Kryesore

Nëse opozita do ishte në zgjedhjet e 30 qershorit, si do ndryshonte rezultati nga veriu në jug (HARTA)





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:09 - 27/06/20 |
Armand Maho

Sipas një projeksioni, duke marrë të paktën tri zgjedhje lokale në shifra, dhe dy parlamentare rezulton se opozita fitonte në pjesën dërrmuese të bashkive të Veriut që njihen si bastione të saj, 6 bashki në Shqipërinë e Mesme dhe në gjashtë të tjera në ato të Jugut. Rama dy muaj përpara zgjedhjeve luajti blofin, kur deklaroi se në rast se opozita do fitonte së paku një bashki më shumë se ai, ai do të jepte dorëheqjen. Opozita duke iu referuar dhe proceseve të mëparshme, mendoi një tjetër megaskemë manipulimi dhe këmbënguli në kushtin e ikjes së Edi Ramës nga Kryeministër që të hynte në zgjedhje.


Ky i fundit kishte bërë llogaritë e tij. E dinte se në një sfidë të barabartë përpara koalicionit, do e kishte të pamundur të mbante të njëjtin rezultat si në vitin 2015, ku e majta mori 45 bashki në të gjithë vendin. Gazeta MAPO është munduar të bëjë një krahasim të sjelljes së elektoratit të paktën në zgjedhjet nga viti 2007 e këtej, dhe krahasuar me rezultatit që mori PS e vetme në vitin 2019. Lufta sipas një përllogaritje të votave në tre apo katër zgjedhjet e fundit mund të bëhej në katër bashki, për të marrë një bashki më shumë se e majta në zgjedhje.


Opozita e bashkuar do të fitonte pjesën dërrmuese të bashkive të Veriut. Rreth 15 të tilla duke përfshirë, Shkodrën, Tropojën, Kukësin, Dibrën, Matin, Kurbinin, Bulqizën, Malësinë e Madhe, Fushë-Arrëzin, Vaun e Dejës, Hasin, Lezhën, Mirditën, Pukën, dhe duke lënë në pikëpyetje Krujën, ku kandidati i atjeshëm ka marrë dhe në zgjedhjet e 2019 gati të njëjtën numër votash. Në Shkodër, duke iu referuar pjesëmarrjes në vitin 2019, por dhe shifrave të mëparshme rezulton se do ishte bashki e sigurt, ashtu si Kukësi dhe Tropoja.


Malësinë e Madhe, votat e LSI kanë qenë përcaktuese për fitoren e kandidatit të atjeshëm, ashtu si dhe në Fushë-Arrëz ku fitorja e mazhorancës u nda në vitin 2015 vetëm me 130 vota, ndërkohë që votat e LSI-PDIU arritën shifrën e më shumë se 900 për këshillin bashkiak. Në bashkinë e Pukës rezultati është ndarë vetëm në 100 vota mes kandidatëve, dhe votat e aleatëve LSI-PDIU kapin shifrën e gati 1400. Vaun e Dejës PD e fitoi e vetme në zgjedhjet e vitit 2015 me një diferencë prej gati 2000 votash mes kandidatëve.


Kukës, Has dhe Tropojë më tej njihen si bastione të PD. Në qarkun e Lezhës, kandidati i PD fitoi përballë atij të së majtës, por votat e LSI-PDIU bënë që e majta të merrte Këshillin Bashkiak. Në Kurbin, asokohe PD nuk paraqiti kandidat. Kjo bëri që zgjedhjet të braktiseshin duke arritur një shifër të përgjithshme në 26 përqind. LSI-PDIU morën më shumë se 3 mijë vota. 

Shqipëri e Mesme
Në Shqipërinë e mesme, fitorja ishte plotësisht e arritshme në Kamzë, Vorë, Rrogozhinë, Kavajë për qarkun e Tiranës. Në Durrës ikja e Vangjush Dakos dhe shumatorja e votave do e nxirrte fitues në bashkinë kryesore koalicionin opozitar. Në dy zgjedhje rresht votat e LSI kanë qenë statike, 22 mijë, ndërsa PDIU në zgjedhjet e vitit 2015 ka marrë 4300 ndërsa në 2017-n 4513 vota. Ndërkohë që mund të diskutohej Shijaku, ku megjithëse koalicioni opozitar fiton këshillin, sërish kandidati aktual ka deklaruar se ka marrë 7 mijë vota.

Elbasan, shumatorja e votave të PDIU-LSI, dhe ikja e Qazim Sejdinit mund të bënte që mazhoranca të humbte një nga bashkitë e tjera më të mëdha të vendit. Në dy zgjedhje rresht, 2015-2017, PDIU dhe LSI rezultojnë se kanë pasur progresion rritës. Në vitin 2017 në rang qarku këto dy forca politike morën gati 51 mijë vota, nga të cilat gati 30 mijë i mori PDIU. Në këtë qark, koalicioni kishte të sigurt dhe bashkinë e Peqinit. Nga ana tjetër, por për këtë shkak, në diskutim do të ishin dhe Cërriku apo Përrenjasi.

