Dalja e sotme mund të mos jetë komunikimi i fundit i kryeministrit me gazetarët për këtë vit, po sidoqoftë, ai e pasuroi bilancin me një armik të ri.
Nevoja e tij për të sulmuar e gjetur fajtorë u ushqye me Vjosa Osmanin.
Ato çfarë tha Presidentja e Kosovës e kanë shqetësuar kryeministrin, jo vetëm pse haptazi e denoncoi për minishengenin dhe vendosjen e pengesës në Rrugën e Kombit, por sidomos për simpatinë e madhe që krijoi dhe konsensusin publik që fitoi.
Arsye të mjafta për të shkaktuar mërzi tek shefi i rilindjes.
Teksa për disa ditë vërsuli kundër saj më të sprovuarit jeniqerë mediatikë me kama të helmëta, sot u shfaq dhe vetë. Të turpshme, abuzive, për propagandë, për politikë, për vota, kështu i cilësoi qendrimet e Vjosës.
Duke shënuar një autogol, teksa pranon vetë kësisoj, se të kritikosh Ramën qenka produktive dhe të siguron vota.
Pas zonjës Osmani, radhën për t’u sulmuar nga Rama e pati Bashkimi Europian. Me disfatizëm shefi i rilindjes e pranoi se për vaksinat nuk qullosi gjë. U detyrua të përgenjështrojë edhe më servilin prej të tijve, që pat deklaruar punëmbaruari se shefi i madh është aq i madh sa e sjell i dyti në botë melhemin.
Sot Rama tha se jemi të varur nga BE dhe i fajësoi ata pse kanë llogaritur tepricat sipas tij, për Ballkanin, teksa Serbia e ka nisur vaksinimin.
Nuk është çudi që si në shumë drejtime të tjera të sosim të fundit në rajon edhe për këtë punë.
Kur shqyrton atë grumbull të madh dekikash që shpenzoi sot, asgjë nuk gjen që ti hyjë në xhep qytetarëve të vendit. Për ekonominë, papunësinë, tregun, pandeminë, për çfarë mund të ofrojë qeveria për njerëzit në ditë të vështira. Asgjë nga këto.
Po sërish, një shpërdorim tjetër kohe për të folur për veten, e për të mbajtur me oksigjen të lodhurën propagandë.