Mapo Letrare

Nga cikli “Pashë Anglinë me Syrin e Londrës”





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:52 - 20/06/20 |
Nga Meri Lalaj

(Vijon nga Suplementi letrar i kaluar)


Dr. Samuel Xhonson është leksikografi i shkëlqyer i shekullit të tetëmbëdhjetë dhe hartuesi i fjalorit të parë të gjuhës angleze. Jeta e Xhonsonit plot me aventura është e përshkruar shumë hollësisht nga biografi Bosuell, miku i tij, i cili ishte 30 vjet më i ri sesa Xhonsoni. Fillimisht Xhonsoni ishte gazetar dhe shkruante artikuj për Parlamentin, pa shkelur kurrë në Parlament. Në shtëpinë muze, që vizitova, ai punoi për fjalorin, i cili për më shumë se njëqind vjet ishte standard për anglishten.


Duke punuar për çdo fjalë, ai ka bërë shpjegimet e duhura etimologjike, duke lënë edhe vende të duhura bosh për shënime të mëtejshme. Në të gjitha dhomat e shtëpisë së tij, nga kati i parë deri në katin e katërt, muret janë të mbushura me portrete të miqve të tij të shumtë personalitete të shquar. Xhonsoni u martua në moshën 25 vjeçare me një grua 46 vjeçe, e ve me tre fëmijë, por u deshën shumë gjatë gjithë jetës. Pas vdekjes së saj, Xhonsoni e mbajti në gisht unazën e martesës derisa vdiq, me atë grua nuk pati fëmijë dhe pasurinë ia la trashëgim shërbyesit zezak nga Xhamajka, Frensis Barbër. Ky i fundit u martua me një vajzë të bardhë angleze e pasardhësit e tij dalngadalë ndryshuan ngjyrë derisa u zbardhën fare.



Njëherë Dr. Adamsi, ndërsa e gjeti Xhonsonin në kulmin e punës, e pyeti: “Zotëri, a do të mund ta kryeni këtë punë kaq të madhe për tre vjet?” “Nuk ka dyshim se do ta kryej për tre vjet.” U përgjigj Xhonsoni me vendosmëri. “Por Akademisë Frënge me 40 anëtarë iu deshën 40 vjet për të hartuar Fjalorin e tyre.” “Këtu qëndron puna. Le ta shohim përpjestimin: 40 herë 40 bëjnë 1600. Aq herë sa hyn treshi tek 1600-ta është përpjestimi i një anglezi ndaj një francezi.” Gjithashtu është e famshme thënia e Xhonsonit: “Kur një njeri lodhet nga Londra, ai është lodhur nga jeta, sepse Londra të jep gjithçka që të ofron jeta.”

Në Teatrin Globe të Shekspirit: Ky teatër u rindërtua në vitin 1998 në sajë të pareve të mbledhura nga njerëz të pasur, jo vetëm nga Anglia, por edhe prej vendeve të tjera të botës, madje edhe nga Japonia. Shumë emra janë të shkruar nëpër pllakat ku shkelim. Dikur në vendin buzë lumit Temiz, ku u ndërtua ky teatër i famshëm, ndodheshin vetëm njëzet a tridhjetë shtëpi. E vetmja urë, që lidhte pjesën tjetër të Londrës me këtë anë, ishte ajo e ndërtuar që nga koha e romakëve dhe varkat e shumta, që venin e vinin nëpër lumë sillnin për në teatër pasanikët e qytetit. Në vitin 1989 gjatë gërmimeve u gjetën mbeturina të Rose Theater on Bankside, kjo gjë ndikoi së tepërmi për rindërtimin e Globe.

Sapo futemi në pjesën moderne ku shiten objekte, që kanë të bëjnë me veprat e Shekspirit dhe personazhet, dëgjojmë të bjerë një këmborë bakri (e cila bie çdo dhjetë minuta) dhe tringëllima e saj fton vizitorët për të ndjekur shpjegimet sipas grupeve. Ky teatër ishte për të gjithë njerëzit.

Pjesa ku ulen shikuesit është e ndërtuar prej dru lisi me stolat e  gjatë, që mbajnë numra si dikur, natyrshëm që këtu në ndarjet A dhe B ulej shtresa e lartë rreth 1000 persona, ndërsa publiku i thjeshtë 700 veta e ndiqte shfaqjen më këmbë ngjeshur pas njëri tjetrit në dyshemenë (e njëjta e kohës së Shekspirit) dhe mbështetur pas skenës, sa herë herës edhe mund t’i hidhnin ndonjë fjalë aktorit edhe mund të pinin ndopak alkool.

Kjo turmë njerëzish e palarë, me këpucët tërë baltë, që përtypte hudhra dhe që i avullonin rrobat era djersë kur binte shi (pjesa e pambuluar) pra, e bezdiste shtresën e pasur dhe ata mbanin portokalla për të nuhatur apo vinin në hundë një lloj maske mbrojtëse. Në ballkonet anësorë jo me vështrim nga skena, uleshin lordët, ata donin të dëgjonin fjalët dhe jo të shikonin shprehjet e fytyrave të aktorëve.

Çatia që mbulon pjesët ku ulen shikuesit është si dikur prej kashte. Skena mbahet mbi dy shtylla të mëdha prej druri, e ndërtuar pikërisht si në atë kohë: lart pikturuar Parajsa, Dielli, Hëna, Yjet dhe poshtë: Ferri. Përmbi skenë dhe përballë shikuesve, një ballkon tjetër i vogël ku ndiqte shfaqjen mbreti dhe shpura e tij, lart nga një lloj papafingoje dikur me trumbeta lajmërohej hyrja e mbretit aktor në skenë, por njëherë për ta bërë më tërheqëse qëlluan me top, shkëndijat e zjarrit ranë përmbi kashtën e çatisë, që mori zjarr dhe brenda një ore gjithçka u shkrumbua. Kjo ishte djegia e dytë.

Vizitojmë pak më tej ekspozitën në vendin ku dikur ka qenë vërtet Globe Play House i Shekspirit nga viti 1598-1613. Këtu nëpër stendat janë të shkruara titujt e tragjedive dhe komedive të Shekspirit dhe vitet kur janë shfaqur e rishfaqur në ditët tona. Aty ndodhen të gjitha veshjet e aktorëve, këpucët dhe çizmet e tyre, sëndyqet, një krevat baldakin, kolltukët, një kaproll druri, rrogoz, heshta të gjata, shpatat, fenerë, parzmoret e hekurta dhe gjoksoret mbrojtëse prej lëkure, sëpatat edhe trungu i drunjtë ku priteshin kokat e të dënuarve.  Një portë e hekurt me kunjat lart, një dorë e këputur e gjakosur, helmeta, kaska, monedha të kohës, flamurë, kurora dafine, toga romake e të tjera. Aty ndodhet dhe libri “Metamorfozat e Ovidit” botim i vitit 1602.

Në një dollap të xhamtë tek një manekine është paraqitur kostumi i Elisabetës I-rë: kapele me xhufkë të bardhë dhe me rruaza, jaka e ngrirë me dantella, në qafë varur një medaljon i madh me gurë të kuq, pastaj katër vargje të gjata me rruaza të bardha, që i arrijnë deri poshtë belit, fustani i gjatë deri në fund të këmbëve, i qëndisur i tëri me lule të kuqe dhe blu si edhe me rruaza të bardha nëpër të, një pelerinë përmbi fustan po e qëndisur, doreza të gjata deri tek bërryli të qëndisura dhe me dantella.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas