Kur Ahmet Zogu i kërkoi t’i shkruante jetëshkrimin, Ismet Toto, një nga penat më të forta të mendimit intelektual të
viteve ’30, refuzoi kërkesën e monarkut shqiptar. Arsyet e këtij refuzimi vetë Toto nuk i ka shprehur publikisht, por pasardhësja, historiania e njohur Nevila Nika, ka arritur të krijojë një mendim se përse atëkohë Ismet Toto refuzoi të shkruante jetëshkrimin e mbretit. “Mendoj se gjyshi im, i cili shkroi biografinë e parë në të gjallë të Mustafa Kemal Ataturkut, ka gjykuar se Ahmet Zogu, i cili edhe pse tre vjet mbret i shqiptarëve, nuk kishte bërë asgjë për Shqipërinë siç Ataturku kishte bërë për Turqinë, ndaj gjeti një mënyrë shumë elegante për ta refuzuar”. Pak e dinë që Ismet Toto është i pari shqiptar që shkroi një biografi për Mustafa Kemal Ataturkun. Biografia origjinale botuar në vitin 1935, ndodhet e ekspozuar në Panteonin e Ataturkut në Ankara; një libër me kopertinë prej lëkure, ku mbi të shkruhet me gërma të arta titulli “Gazi-Kemal Ataturku”. Por emri i Ismet Totos, siç shkruan Nasho Jorgaqi, u bë pjesë e plejadës së atyre mendimtarëve të brezit të neoshqiptarizmës si Branko Merxhani, Vangjel Koça etj. Toto botoi një sërë shkrimesh dhe artikuj në shtypin e kohës si “Arbënia”, “Illyria”, “Minerva”, “Ora” etj. Vite më pas Nevila Nika do të hulumtonte gjatë në Bibliotekën Kombëtare në kërkim të shkrimeve dhe artikujve që mbanin firmën e gjyshit të saj, të cilat i ka mbledhur për t’i sjellë në një libër, që është ende në proces botimi. Por ajo çka çudit për këtë figurë, me siguri të panjohur deri më tani për shumë lexues, është fakti se përse krijimtaria dhe emri i Ismet Totos, i ekzekutuar me varje në burgun e Gjirokastrës më 1937, u lanë në harresë? Mbesa, Nevila Nika e ka zbuluar arsyen tek një incident i shumë viteve më parë mes tij dhe atij që do të bëhej diktatori i shqiptarëve, Enver Hoxha.
Kush ishte gjyshi juaj, Ismet Toto?
Ismet Toto është gjyshi nga mamaja. Ai ishte publicist e mendimtar i brezit të neoshqiptarizmës, përkthyes i filozofisë, i ekzekutuar në burgun e Gjirokastrës më 1937. U ekzekutua me varje. Është vetëvarur në fakt, që do të thotë se stolin e ka hequr vetë.
Shkroi dhe letrën e fundit, De Profundis “Bota është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen”, një letër që është mësuar përmendësh në të gjitha gjimnazet e mbretërisë në atë kohë. Ismet Toto u bë idhulli i rinisë shqiptare për gjestin e tij. Ishte ndër nxënësit e parë të Harri Fulzit. U bë sekretar i Bashkisë së Tiranës në vitet ’20, më pas ndoqi studimet në Romë, u bë kryetar i Entit të Djelmërisë shqiptare, nënprefekt i Burrelit. Si gazetar mbajti qëndrime kritike për çështje të ndryshme social-politike etj. Por çfarë ndodhi? Më 1935-ën vjen qeveria e Mehdi Frashërit, qeveria e parë me fytyrë europiane. Mehdi Frashëri mblodhi rreth vetes shumë figura të mendimit intelektual, midis tyre ishte dhe xhaxhai i nënës sime, Et’hem Toto, që ishte Ministër i Brendshëm. Et’hem Toto është nga të parët që kreu çarmatimin e krahinave të tëra siç ishin krahina e Dibrës, Kukësit, Përmetit, Shkodrës etj. Pasi ra qeveria e Mehdi Frashërit, Et’hemi nuk kishte më post, ndërsa Ismeti ishte nënprefekt i Sarandës. Në këtë periudhë Et’hemi planifikon dhe mendon të bëjë një kryengritje, në fakt jo kundra Mbretit, por kundra administratës së tij. Ago Agai i Vlorës i kish dhënë fjalën se do të bashkohej dhe Vlora me Delvinën dhe Kurveleshin, por e tradhtoi. Tasim Toto, vëllai më i vogël u vra, u vra dhe Et’hemi në hyrje të Vlorës, xhaxhi i tyre vrau veten. Himarjotët e hipën Ismetin në një varkë dhe e nisën për në Korfuz, por ai refuzoi të largohej pas vrasjes së dy vëllezërve. U kthye dhe u dorëzua. E dënojnë me vdekje (varje në litar) bashkë me Teki Kolonecin, por këtij të fundit ia falën jetën. Edhe për gjyshin tim, Ismet Toto, kishte një mundësi faljeje për shkak se i ishin vrarë dy vëllezër dhe i treti mund të falej. Por një nga prokurorët është shprehur se nuk duhej falur, sepse ai hipnotizonte masat kur fliste dhe njerëzit i shkonin nga mbrapa, ndaj duhej vrarë. Dhe e bindën mbretin Zog, i cili firmosi dhe ekzekutimin e tij.