Zona e jugut
Në zonën e jugut, koalicioni opozitar do mund të dilte fitues në Skrapar, Devoll, Delvinë dhe Selenicë. Në Skrapar, LSI mbetet forcë dominuese me 5000 të tilla, nga 8 mijë votues gjithsej. E njëjta gjë ndodh dhe në Delvinë ku më së shumti bashkia është ndarë mes PD dhe LSI. Më pas Devolli dhe Selenica janë fituar mandat pas mandati nga e djathta. Por, surprizë në jug mund të dilte dhe rezultati i Korçës. Nga ndarja territoriale, kësaj bashkie i janë bashkuar dhe komuna të cilat mund të sillnin surpriza nga bashkimi i votave mes forcave politike. Komuna të tilla si Drenovë, Voskop, Pirg, Komuna Qendër Bulgarec, Komuna Vreshtas etj., ku dhe influenca e PBDNJ është jo e vogël, mund të sillte rezultat tjetër nga ai që është sot. Në zgjedhjet e vitit 2019, në Korçë, Sotiraq Filo, rezulton me 5 mijë vota më pak se në vitin 2015, dhe efekti i LSI-PDIU-PBDNJ është i dukshëm. Vetëm LSI në bashkinë e Korçës ka marrë 6800 vota ndërsa PBDNJ parti dhe kjo e koalicionit opozitar, 892 vota. Në rang qarku, në vitin 2017, LSI mori gati 20 mijë vota, ndërsa PDIU 2000 vota. Një rast tjetër interesant ku efekti i votave mund të ishte surprizë është dhe Saranda, në të cilin LSI në vitin 2015 regjistron 1785 vota, dhe PDIU 755 vota.

Gara për Tiranën
Interesante sipas të dhënave ndër vite dukej se do ishte dhe gara për Tiranën. Në vitin 2011, koalicioni me LSI bëri që Lulzim Basha të dilte fitues përballë Edi Ramës. LSI arriti të merrte 5 mandate këshilltarësh. Nga 11 minibashki, sot qendra administrative, e djathta arriti të merrte 7 prej tyre dhe vetëm katër e majta. Në vitin 2007, kandidati i PD si pasojë e bashkimit PS-LSI doli me rreth 20 mijë vota më pak, pavarësisht se PD ishte në pushtet. Në garën e vitit 2011, u rikuperuan jo pak por gati 48 mijë vota, duke çuar në një rezultat gati të barabartë kandidatët.

Në vitin 2015, Erion Veliaj, fitoi falë bashkimit të LSI me PS-në. Përballë kandidatit Halim Kosova, ai do kishte pak shanse, i cili i vetëm mori 116 mijë vota në Tiranë, pa përmendur këtu 16 mijë vota në dëm të koalicionit të djathtë që mori Gjergj Bojaxhi, dhe rreth 2 mijë vota që mori nga dalja në zgjedhje ish kreu i njësisë tetë Arben Tafaj. Në total Erion Veliaj mori 160 mijë vota, nga të cilat LSI rezulton se ka kontribuar me rreth 55 mijë vota dhe 11 708 vota i ka marrë PDIU. Thuajse i njëjti rezultat votash u ripërsërit për të dyja forcat politike dhe në vitin 2017.

LSI mori 55 894 vota dhe PDIU 12434 vota, çka tregon se të dyja partitë janë në të njëjtat pozita. Vetë PD në vitin 2017 mori 128 mijë vota, çka do të thotë se votat për kandidatin e saj të para katër vjetëve janë ruajtur. Erion Veliaj, i vetëm në zgjedhje deklaroi se ka marrë 153 mijë vota, pra me një rënie prej shtatë mijë votash. Por në rast se Erion Veliaj, pretendon se ka ruajtur votat e veta, kjo e drejtë i takon dhe koalicionit opozitar ta pretendojë. Nga ana tjetër, mos harrojmë se në rreth 12 mijë vota, revolta qytetare ishte shprehur qartë për kreun e bashkisë.

Belsh – PS

Berat –   ?

Bulqizë– opozita

Cërrik   ?

Delvinë – opozita

Devoll  –  opozita

Dibër –  opozita

Divjakë – PS

Dropull –  ?

Durrës –   ?

Elbasan –  ?

Fier –   PS

Finiq – opozita

Fushë Arrëz – opozita

Gjirokastër – PS

Gramsh– PS

Has– opozita

Himarë – PS

Kamëz – opozita

Kavajë – opozita

Klos– opozita

Kolonjë- PS

Konispol – PS

Korçë – ?

Krujë – PS

Kukës– opozita

Kurbin – opozita

Kuccovë-PS

Këlcyrë – PS

Lezhë – opozita

Libohovë – PS

Librazhd- PS

Lushnjë – ?

Maliq – PS

Mallakastër – PS

Malësi e Madhe – opozita

Mat – opozita

Memaliaj – PS

Mirditë – opozita

Patos – PS

Peqin – opozita

Pogradec – PS

Prrenjas – ?

Pukë – PD

Pustec- PS

Përmet – PS

Roskovec – PS

Rrogozhinë – opozita

Sarandë – ?

Selenicë – opozita

Shijak – ?

Shkodër – opozita

Skrapar – opozita

Tepelenë – PS

Tiranë – ?

Tropojë – opozita

Ura Vajgurore – PS

Vau i Dejës – opozita

Vlorë – PS

Vorë – opozita 

LEXO EDHE: 

Llogaritja/ Opozita e Bashkuar në vitin 2019 fitonte shumicën e bashkive


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas