Nga Ndriçim Kulla
Kur një mazhorancë parlamentare fiton më tepër se një palë zgjedhje dhe rri gjatë në pushtet, atëherë flitet për “mandatin e parë qeverisës”, “mandatin e dytë qeverisës” etj., sipas rastit, duke u kuptuar me mandate periudha prej katër vjetësh midis dy palë zgjedhjeve. Por, po ashtu si për mandatet qeverisëse është me vend që të flitet edhe për mandate opozitare. Këtë e them për arsye se edhe partia e dytë më e madhe parlamentare që del nga zgjedhjet, megjithëse nuk ka marrë nga populli mandatin për të qeverisur, ka marrë mandatin për të qenë opozita kryesore dhe kjo është një përgjegjësi e madhe. Në këtë këndvështrim, kur një parti humb dy palë zgjedhje parlamentare rresht, siç i ka ndodhur Partisë Demokratike në Shqipëri, por mbetet partia e dytë më e madhe në vend, mund të flitet për mandat të parë opozitar, mandat të dytë opozitar.
Një parti e madhe parlamentare opozitare, e cila është e përgjegjshme, nuk mund të shkojë drejt fitores në zgjedhje nëse nuk është e vetëdijshme se humbja në zgjedhje mund të shihet me syrin e të parit të gjysmës plot të gotës, si marrje e mandatit opozitar. Sepse ka edhe humbje të tilla ku partia e humb edhe mandatin opozitar, duke mos qenë partia e parë opozitare. Në fjalimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha në Kuvendin e fundit të kësaj partie në fund të prillit, u pranua dështimi i kësaj partie në mandatin e parë opozitar, kur Basha tha:
“Ne duhet të gjejmë guximin dhe ta pranojmë, po, ata kanë dështuar, por edhe ne nuk ia dolëm!”.
Për herë të parë kryetari i partisë më të madhe opozitare pranon dështimin e partisë së tij në opozitë, më saktë në mandatin e parë opozitar, në vitet 2013-2017. Mua më la të kuptoja se Basha nuk e pa përgjegjësinë vetëm te qeveria, por tha se “Politika i ka braktisur dhe i ka zhgënjyer njerëzit”. Kur thuhet “politika” nënkuptohen të dyja palët, qeveria dhe opozita. Me këtë qëndrim bëri një hap të madh nga shpjegimi i dhënë vitin e kaluar pas zgjedhjeve se PS-ja kishte vjedhur zgjedhjet me paratë e drogës. Tanimë Basha beson se gjithsesi opozita nuk mund të kishte fituar në zgjedhjet e kaluara pasi populli e kishte braktisur opozitën në mandatin e parë opozitar, dhe kjo gjë kishte ndodhur sepse ishte zhgënjyer prej saj. S’ka pse të mos quhet një pohim i guximshëm për një lider opozitar, por që tregon përgjegjshmëri politike.
Dhe Basha në fjalimin e tij u përpoq që të shprehte me forcë pikërisht përgjegjshmërinë për marrjen e mandatit të dytë opozitar dhe bindjen se mandati i dytë opozitar duhet të jetë i ndryshëm nga i pari. Kjo gjë që u kuptua veçanërisht kur Basha tha: “Le të shohim njëri-tjetrin në sy dhe le të themi njëzëri: Kurrë më!”. S’ka pse të mos i besojmë pafundësisht njëri-tjetrit ndonëse kjo mbetet për t’u provuar.
Që në kontekstin në të cilin u tha ka kuptimin e një betimi se në mandatin e dytë opozitar nuk do të përsëriten gabimet e mandatit të parë opozitar. Basha foli në kuvend, në këtë fillim të mandatit të dytë opozitar, si një lider por dhe një njeri i cili në vitin e pestë në opozitë, kërkon të rifillojë edhe një herë nga e para procesin e të kuptuarit të atyre që pret populli nga opozita, ndjeshmëritë e tij, përparësitë, arsyet e skepticizmit popullor ndaj opozitës të shfaqura në mandatin e parë. Në fjalimin e tij shtroi sfidën e një dialogu të vështirë me popullin:
“I kam parë shqiptarët të rropaten për të mbajtur frymën gjallë, por i kam parë edhe me mosbesimin e tyre ndaj politikës, me mosbesimin e tyre ndaj nesh. Sepse nuk e dinë se çfarë ne mendojmë, ose sepse propaganda i ka bërë të besojnë të pavërtetat për ne… Mbi të gjitha njerëzit kërkojnë nga ne përgjigje: Çfarë besojmë ne? Cili është vizioni ynë, çfarë do të bëjmë ne, pse duhet të na ndjekin e të na mbështesin?”.
