Nesër nis vaksinimi i farmacistëve në Shqipëri kundër pandemisë Covid-19. Lajmi është bërë i ditur nga Urdhri i Farmacistëve, me anë të një njoftimi në faqen zyrtare.
Farmacistët e Tiranës që janë të interesuar të vaksinohen kundër virusit shpesh vdekjeprurës, do t’u duhet të plotësojnë një formulë me të dhëna personale, në mënyrë që të hartohen listat me emrat që do t’i nënshtrohen vaksinimit. Kjo e fundit më pas do t’i dërgohet qendrave të vaksinimit.
“Të nderuar kolegë, ju njoftojmë se ditën e nesërme nis procesi i vaksinimit për farmacistët e Rajonit të Tiranës. Të gjithë farmacistët që janë të interesuar të vaksinohen, të plotësojnë formularin e mëposhtëm me të dhënat përkatëse, në mënyrë që të hartohen listat që do i dërgohen qëndrave të vaksinimit”, – thuhet në njoftim.
Risjellim në vëmendje se aktualisht po vaksinohen të moshuarit +70 vjeç, gazetarët dhe uniformat blu, ndërsa pritet të nisë vaksinimi edhe për punonjësit e hoteleve dhe fasonerive.