Gjithmonë kontradiktore kanë qenë marrëdhëniet mes tij dhe Ahmet Zogut?
Jo, nuk është se kanë patur marrëdhënie. Ismet Toto ka qenë një natyrë e trazuar, nuk ishte i qetë, në të kundërt nga dy vëllezërit e tij, Et’hemi dhe Selaudini. Ishin vëllezër por krejt të ndryshëm në karakter, madje nuk ngjanin as fizikisht. Si mendimtar, Ismeti mbante qëndrim kritik, sidomos ndaj figurës së Ahmet Zogut. Në fakt shkrimet e tij ishin një lloj këshille për rrugën që duhej të ndiqte Zogu për ta çuar vendin në rrugën e reformave dhe gjallërimin e jetës sociale.
Ndaj refuzoi të shkruante jetëshkrimin e monarkut?
Ia kërkoi vetë Ahmet Zogu, meqenëse Ismet Toto ishte një nga penat më të forta të kohës, por ai e refuzoi. Mendoj se gjyshi im, i cili shkroi biografinë e parë në të gjallë të Mustafa Kemal Ataturkut, ka gjykuar se Ahmet Zogu, i cili edhe pse tre vjet mbret i shqiptarëve, nuk kishte bërë asgjë për Shqipërinë, siç Ataturku kishte bërë për Turqinë, ndaj gjeti një mënyrë shumë elegante për ta refuzuar. Ismet Toto shkroi biografinë e Mustafa Kemal Ataturkut, një libër i vogël, por që pati shumë jehonë dhe u prit mirë nga lexuesi e kritika dhe u vlerësua edhe nga vetë Ataturku, i cili i dërgoi dhe një letër falenderimi me këtë rast. I dërgoi madje edhe një penë dhe kallamarin prej floriri si dhuratë, të cilën e vodhën xhandarët kur e arrestuan gjyshin më 1937. Edhe letrën e falenderimit nga Ataturku e morën dhe familja nuk e ka më. Biografia origjinale e shkruar prej Ismet Totos ndodhet në Panteonin e Ataturkut, në Ankara. Nëna ime e ka parë librin të ekspozuar; një libër me kapak lëkure dhe me gërma të arta, ku shkruhet: “Gazi-Kemal Ataturku”. Ky është jetëshkrimi i parë i shkruar nga një shqiptar për Mustafa Kemalin, në të gjallë, sepse pasi ai ka vdekur kanë shkruar shumë për të.
Ismet Toto shkruan në këtë biografi se Ataturku ishte me nënë dhe baba shqiptar. Vetë Myqerem Janina tregon se Mustafa Kemali ka qenë adjutant i parë i kryekomandantit të armatës osmane së Selanikut, i cili ishte shqiptar dhe burri i tezës së Myqerem Janinës dhe Mustafa Kemali ishte adjutant i tij. Pas refuzimit nga gjyshi im, jetëshkrimin për Ahmet Zogun e shkroi Terenc Toçi, një arbëresh që ideal kishte të jetonte dhe punonte në Shqipëri ku la dhe kockat. Që të dy patën një fat tragjik; njërin e vrau Zogu dhe tjetrin e vrau Enver Hoxha.
Botimi i parë i publicistikës letrare të Ismet Totos është ai i vitit 1997. Vëllimi juaj vjen më i plotë se botimi i parë?