Është mirë që këto pyetje u shtruan hapur dhe qartë që tani, domethënë ende pa u mbyllur viti i parë i mandatit të dytë opozitar, sepse kështu mbeten akoma edhe tre vjet kohë, deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, që PD-ja dhe lideri i saj ta përmbyllin këtë proces, duke qenë zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm një provë gjenerale për reflektimin e opozitës dhe ndryshimin e performancës elektorale të saj. Tre vjet më vonë, në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2021, Basha duhet të dalë në kuvendin parazgjedhor të partisë me përgjigje të qarta dhe bindëse për pyetjet që ka shtruar më lart. Pastaj kjo duhet të shprehet në rezultatin e zgjedhjeve.
A është bindës Basha? Unë kam zhgënjimet e mia të mëdha të mëparshme të cilat i kam shprehur edhe publikisht por si një njeri që besoj te ndryshimi nuk mund të qëndroj skllav fanatik i këtyre zhgënjimeve dhe t’i vështroj ndryshimet me një skepticizëm të ngurtë. Ai vetë është i pari që thotë se njerëzit kanë të drejtë ta presin me dyshim edhe këtë ofertë politike që po u bën ai. Asnjë lider në politikën shqiptare në fakt nuk ka folur në opozitë me fjalë si këto më poshtë, kur u shpreh për vështirësinë në këtë pikë që kanë arritur gjërat në vend, për t’i bindur njerëzit edhe duke qenë në opozitë:
“Kjo është një betejë e vështirë sepse shumë njerëz e kanë humbur besimin te politika. Njerëzit nuk besojmë më tek aftësia për t’ u mirëqeverisur. Njerëzit nuk besojnë më se një tjetër premtim, një tjetër thirrje për ndryshim, nuk do të përfundojë më si më parë. Prandaj sot që ndryshimi nuk duhet të jetë më një e përkohshme, por një e përhershme, nuk duhet që thjesht ta ndalojmë të keqen por ta shkulim nga rrënjët e saj”.
Që njerëzit të besojnë te Basha dhe PD ata duhet të dëgjojnë diçka më tepër për këtë gjë: Si mund të ndalohet dhe të shkulet e keqja nga rrënjët.
Nëse Basha ka për elektoratin një ofertë bindëse në këtë sens, ai do të jetë fitues. Por që të mund të ndërtojë një ofertë të tillë, pra një platformë për ndalimin dhe shkuljen e së keqes, ai duhet të krijojë së pari, një ekip me njerëz që kanë ide dhe do të jenë kontributorë në ndërtimin e kësaj platforme. Sigurisht që kjo do ishte prova e parë e guximit dhe e fitores së pritshme të tij. Të pretendosh të shkulësh të keqen nga një shoqëri, kjo është një sfidë që pikësëpari është filozofike. Sigurisht që partitë nuk bëjnë traktate filozofike, por një përmasë filozofike është e domosdoshme në platformat e tyre të këtij lloji. Është tjetër gjë pastaj mënyra divulgative sesi shprehen idetë në terma të kuptueshëm për elektoratin e gjerë.
Unë si një intelektual që elaboron ide të filozofisë politike në libra studimorë, por që gjithashtu merret me divulgimin e ideve për masat e gjëra të lexuesve, mendoj se kjo është plotësisht e arritshme nëse në ekip përfshihen njerëzit e duhur me aftësi kontribuuese reale, pra koka mendimtare, jo koka që kanë hyrë për qoka politike.
Ndriçim !
Pikerisht pse e konsideron Partine Demokratike te tijen duke caktuar ai, jo forumet me vote te lire e te
ndershme, njerezit qe drejtojne, Lulzimi nuk fiton kurre.
TEK VETJA DUHET BESIM TE PLOTE DHE SHOQERI TE KRADUALISHT PER TE QENE ATY KU DUHET ME QENE CDO KUSH PER TE ARDHMEN E VENDIT