkojë deri te Mogherini. Sepse besoj që në rastin e Selcës fajtore nuk është vetëm Kumbaro që e ka praktikë këtë punë qoftë nga paaftësia e saj në drejtimin e njohjes së fushës ku e kanë vënë për të kullandrisur por edhe në mënyrën skandaloze si delegacioni Europian përdor fondet e taksapaguesve Europianë apo që nuk pyet fare se kush i ka bërë projektet dhe nuk pyet fare se çfarë rezultatesh kanë investimet që bën. Kjo është një përgjegjësi e madhe e drejtueses së këtij delegacioni, zonjës Vlahutin që duhet të kishte mësuar diçka nga dështimet skandaloze në Apolloni edhe në Finiq dhe të paktën në rastin e tretë duhet të kishte marrë konsulencën profesionale. Këtu nuk jam anashkaluar vetëm unë si autor por është anashkaluar Institute i Arkeologjisë dhe këtu nuk bëhet në rrugë institucionale. Është anashkaluar në Finiq, Apolloni dhe po anashkalohet edhe në Selcë dhe kjo bëhet me qëllime të caktuara, domethënë zgjidhet rruga ministri-studio dhe pastaj kompanisë zbatuese. Kjo natyrisht është rruga e korrupsionit, ku implikohet edhe delegacioni Europian. Çështja e tretë është gjendja katastrofike që kemi në menaxhimin e monumenteve të kulturës. Kjo që po kthehen në pazar, kjo duket me qysh shitjen e Butrintit në vend që të merret modeli anglez që e kthen këtë pasuri, përsëri në dobi të investimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. Këtu shitet çdo gjë, si në rastin e Selcës, ku vetëm një naiv se aty nuk mund të investohet 250 mijë euro. Unë jam specialist, dhe kam deklaruar se vetëm 45 mijë euro janë të mjaftueshëm, ndryshe pjesa tjetër do të bëhet beton dhe do të vidhet. Kjo është arsyeja. Këtu kemi njerëz që nuk u intereson monumenti, por duan të marrin pjesën e tyre te 250 mijë euro. Unë personalisht kam shoqëruar disa ambasadorë në Selcë, kam kontakte të vazhdueshme me të gjithë ambasadorët e huaj në Shqipëri, duke u nisur nga karriera ime e fundit diplomatike, me të vetmen që s’kam asnjë kontakt është zonja Vlahutin edhe kuptohet cili është shkaku. Unë besoj që në këtë mënyrë paraqet imazhin më të keq të Europës, ose kjo është Europa që shpenzon paratë në mënyrën siç i kanë shpenzuar në Apolloni, Finiq dhe siç do t’i shpenzojë në Selcë, këto ngrenë shumë pikëpyetje mbi atë që ju kemi thënë shqiptarëve në vitin 1990 ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Nëse kjo është Europa, besoj se për këtë Europë s’kemi nevojë.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252