Unë sjell në këtë libër të gjithë artikujt e tij. Botimi i vitit 1997 ishte jo i plotë dhe kaloi pa u vënë re. Nga kërkimet e mia në Bibliotekën Kombëtare zbulova se kishte dhe shumë shkrime të tjera të shkruara nga Ismet Toto, por që ishin botuar me pseudonim. Tematikat për të cilat ai ka shkruar janë të shumta, që nga politika, bujqësia, probleme të shtypit të kohës deri dhe për sportin. Një botim i tillë ishte përgatitur shumë vite më parë nga vëllai i tij Selaudin Toto, i ekzekutuar me grupin e deputetëve nga komunistët. Ne nuk mundëm të gjenin dorëshkrimet sepse ato kanë humbur ose janë marrë gjatë arrestimeve. Disa nga ato që ka lënë Selaudin Toto i gjetëm në arkiv, por janë shumë pak.
Përse është lënë në harresë emri i gjyshit tuaj?
Çuditërisht edhe pas viteve ‘90 është folur shumë pak për figurën e Ismet Totos, sepse hija e përbaltjes së familjes Toto vazhdon.
Vazhdon?!…Ka ndonjë arsye sipas jush?
Arsyen e kemi zbuluar vonë. Në fakt familja e gjyshes sime ka qenë e lidhur me luftën. Gjatë luftës gjyshja ime, Envere Toto u zgjodh me propozim të Nexhmije Hoxhës nën/presidente e Bashkimi të Grave Antifashiste në Kongresin e Beratit. Ajo vetë nuk ishte prezente kur u zgjodh sepse ndodhej në Tiranë, e rrethuar. Gjithashtu, Qarkori i Tiranës ka qenë në shtëpinë e gjyshes sime deri më ’45. Nëna ime dhe motrat e saj u arrestuan më 4 shkurt, ato më të mëdhatë dolën dhe partizane. Domethënë kanë qenë aktivistë të lëvizjes, por çuditërisht vjen një moment që gjyshen time e përzënë nga puna në Ministrinë e Jashtme, duke i thënë që ‘nuk ka punë për ty’, duke e ditur se duhej të rriste tre fëmijë. Ajo u përndoq, ndryshe nga motra dhe vëllai i saj. Gjithmonë gjyshja thoshte: “Ka diçka që nuk shkon, që janë kapur vetëm me ne”. Ajo vdiq më 1990 dhe më vjen keq që nuk e mësoi asnjëherë të vërtetën. Në janar të vitit 1991, Mentor Çoku, nipi i Iljaz Pashë Dibrës, bën publike një histori të ndodhur në vitin 1935 në Kursalin e Tiranës. Disa të rinj ishin mbledhur dhe po debatonin, midis tyre ishin Enver Hoxha, i sapokthyer nga Franca, Ismet Toto dhe Mentor Çoku. Në bisedë e sipër Enver Hoxha shan rëndë kosovarët e dibranët dhe Mentor Çoku që u ndje i ofenduar nga ajo çfarë tha Enveri, u ngrit që ta rrihte. Ndërhyn Ismet Toto, i cili hyn në mes për të shuar sherrin dhe teksa i ndan, ai i drejtohet Çokut: “O Mentor, po pse i ndyn duart me atë (Enverin), ai është aq maskara sa ti e pështyn dhe ai ngre kokën dhe thotë…uuu po bie shi”. Nuk kishte ofendim më të madh dhe Enveri nuk ia harroi kurrë.
Gjithashtu është i ditur fakti që gjatë luftës gardëroba e Ismet Totos iu dërgua Enver Hoxhës. Ne kemi sot nga gjyshi vetëm valixhen e lëkurës që mori në olimpiadën e Berlinit, ndërsa daja im (nipi i Ismet Totos) mban veglat e rrojës. Enveri gjatë asaj kohe mbante veshur këmishat prej mëndafshi dhe këpucët dopio shollë të Ismet Totos.
Kur Ismet Toto “Grindjej me klerin”
-Qytetërimi i sotëm i detyrohet ekskluzivisht luftës që iu bë feve dhe metodave të klerit t’organizuar.
-Zoti është një krijesë e mëndjes njerëzore, sepse, siç u provua, duke u zgjeruar horizonti i mendimit të njeriut, ndrronë formë dhe ideja e zotit.
-Në sheshin e shqyrtimit të problemeve shoqërore s’ka vend as kisha, as xhamia. 1934
Kleri duhet të shikojë punët e veta. Kur të fillojë të përzihet në punët tona, na duhet të ngrihemi të flasim fort, e në qoftë nevoja, ta shtyjmë dhe më tej punën. Ose të rritet një brez i ri që të mos jetë as katolik i mirë, as mysliman, as orthodhoks, por vetëm e vetëm shqiptar i nxehtë me mendësi radikale evropiane, ose jemi fikë!
