Pas dy orësh diskutime, kryesia e Partisë Demokratike miratoi dje në mënyrë unanime udhëzimin e propozuar nga numri dy i PD-së, Gazment Bardhi, për metodologjinë e analizës së rezultatit të zgjedhjeve.
Në kryesi diskutimet ishin se kush do të bënte analizën e rezultatit për vetë drejtuesit politikë që u caktuan pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve.
Ndërsa si kryetari i PD-së, Lulzim Basha, por edhe anëtarë të tjerë të kryesisë, kërkuan që thellimi i analizës të fokusohej te masakra elektorale.
Për këtë Basha kërkoi që për çdo seksion apo më gjerë të përmenden emrat se kush kanë qenë personat të cilët kanë influencuar në deformimin e vullnetit të zgjedhësve.
Gjatë diskutimeve, Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe Eno Bozdo ngritën shqetësimin për audiot e rrjedhura në media nga mbledhja e kaluar e cila ka qenë me dyer të mbyllura. Vokshi e quajti këtë përgjim, ndërsa kryedemokrati u përgjigj se “nuk mund të bëhemi këtu si në shkollë që t’ju mbledhim celularët”.
Pjesë nga debati
Albana Vokshi: Për procedurë, në mbledhjen e kaluar ka ndodhur një turp. Dikush ka regjistruar me audio diskutimet në kryesi dhe i ka shpërndarë për media. Dikush na ka përgjuar me audio në mbledhje. Është e papranueshme. S’mund të vendosen audio. Nuk duhet të bëhen fshehtazi. Ne nuk është se kemi frikë nga ato që diskutojmë, por duhet të jemi korrektë. Nëse zyra e shtypit e gjykon se mbledhja duhet të regjistrohet, le ta bëjnë, por nuk është normale që të jetë mbledhje me dyer të mbyllura dhe nga këtu të dalin audio.
Jorida Tabaku: Nuk është problem që diskutimet dalin, problemi është që ndryshohen e deformohen. Ndoshta duhet që zyra e shtypit të nisë një informacion se çfarë diskutoi secili dhe është më korrekte sesa të dalin të deformuara.
Enno Bozdo: Edhe unë jam dakord që nuk duhet të dalin audio nga mbledhja e kryesisë në një kohë që mbledhja caktohet me dyer të mbyllura.
Lulzim Basha: Këto nuk janë gjëra për t’u diskutuar në mbledhjen e kryesisë. Nuk mund të bëhemi këtu si në shkollë që t’ju mbledhim celularët e t’i vendosim diku dhe më pas t’i merrni mbrapsht kur të mbarojë mbledhja e kryesisë. Ju këtu jeni njerëz politikë dhe i gjykoni vetë se çfarë duhet të flisni e si duhet t’i flisni. Ndaj ta mbyllim këtu këtë diskutim.
Gazment Bardhi lexon udhëzimin për analizën e rezultatit të zgjedhjeve
Lulzim Basha: Eshte e domosdoshme qe te gjithë ne, nga Kryesia te Këshilli Kombetar, te lexojmë qartë atë që ishte vullneti i demokratëve. Ata e dinë më mirë se ne se çfarë ka ndodhur më 25 prill, ata e dinë më mirë se ne se sa e vështirë është përballja me regjimin, ndaj çdo hap që do të bëjmë deri në perfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombetar duhet të kemi parasysh qe demokratet na kërkuan vazhdimin e betejës. Dhe për të arritur këtë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet per këtë përballje. Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqiperia, shqiptaret dhe demokratet nuk mund të presin deri në 2025-ën.
Jorida Tabaku: Së pari, ne duhet të ndërtojmë një proces analize që të përfshijë drejtuesit politikë, sepse ato kanë qenë të përfshirë dhe e dinë problematikën, ku ceduan strukturat, çfarë ndodhi në terren pse nuk u arritën objektivat, dhe faktorët e brendshëm, por kjo nuk është e mjaftueshme. Kjo duhet të jetë një fazë e parë. E nevojshme është të vlerësohet dhe puna e drejtuesve politikë dhe këtë nuk e bëjmë dot ne. Përveç të dhënave sasiore, të cilat janë rezultatet, ka nevojë për të dhëna cilësore, të cilat do të vijnë nga koordinatorët e terrenit: informacion për punën tonë, lidhjen me strukturat, si funksionoi me aleatët dhe kjo mund të jetë një fazë e dytë.
