Ditën e martë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtojnë kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Ditën e sotme mbërritën në Kushtetuese përfaqësuesit ligjor të Presidentit, të cilët kërkuan të njiheshin provat e paraqitura kundër tij, për të ngritur mbrojtjen.
A2 CNN ka mësuar se kjo mbrojtje do të fokusohet në tre elementë. E para është koha në të cilën po zhvillohet ky proces.
“Presidenti u investua që në datën 1 korrik që të shqyrtohej sa më parë ky gjyq para mbarimit të legjislaturës”, tha Dervishi, këshilltari për çështjet ligjore të Presidentit.
Presidenti mendon se shkarkimi i tij është votuar gjatë një legjislature që tashmë ka përfunduar dhe si rrjedhojë edhe vullneti politik në sallën e Kuvendit mund të ketë ndryshuar.
Kontestimi i dytë i Metës ka të bëjë me konfliktin e interesit e paktën një pjese të trupës. Gjyqtarja Fiona Papjorgji është atakuar nga kreu i shtetit në Kolegjin e Posaçëm të apelimit ndaj të cilës ka kërkuar edhe masë disiplinore.
Argumenti i tretë i mbrojtjes është më tekniku dhe ka të bëjë me mungesën e një ligji organik për funksionim e institucionit të Presidentit të Republikës. Pa pas një ligj, nuk mund të ketë shkelje ligjore, është në thelb arsyetimi i juristëve të Presidencës.