-Njeriu primitiv s’e pat në dorë ta disiplinojë trurin e vet. Enigma e madhe e qënies ose mosqënies, e vdekjes e tormentuan paprerësisht qysh se filloi të mendojë deduktivisht. Pafundësia e qiejve, yjtë, deti, natyra e gjithë, ishte një fakt, e pra, kërkonte dhe një shpjegim. Shpikjet e feve, më vonë, me shpjegimet dhe ngushëllimet e tyre, kanë pasur qëllim kryesor të qetësojnë njerëzit nga ky tmerr.
(1934)
Botimet e Totos/ Botoi prozë e poezi, shkroi artikuj problematik, përktheu vepra filozofike. Shumica mbetën të shpërndara në shtypin e kohës, ose në dorëshkrime. Librat që mbajnë emrin e tij janë biografia Gazi-Kemal Ataturk (19935), polemika “Grindje me klerin” (19934) dhe përkthimi Heronjtë e mendimit : Platoni (1936).
Nji histori sa e bukur aq dhe interresante.
Ja ku e pati nje te mire dhe largimi nga detyra e drejtoreshes:ke kohe te merresh me veprat e gjyshit e xhaxhallareve.Po ke dhe Sabri Godon qe ka qene nip i Totove,duhet te kete pasur ne arkive shume materiale per veprimtarine e tij gjithashtu.Kjo pune duket qe te ka bere mire pasi rralle te shohim duke qeshur.Mosh harro dhe Hoxha-jt.Suksese!
Zonje e nderuar Nevile Nika…
Ju keni detyrimin dhe pergjegjesine ta beni sa me publike jeten e vepren e Totove (si cdokush tjeter, pjese te tjera, ne mbiemra te tjere te shqiptareve te famshem) perderisa keni dhene prova profesionalizmi dhe dinjiteti ne kete fushe.
Pervec emrave qe ju permendni ne kete bisede deshiremire por megjithate jo etje-shuese, gjer ne ditet e kesaj lirie pluraliste qe sidosi erdhi, arriti le te themi Leka Toto, nje mendje e gjer dhe nje shpirt i paster, qe ndonese vetetinte e lane ne heshtje…Librat e kursyer dhe te drojtur (per te mos lenduar Njëshat e Rinj te shtetit!) ndonese krejt origjinale me vlere, edhe ato u lane ne heshtje…
Liria asnjehere nuk lihet e lire, dhe Totot e dine mire kete.
Leka Toto, e pa te udhes qe ne Lamtumiren e thjeshte per te, “le te mos ishin fare politikanet”!!!
Ndaj dhe te vertetat e medha e psheretimndjellese te Totove, i duhen percjelle publikut, dmth atyre qe besojne se jeta merr kuptim e ben perpara vec prej kultures e kulturimit…
Permendem Leken, por pse jo, perse te mos shtojme ketu emrin e Hivzi Totos. Kam qene me fat qe kam punuar me te. Serioz, kur duhej, i mencur gjithnje,i lexuar dhe njohes i shkelqyer i letersise shqiptare e boterore, bisedues i veshtire prej logjikes qe s’falte asnje kompromis…
Dhe i ndershem, deri ne qelize, sa prej njohjes me te, cdo kujt do t’i lindtte shpresa se sidosi, perderisa kemi pasuri te tilla si natyra e tij, nje dite, sado vone, Shqiperia do behet…
Me kujtohet, kur e liruan nga detyra e drejtorit te AQTLASH-it, i kreu dorezimet ne rregull dhe zbriti shkallet i prekur, ca pak i lodhur, por dinjitoz.
Ne duar mbante dy qeska te thjeshta plastmasi ku, sic u ishte dashur te bejne kujdes Totove, kishte pikerisht dokumentat e lenies ne dorezim te detyres, ato qe nuk do lejonin ndokend t’i prishte gjumin e qetesine me pas…
Kto shkrime per Toto gjithmon me japin kenaqsi kur i lexoj. Nje kenaqsi aq te madhe qe nuk blehet me asgje. Esht nder e kenaqsi kur lexon per njerez te till qe u permenden ktu, njerez qe u munduan luftan per Shqiperi por asnjeher nuk rahen gjoksin. I duhen Shqipris njerez te till njerez qe bejn krenar cdo Shqiptar.
P.S.
Toto Jr nga USA