Kryesore

Nga hiri i Egjiptit në Tempullin e futbollit, Salah është një mit!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:13 - 25/04/18 |
mapo.al

Futbollisti i Liverpulit është frymëzimi për brezin e ardhshëm egjiptian, heroi të cilit çdokush do t’i donte t’i ngjante. Arratia nga makthi drejt Europës dhe botës së lirë, sot ka bashkuar vendin e tij


Nga Anton Cicani, Sport Ekspres


Këto vitet e fundit, Egjipti është shndërruar në një minë me sahat gati të shpërthejë në çdo moment. Gjithçka nisi në pranverën arabe të vitit 2011 që solli edhe rënien e Hosni Mubarakut, në krye të shtetit egjiptian për më shumë se 20 vjet, duke sjellë ndarje të ndryshme ideologjike gjithmonë e më të forta, revolta dhe trazira në të gjithë vendin. Ky kontekst fjalësh është reflektuar edhe në botën e futbollit dhe “masakra” e Port Said në vitin 2012 është konfirmimi.


Më shumë se 70 persona të vrarë dhe 500 të plagosur për një ndeshje futbolli që ishte edhe preteksi për të shfryrë një zemërim në mënyrë të dhunshme dhe jashtë kontekstit të topit. BBC, në atë kohë, shkruajti: katastrofa më e madhe në vend sa i përket historisë së futbollit. Një sport, shpesh në arrati nga situata që vazhdonte të mbillte terror dhe luftë politiko-fetare, e shndërruar nga gjithçka nga e cila po përpiqen të gjithë të largohen.


Ky ishte një nga motivet kryesore që, në vitin 2012, Mohamed Salah vendosi të largohej nga skuadra që i dha mundësi të zbriste në fushë dhe të tregonte talentin e tij, vetëm 18 vjeç, pra El Mokaulon.

Egjipti nuk kishte parë kurrë një talent kristali, të shpejtë, dinamik dhe të fortë teknikisht. “Kur stërvita skuadrën U-16 të Arab Kontraktors, kishte pesë mbrojtës të majtë krahu dhe Salah ishte një prej tyre”, shpjegoi Said El-Shishini, figurë thelbësore për zhvillimin e egjiptianit. “Mohamed Salah ishte pikërisht njëri nga ata, por potenciali i tij ofensiv ishte shumë i madh, aq sa kur luanim kundër ekipesh më të dobëta, dëshpërohej dhe qante. E dinte se zotëronte aftësi jashtë normales dhe golat ishin mundësia e vetme për të shpalosur atë që dinte të bënte më mirë.

El-Shishini, atë ditë kuptoi potencialin e djaloshit dhe i ndryshoi rolin, duke e spostuar më përpara, në të djathtë. “I thashë se do të bëhej futbollisti dhe shënuesi më i mirë i skuadrës në të dy kampionatet, U-16 Cairo League dhe U-17 Nationëide League. Golat e shënuara në fund të atij sezoni ishin 35 në total. Nisja e karrierës që do ta lançonte në kampionatet më të mëdha të botës dhe të bëhej simboli i një kombi të shkatërruar. Egjipti, pra, provoi të rilindte nga gërmadhat ose hiri i tij, pikërisht me një ambasador, që u bë hero kombëtar. Por, për çfarë? Zakonisht personazhet e mëdha të një vendi në gjunjë nuk mund të jetë futbollistë miliarderë dhe jo të impenjuar me jetën politike në vend, por fgura e Mohamed Salahut shkon përtej asaj të një heroi.

Proletari i sakrificës – Adhurimi i popullit egjiptian për Mohamed Salahun është thjesht i lidhur me zbavitje pa asnjë kthesë apo zhvillim politik, por që ka detyrën të ringrejë imagjinatën socio-sportive të një vendi. Dhe është pikërisht Salah ai që po çon në të gjithë botën fshatin e tij të panjohur: tani, tabloidet e mëdha bëjnë reportazhe. Fjala e tij është një rrugë drejt një të ardhme më të mirë dhe nuk ekziston lakmia kundër atij që është më i pasur se ty. Salah përfaqëson proletariatin, njerëzit e periferisë dhe luan për pasion. Ai ka lindur në fashin e vogël Nagrig, në provincën e Gharbias, që lidh Kairon me Alesandrinë. Në çdo moment i qëndron pranë komunitetit, duke e ndihmuar me para. Thonë që njeriu ndryshon kur bëhet i famshëm, fiton miliarda dhe ka sukses në profesionin e tij, por Salah është ai që njeh vlerat dhe sakrificat në realitetin e vogël ku jetonte.

