Lulzim Basha ka njoftuar dorëheqjen nga kreu i PD-së, duke i hapur rrugë analizës, bashkimit dhe zgjedhjeve për lidershipin e ri. Ai pranoi pas gjashtë muajsh krizën e thellë mes demokratëve, ndërsa Grupi Parlamentar i kërkoi mbështetësve të Berishës tërheqjen e tij nga vendimmarrjet në parti, si hap i parë drejt bashkimit të demokratëve të ndarë në dy grupime
Ndoshta ai e pat kuptuar se ç’do të vinte për të e për Partinë Demokratike atë mbrëmje të 9 shtatorit, kur krejt i vetëm dhe përmes një mesazhi video njoftoi vendimin për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar.
E megjithë vetëdijen për vendimin më të vështirë të jetës së tij politike, Lulzim Basha rrekej të dukej i palëkundur përballë paralajmërimeve të ish-kryetarit dhe një prej themeluesve të PD-së, i cili fliste për rikthim të partisë në vlerat e para dhe shkarkim të kreut të selisë blu.
Ajo që erdhi më pas ishte beteja e ashpër e Berishës 78 vjeçar, që përmes Foltores mati forcat dhe numrat e mbështetësve brenda strukturave, dy kuvende, rreshtimi i një sërë deputetësh e anëtarësh të Kryesisë të partisë në krah të ish-kryeministrit dhe deklaratat e Bashës se nuk do ta linte partinë të bunkerizohej për hir të interesave personale të një njeriu.
Ishte hera e parë në tetë vite të lidershipit të tij – i kritikuar shpesh si hija e Sali Berishës që e drejtonte defacto partinë që prej 2013-, që Basha kreu aktin e vrasjes simbolike të babait politik. Ai madje zbuloi, ndoshta jo për habi të të gjithëve, se ideja për djegien e mandateve të deputetëve kishte qenë kaherë e Berishës dhe, duke bërë një meaculpa kryetari pranoi se kishte gabimet e tij në mbrojtjen e ish-kryetarit. Bashkë me këto zbulime, Basha sulmoi hapur fraksione deputetësh dhe anëtarësh të partisë, që sipas tij ishin “llumi i tranzicionit” dhe se kishin qenë të përfshirë në korrupsion gjatë qeverisjes së shkuar.
Duke distancuar veten nga këto dhe duke përqafuar qasjen pro-amerikane dhe euroatlantike, qasje që nxitoi ta artikulonte që në deklaratën e parë pas shpalljes “nongrata” të Sali Berishës, Lulzim Basha vijoi betejën e tij të pagëzuar si ndarja me të shkuarën, megjithëse pas çdo hapi ndeshej me kritikë e kundërshtarë brenda PD-së.
Ndonëse u duk i tillë, akti final i krizës më të madhe të demokratëve nuk ishte ai në oborrin e Selisë Blu, ku mbështetës të të dy kaheve u rreshtuan brenda e jashtë portës, duke e kyçur godinën për ata që protestonin jashtë. Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ishin treguesi i ndasisë së thellë të demokratëve dhe diktatin e shifrave se kush e kishte fituar këtë betejë.
Në zgjedhjet që i bojkotuan më 2019, në të gjithë vendin, PD u angazhua dyfish. Nga një anë linja zyrtare e Bashës, me sytë nga e ardhmja e partisë dhe nga ana tjetër Komisioni i Rithemelimit, që për hir të matjes së forcave me çdo kusht me Bashën, vendosën të hyjnë nën siglën e LSI-së, e cila në këto zgjedhje mori pjesë vetëm teknikisht.
Pak rëndësi se ishte PS që fitoi pesë nga gjashtë bashkitë. Ajo që shihnin dy fraksionet e PD ishte se nga anonte peshorja e votave të demokratëve.
Atë që si dorëzim përballë kërcënimeve të Sali Berishës, Lulzim Basha e bëri si një mjet i fundmë për t’i ribashkuar demokratët. Pasi deklaroi se nuk kishte humbur asnjë betejë në jetën e tij politike – megjithëse demokratët lidershipin e tij njihnin vetëm humbje në zgjedhje – Basha u përball me zemëratën e të tijve. Edhe ajo pjesë e deputetëve që nuk e kishin braktisur deri atë ditë dhe i kishin dëshmuar besnikëri, e vunë përballë dorëheqjes.
Duke e parë rezultatin e zjgedhjeve të 25 Prillit- të etiketuar si masakër zgjedhore – si goditjen e rëndë për demokratët, Basha tha dje në fjalën e tij të fundit si kryetar se kishte vendosur të hidhte një hap pas.
“Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shume demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta që krijuan një frymë përçarjeje dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë”, pohoi Basha, nga sot ish-kryetar i Partisë Demokratike. “Personalisht investova gjithçka për një zgjidhje që do ti shërbente edhe Partisë Demokratike edhe transparencës. Sot nuk dua të ndalem në çfarë ka ndodhur e si ka ndodhur, kush kishte të drejtë e kush ishte gabim, këtë jam i bindur se do ta qartësojë koha”, do të vijonte Basha. Ky hap, tha Lulzim Basha, shërben për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët.
Kryetari i dorëhequr tha se PD ka nevojë të nisë një proces vetëdijesimi, analize dhe bashkimi, drejt një procesi zgjedhor të lirë e transparent “nga baza në qendër i gjithë lidershipit të PD”.
Basha artikuloi pasditen e 21 marsit, atë që Berisha dhe mbështetësit e tij kishin parashtruar muaj më herët. Në një betejë datash simbolike mes të dyve, Lulzim Basha zgjodhi të japë dorëheqjen një ditë nga data e fitores historike të PD-së në zgjedhjet parlamentare pluraliste të 1992-shit.
Fill pas dorëheqjes së kryetarit, ishte Grupi Parlamentar i PD që i shtriu dorën e bashkëpunimit dhe bashkimit pjesës tjetër të partisë, duke vendosur kushtin e tërheqjes së Sali Berishës nga vendimmarrje në PD. Ish-kryeministri e shpalli hapur ambicien për të garuar si kryetar i Partisë Demokratike, ndërsa Këshilli Kombëtar e përjashtoi edhe nga funksionet partiake muaj më parë. Sipas Grupit Parlamentar të PD-së, kjo shihet si pjesë e zgjidhjes për të
shmangur përçarjen e PD dhe për të bërë të mundur bashkimin me demokratëve. “Në këtë rast kërkojmë respektimin e vlerave dhe parimeve statutore të PD, me qëllim shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA”, thuhej në deklaratë.
Ndërsa drejtimi i partisë përkohësisht i kaloi Enkelejd Alibeajt, aktualisht nënkryetar dhe nga sot kryetar komanduar, Lulzim Basha nuk tha nëse do të hyjë në garë për kreun e partisë.
Edhe në zgjedhjet e fundit, në qershorin e kaluar, Basha garoi përballë tre rivalëve, duke u rikonfirmuar për herë të tretë. Demokratët që ishin të gatshëm t’i falnin Bashës disfatën e 25 prillit, nuk e toleruan në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Megjithëse Basha ndryshoi mendim, nga qëndrimi fillestar i patundur për të mos u dorëhequr pëballë presioneve të “non grata”-ve, u dorëhoq duke theksuar vizionin e tij pro-amerikan.
Ambasada e ShBA-së u shpreh përmes një njoftimi e vendimi i zotit Basha për t’u dorëhequr meritonte respekt dhe ishte tregues i udhëheqësisë së mirë. Ishte ambasadorja Yuri Kim, e cila i bëri thirrje Bashës të rishikonte listat për të mos përfshirë në parlament individë të shpallur “non grata” nga Departamenti i Shtetit. Pasi kryedemokrati e mori vendimin e vështië vetëm një ditë para hyrjes në Parlament, ishte diplomatja amerikane që i shfaqi hapur mbështetjen e Uashingtonit. ShBA ishte e qartë në qëndrimet e saj, se në skenarë ku Berisha mund të rimerrte lidershipin e PD-së, ajo njihte vetëm të zgjedhurit në mënyrë legjitime dhe nuk bashkëpunonte me persona “non grata”.
“Shpresojmë që vendimi do të përcaktojë rrugën që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes; do të forcojë marrëdhënien e veçantë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara; do të përforcojë mbështetjen për reformat dhe përpjekjet e tjera për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian; dhe do të ritheksojë parimet dhe idealet demokratike mbi të cilat u themelua”, thuhej në njoftimin e ambasadës amerikane, ku theksohej se një opozitë e fortë që mund të jetë e gatshme për të udhëhequr është thelbësore për demokracinë. Në këtë njoftim nuk mungonte nënvizimi i angazhimit të ShBA për luftimin e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
Edhe BE ka reaguar për dorëheqjen e Bashës, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë që i kërkon llogari qeverisë dhe e kontrollon atë, ndërsa shton se pret që tashmë lidershipi i ri të luajë rol vendimtar dhe të vazhdojë të mbështesë integrimin e vendit në BE. Akti është vlerësuar edhe nga seli të tjera diplomatike, ndërsa Lulzim Basha e la selinë blu duke mos zgjedhur të prononcohet për gazetarët që e prisnin jashtë.
Ai hyri në dyert e asaj selie në një moshë të re dhe gjatë qeverisjes së demokratëve shënoi disa kulminacione të karrierës politike, si ministër i disa dikastereve e më pas si kryetar i Bashkisë Tiranë për katër vite. Të gjithë hapa dhe tregues që rrisnin pritshmëritë që një ditë ai ta drejtonte PD-në në fitore dhe të zgjidhej kryeministër i vendit.
Ambicie kjo, pavarësisht betejave të ashpra, me protesta në bulevard, djegie mandatesh dhe bojkotim zgjedhjesh, nuk u realizua. Por edhe ndërsa del nga ajo derë, Basha është ende i ri për të luftuar politikisht. Është ende sot protagonisti më i ri, mes atyre që ai i ka etiketuar si trekëndëshi i Bermudës. Por është ndoshta edhe lideri që është përballur me disfatën më të madhe. Më 2013-n ai e mori detyrë ndërsa demokratet përloteshin për dorëheqjen e Berishës, i cili pas dy mandateve nuk siguroi dot fitore në zgjedhje. Më 2022-shin e la PD në një prej krizave më të thella dhe opozitën më të dobët e të përçarë se kurrë. Ndoshta ky hap është shpresa e fundit për bashkim.