Kryetari i grupit parlamentar për Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se deputetët e partisë demokratike (mbështetësit e ti) do të marrin pjesë nesër në seancën parlamentare ku do të betohet presidenti I ri.
Mes të tjerash, Alibeaj sqaron se ka një ndryshim midis individit Bajram Begajt dhe Presidencës se Republikës si institucion.
“Ne do marrim pjesë në seancën e nesërme në Kuvend. Seanca e nesërme është e parashikuar nga Kushtetuta. Qëndrimin tonë për z. Begaj e kemi mbajtur dhe është i qartë.
Ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorancës dhe nuk përfaqëson gjysmën e shqiptarëve. Por ka një ndryshim midis individit Bajram Begajt dhe Presidencës se Republikës si institucion.
Kemi respektuar e do të respektojmë Kushtetutën dhe institucionet e jo individët. Jemi shumë të qartë në këtë pozicion.
Edhe në 2017-ën kur z.Meta u zgjodh president PD-ja atëherë nuk mori pjesë në votim por mori pjesë në ceremoninë e betimit,” deklaron mes të tjerash Enkelejd Alibeaj.
Ndërkohë, deputetët që ndjekin Berishën konfirmuan se do e bojkotojnë seancën plenare te betimit te Presidentit Bajram Begaj, duke arsyetuar se zgjedhja e presidentit të ri ishte antikushtetuese.