Çdo ditë, për të shkuar të stërvitej, i ati udhëtonte me të në makinë për gati 200 km që e çonin në qendrën e klubit, ndërsa herë të tjera detyrohej të merrte pesë autobusë. Forca e vullnetit të Salahut nuk ishte vetëm e tija, por edhe e fshatit. Disa muaj më parë, pasi udhëhoqi kombëtaren e Egjiptit në Botërorin e Rusisë, një biznesmen i famshëm, Mamud Abas, ish-presidenti i Zamalekut, i dhuroi si premio një vilë luksoze, por ai refuzoi dhe i tha që ato para t’i dhuronte në shërbim të fshatit të tij të lindjes. E quanin “hadi”, arabi i qetë: shtëpi, punë, darkë dhe gjumë. “Ishte gati të sakrifikonte gjithçka”, shprehet Hamdi Noh, ish-trajneri i tij te El Mokaulon.

Bazeli dhe trampolina – Mbërritja te Bazeli ishte trampolina drejt Europës. Në Zvicër ruajti identitetin, modestinë, thjeshtësinë dhe vlerat, përveç se talentin e tij. Çelsi e dalloi dhe e mori në vitin 2014, por po në atë kohë, shefi “scout” i Liverpulit, Berri Hanter, nisi ta monitoronte në ndeshjet e rëndësishme të Europa League dhe provoi që në fillim të largonte kujdesin e Fiorentinës dhe Romës, por pa ia dalë. Në “Stamford Bridge” dhe me Murinjon, Salah dështoi dhe në janar 2015 kaloi te Fiorentina në huazim, duke mbajtur numrin 74 të nder të viktima në Port Said. Atë sezon e mbyli me 9 gola në 26 ndeshje dhe një dopietë në “Juventus Stadium” ndaj “Zonjës”. Merkaton e verës, pas një mundje dore burokratike, kalon te Roma, aty ku do të gjejë Spaletin që nis ta gdhendë edhe më shumë, duke e formuar dhe fuqizuar. Shpejtësi, dinamizëm, teknikë dhe inteligjencë. Të gjitha këto për 34 gola sezonale.

Llogaria e hapur –  U largua nga Roma me pak lot në sy, por sepse i kishte bërë një premtim vetes: do të kthehej në Premier dhe do të vazhdonte atë që kishte lënë përgjysmë. Liverpuli, që e mbante nën vëzhgim prej vitit 2014, i hapi dyert dhe Klop dha “ok” për 42 milionë euro. Në këtë moment, Salah ka shënuar 43 gola sezonale (33 në kampionat dhe 10 në Champions). Por, sidomos në Europë madhështia e tij ndriçoi Liverpulin. Shkatërroi Sitin e Guardiolës, deri atëherë, një makinë perfekte, teksa mbrëmë i shënoi edhe ish-ekipit të tij, Romës, duke ngritur duart lart, në shenjë respekti.

Heroi i Tempullit – Me një punë konstante, Salah është përmirësuar dhe më shumë: sakrifikon për ekipin, lëviz pa top dhe e di se ku ta çojë atë kur e ka në këmbë. Por, sidomos, qetësia përpara portës është e frikshme. Por, çfarë ka ndryshuar që kur u largua nga Egjipti? Vetëdija në potencialin e tij dhe përgjegjësia morale e dikujt që mban shpresat e një vendi që po digjet… Penalltia ndaj Kongos në minutën e 95-të ishte një moment i paharrueshëm për të gjithë kombin egjiptian, që e balsamosi në Tempullin e Heronjve egjiptianë. Në zgjedhjet presidenciale në Egjipt këtë vit, që u fituan nga Abd al-Fatah al-Sisi, futbollisti mori më shumë se 1 milionë pëlqime, 6% të votuesve, edhe pse nuk ishte kandidat.

Makineri – T’i kthehemi shifrave të tij, të çmendura! 43 gola deri tani në të gjitha kompeticionet (kampionat dhe Champions), por edhe një asistman. Salah nuk dëshiron të ndalet dhe tani ka një objektiv: t’i rikthejë “reds” në majat e Europës. Mundësia është e artë dhe mbrapa ka një komb, Egjiptin, që e sheh si heroin modern, si njeriun që mund të shpëtojë ata që ende sot duan të arratisen, ndoshta duke ndjekur pikërisht ëndrrat si “Momo” Salah.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas