“Mesazhet e Evropës kurrë nuk janë dëgjuar më të qarta e më të prera. Ka folur Londra, Berlini, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka, zgjedhje pa Partinë Demokratike nuk do të ketë as sot, as me 30 qershor, as mot. Ta harrojë klika kriminale. Aq sa bëri zgjedhje pa PD në Kavajë, aq do bëjë më 30 qershor”.
Kështu deklaroi të premten nga Kavaja, kryetari demokrat, Lulzim Basha, që ka nisur një tur intensiv takimesh përpara protestës së 11 majit. Por bie në sy se dy-tre ditët e fundit, Basha po citon disa mesazhe të të huajve. Për çfarë bëhet fjalë?
Kur flet për Londrën, ai duket se i referohet deklaratës së ambasadorit anglez në Tiranë, Duncan Norman, që tha se zgjedhjet janë demokratike kur marrin pjesë të gjithë palët.
“Zgjidhja për krizën politikë është në fakt që të dyja palët të bisedojnë me njëra-tjetrën dhe çdo zgjidhje patjetër që mund të vijë vetëm përmes dialogut. Sa i përket zgjedhjeve me 30 qershor mendoj që teknikisht mund të realizohen në datën e caktuar por është e rëndësishme që të jenë demokratike dhe kjo do të thotë se të gjitha palët të marrin pjesë në zgjedhje,” tha Norman.
Kurse kur i referohet Berlinit, duket se Basha ka parasysh një intervistë të numrit dy të CDU-së gjermane, Johann Wadephul. Ai tha se nuk mund të ketë negociata pa u ndëshkuar krimi zgjedhor.
“Shqipëria ende ka nevojë të bëjë përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të pranimit. Mund të shohim se qeveria tashmë ka bërë përpjekje. Zbatimi i ligjeve është veçanërisht i rëndësishëm. Ligjet shqiptare, për shembull, ndalojnë blerjen e votave. Megjithatë, nuk ka ndjekje penale nga zyra e prokurorit publik dhe nuk ka arrestime kundër atyre personave të cilët kanë dëshmuar se kanë blerë votat me anë të regjistrimeve të përgjimit. Nëse nuk ka progres të vërtetë këtu shumë shpejt, grupi im nuk do të jetë në gjendje të pranojë hapjen e negociatave të pranimit. Sepse kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit dhe është ajo që duhet të garantohet,” theksoi zyrtari gjerman.