Enno Bozdo: Është hera e parë që të ndodhë që analiza të bëhet nga vetë personat që kanë qenë vetë të ngarkuar për të arritur objektivat. Më herët ky proces është bërë nga persona të tretë, të cilët nuk kanë konflikt interesi. Drejtuesi politik nuk mund të bëjë analizë për punën e tij në zgjedhjet e 25 prillit. Duhet të caktohen koordinatorët për të bërë analizën ashtu siç ka ndodhur edhe më parë.
Jorida Tabaku: Ashtu siç e shikoj unë dhe nga komentet në zonë, një problematikë e kaluar ka qenë ndryshimi i figurave politike të cilat në çdo tre muaj për një analizë a proces ndryshoheshin. Ne duhet të krijojmë lidhje me njerëzit, qytetarët, strukturat dhe nuk duhet të ndryshohen deputetët. Njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi dhe kjo përgjegjësi vjen si nga kryesia e partisë e deri te secili prej nesh! Mendoj që duhet të kemi një proces që duhet të na ndihmojë për të ardhmen, por dhe jep shpresë.
Grida Duma: Në politikë dhe në parti vlen autoriteti dhe dhënia përgjegjësi. Eksperienca në zonat që kanë punuar duhet ruajtur dhe vetëm qëndrueshmëria dhe njohja e thellë e terrenit na siguron të njohim problematikën deri në çdo detaj. Tashmë analiza jonë duhet të bazohet në eksperiencën dhe në njohjen e detajuar të çdo kontributi të demokratëve dhe çdo vështirësie konkretisht. Ata që kanë punuar në zona të caktuara duhet t’u njihet eksperienca dhe pas kësaj u kërkohet përgjegjësia e vendimmarrjes.
Bardh Kadilli: Po ju e keni ndarë mendjen që 25 prilli është masakër elektorale, pse duhet që të bëhet analiza?
Lulzim Basha: Atëherë në pikën dy të udhëzimit të shtohet që në raportin që do të bëjë çdo qark apo grupseksion të përmenden emrat e të gjithë personave/kriminelëve që kanë ndikuar në çdo zonë për të deformuar vullnetin e njerëzve.
Muajt ne vijim do te jene të vrullshem, sepse e tille është beteja që na pret. Ndaj detyra ime është që në përgjigje të kësaj mbështetjeje shoqërore që morëm, pa asnjë pushtet, të jemi edhe më te hapur, edhe më pranë shoqërisë, t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit shoqerisë dhe t’iu them ejani ta ndryshojme bashkë këtë realitet, ejani ta rrezojmë bashkë këtë regjim armik të demokracisë, ejani në PD dhe ta ndertojmë bashke nje te ardhme me te mire per vendin! Ne do ta forcojmë dhe thellojmë aleancën me njerëzit dhe grupet e interesit duke i përfshirë ata më shumë në vendimmarrje. Kjo eshte detyra jonë. Përballë kemi një kundërshtar që e ka percaktuar qarte aleancen e tij: atë me krimin dhe oligarikinë. Ne kemi një mision më të madh, të marrim me vete shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshimin, duan demokracinë dhe shohin te ne shpresen e vetme për realizimin e tyre. Ne e kemi bërë këtë përpara 25 prillit, kontratat me grupet e interesit etj. Ne do ta vazhdojmë edhe më tej duke u bërë zëri i çdo shqiptari. Do të kemi platforma politike për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe po ashtu do të mundësojmë nëpërmjet iniciativave ligjore ndryshime që të mundësojnë përfaqësim më të mirë, më të denjë dhe më demokratik.
Enkelejd Alibeaj: I gjithë përqendrimi i analizës së zgjedhjeve duhet të përqendrohet te masakra që u bë në 25 prill. Nuk ndryshoi seksioni rezultatin me 2 vota e 3 vota. Rezultati ndryshoi nga masakra e madhe.
Lulzim Basha: Ne kemi bërë shumë ankimime në SPAK dhe deri tani nuk na kanë kthyer përgjigje.