Nga data 1 tetor do të hapen bar-kafetë, ato të restoranteve dhe pishinat në ambiente të mbyllura. Komiteti Teknik i Ekspertëve miratoi sot protokollet e sigurisë për rihapjen e tyre.
Gjatë një video-mesazhi për mediet, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu tha se respektimi i protokolleve anti-Covid është kusht i panegociueshëm, për të vijuar pa ndërprerje aktiviteti i bizneseve dhe shërbimeve.
Ajo gjithashtu u shpreh se vetëm kështu nuk mund të cënohet ekonomia nga kufizimet e detyruara për arsye të ruajtjes së shëndetit publik. Megjithatë, Manastirliu theksoi do të vijonë të mbeten të mbyllura klubet e natës, pub-et dhe disko-t.
“Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e posaçme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt. Task-Forca e inspektimit të protokolleve anti-Covid, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, u shpreh Manastirliu.
“Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar. Do të vijojnë të mbeten të mbyllura sipas Aktit Normativ të miratuar në muajin Korrik, të gjitha klubet e natës, lounge-bar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji”, vijoi ministrja e Shëndetësisë.
*Udhëzuesi i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për masat higjieno-sanitare, që do të duhen zbatohen nga baret, restorantet dhe pishinat.